Etiketë: Suharekë

  • Haradinaj në Suharekë: Katër vjet nuk ka qenë në rregull qeverisja as në planin e brendshëm, as të jashtëm

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, dhe Listën Ideal më 14.01.2025, e kanë vazhduar fushatën për zgjedhjet e 09.02.2025 me një tubim në Suharekë.

    Kandidati për kryeministër i koalicionit, Ramush Haradinaj, ka thënë se në katër vitet e fundit qeverisja as punët nuk kanë shkuar mirë.

    Ai ka thënë se për të qenë i fortë shteti përjetësisht duhet të anëtarësohet në NATO.

    “Katër vjet nuk kanë qenë në rregull, as qeverisja, as punët tona. As në planin e brendshëm, as në planin e jashtëm. Si ta ndreqim situatën? Njëherë e përgjithmonë duhet me ia fillu prej sigurisë. Siguria duhet të jetë e plotë dhe e përjetshme. Sado që i fortë vetë, për me u siguru përjetësisht është me u anëtarësu në NATO”- u shpreh ai.

    Ai ka thënë se duhet në çdo komunë të ketë zhvillim ekonomik.

    Ndërsa kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, njoftoi se gjatë ditës kanë vizituar Parkun Industrial, duke thënë se ky park e ka transformuar qytetin e Suharekës.

    Ai premtoi kushte me të mira për qytetarët e kësaj komune, duke thënë se rruga për ta bërë Kosovën me të fuqishme është me kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj.

    Gjatë ditës, Haradinaj ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargraeves.

    Haradinaj tha se me Hargraevesin diskutuan me theks të veçantë mbështetjen britanike për rrugën e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

    “Me Ambasadorin ndamë vizionin e përbashkët për një Kosovë të integruar plotësisht në strukturat Euro-Atlantike. Rruga jonë drejt NATO-s është e pakthyeshme dhe strategjikisht e domosdoshme për sigurinë rajonale” – tha Haradinaj, transmeton klankosova.tv.

    Më tej, Haradinaj tha se partneriteti mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të forcohet edhe më tej në funksion të objektivave të përbashkëta për një Kosovë e rajon të sigurt.

    Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i është bashkuar Shkelzen Komoni, kirurg maksillofacial.

    Sipas Haradinajt, Shkelzen Komoni njihet për humanitet, pozitivitet e optimizëm.

    “Aleancës sot iu bashkua Dr. Shkelzen Komoni, një prej kirurgëve më të njohur maksillofacial. Shkelzeni i lindur në Prishtinë, është nga një familje e mirënjohur atdhetare e intelektuale me origjinë nga Gjakova”.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • VIDEO – Zjarri në një kafene në Suharekë, lëndohet një person

    Një kafene është kapluar nga zjarri më 07.01.2024 në Suharekë dhe një person ka pësuar lëndime trupore.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Vesel Gashi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë, se reagimi policor ishte i menjëhershëm të cilët kanë njoftuar zjarrfikësit që të lokalizojnë zjarrin.

    “Me datë 07/01/2025 rreth orës 16:19, përmes 112 policia në Suharekë, ka marrë informatë për një incident zjarri, në rrugën ‘Brigada 123’ në Suharekë, në kafenenë ‘Simple’. në Suharekë. Reagimi policor ishte i  menjëhershëm, po ashtu janë njoftuar zjarrfikësit te cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes menjëherë dhe kanë arritur qe ta lokalizojnë (shuajnë) zjarrin. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, të cilat i kanë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore ne lidhje me ketë rast”-ka thënë Gashi.

    Gashi thotë se në përpjekje për të shuar zjarrin një person ka pësuar lëndime trupore, i cili më pas ka marrë tretman mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Suharekë.

    “Po ashtu është njoftuar Inspektori i punës dhe Eksperti i zjarreve, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në përpjekje për të shuar zjarrin një person ka pësuar lëndime trupore, i cili ka marrë tretman mjekësor në QMF Suharekë”- është shprehur Gashi.

    Lidhur me rastin, Gashi thotë se është njoftuar prokurori i shtetit dhe në konsultim me të njëjtin rasti është iniciuar “Incident zjarri”.

    Njësiti i hetimeve i stacionit policor në Suharekë, është duke i zhvilluar hetimet.

  • Vidhet një laptop në një shkollë në Suharekë

    Në Raportin e fundit 24 orësh të Policisë së Kosovës është raportuar për vjedhje në një shkollë, në Komunën e Suharekës.

    Persona të panjohur – sipas Raportit të Policisë – kanë hyrë brenda objektit të shkollës dhe kanë vjedhur një laptop.

    “Gjatë natës persona të panjohur me forcë kanë depërtuar brenda në objektin e një shkolle dhe kanë vjedhur një laptop.” – thuhet në Raport.

    Ndërsa, rasti po vazhdon të hetohet nga organet kompetente.

    Rasti ka ndodhur më 05.01.2025 dhe në Raport ky rast është klasifikuar si “vjedhje e rëndë”.