Etiketë: Zgjedhjet

  • Komisionarja për Zgjerim: Presim lëvizje në Kosovë pas Zgjedhjeve

    Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos e përmendi shkurtimisht Kosovën, duke folur para deputetëve në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel, më 14.01.2025.

    Ajo tha se zgjerimi i BE-së sot është ndryshe nga mënyra se si ishte para katër a pesë vjetësh dhe se tash “kemi një moment të ri pozitiv në BE”.

    “Për herë të parë në dhjetë vjetët e fundit kemi mundësinë që gjatë mandatit tonë të anëtarësojmë në BE një, dy apo tri vende të reja. Por, u kam thënë partnerëve javëve të fundit se nuk do të ketë lëshime, kur bëhet fjalë për kriteret themelore dhe vlerat e BE-së.” – tha ajo.

    Për Kosovën, ajo foli krejt në fund kur u pyet nga një deputet i Parlamentit Evropian se çfarë pret nga Zgjedhjet në Kosovë.

    “Kosova… Nuk e përmenda Kosovën. Atje do të ketë Zgjedhje. Nuk pres se do të mund të lëvizim para Zgjedhjeve, por shpejt pas Zgjedhjeve duhet të lëvizim. Sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor, nëse nuk flasim për Dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ose ndaras se çfarë është duke bërë Kosova e çfarë është duke bërë Serbia.” – tha Kos.

    Komisionarja shtoi se këtë vit pret zhvillime pozitive në procesin e zgjerimit dhe se pret progres më të madh, sesa që ka pasur në dhjetë vjetët e fundit.

    “Mund të kemi përparim gjatë Presidencës polake më shumë, sesa që kishim në dhjetë vjetët e fundit, Mund të kemi deri në dhjetë Konferenca ndërqeveritare.” – theksoi ajo.

    Kos paralajmëroi, gjithashtu, se së shpejti do të vizitojë Malin e Zi dhe Shqipërinë – vende të cilat ajo i sheh si më të avancuarat në procesin e zgjerimit.

    “Mali i Zi ka vizion t’i përmbyllë negociatat deri më 2026 dhe Shqipëria deri më 2027. Ne do t’i mbështesim ato, por duhet një punë shumë e madhe. Parimi i procesit të bazuar në merita duhet të jetë i vlefshëm edhe për vendet kandidate, por edhe për vendet anëtare të BE-së. Pra, kur kandidatët t’i përmbushin kriteret, atëherë vendet e BE-së duhet të mundësojnë ecjen përpara.“ – deklaroi Kos.

    Pas Zgjedhjeve që mbahen më 9 shkurt në Kosovë, pritet që shefja e re për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas të realizojë turneun e parë të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Në anën tjetër, i dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak ka paralajmëruar se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Luftën e Fundit në Kosovë.

    Komisioni i Përbashkët është pjesë e Deklaratës së Përbashkët për Personat e Zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023 – në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Në takimin e fundit në Bruksel, më 17.12.2024, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq kanë thënë se janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur./REL

  • Abdixhiku në Kamenicë: Zotohem për përfundimin e autostradës së Anamoravës brenda 4 viteve

    Lidhja Demokratike e Kosovës më 13.01.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Kamenicë.

    Kandidati për kryeministër i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka premtuar se gjatë mandatit të tij do ta ndërtojë autostradën e Anamoravës.

    ‘’Më lejoni që si njeri i kësaj ane të zotohem për përfundimin e autostradës së Anamoravës brenda 4 viteve. 2 vitet e para deri në Bresalc e pastaj deri të Dheu i Bardhë”- është shprehur ai.

    Sipas tij, në Kamenicë ndihen pasojat e një qeverisjeje që ka dështuar t’u japë njerëzve mundësitë dhe mbështetjen që u takon.

    “Dhe këtë qeverisje, ju qytetarë të Kamenicës, e keni patur në dy nivele. Pra edhe në atë qendror edhe në atë lokal. Dhe me gjithë fuqinë politike që ua keni dhënë, me gjithçka, në çdo pushtet, në çdo mjet, në çdo mundësi, Kamenica juaj vazhdon të jetë vendi me zvogëlimin më të madh të popullsisë në gjithë Kosovën. Kamenica vazhdon të jetë vendi me migrimin më të madh në gjithë Kosovën”- ka thënë Abdixhiku.

    Gjatë ditës, Abdixhiku ka qëndruar edhe në qytetin e Vitisë, në hapësirat e reja të Kampusit të Shkollave të Mesme dhe në QKMF-në ‘Nëna Terezë’ në Viti.

    Ai ka thënë se atje shpalosën zotimet për sektorin e shëndetësisë.

    Sipas Abdixhikut, tubimet në qytete më të vogla janë shenjë e qartë se populli i Kosovës i është rikthyer Lidhjes Demokratike.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja akrediton grupet e para të vëzhguesve të katër subjekteve politike

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar të hënën, më 12.01.2025, në mbledhjen e radhës grupin e  parë prej 2,274 vëzhguesve të katër partive politike të certifikuara për zgjedhjet e përgjithshme që mbahen më 09.02.2025.

    Gjatë kësaj mbledhjeje, KQZ ka miratuar akreditimin e grupit të parë prej 95 vëzhguesve nga Partia Demokratike e Kosovës, grupin e parë prej 1,725 vëzhgueves nga Lidhja Demokratike e Kosovës, grupin e parë prej 234 vëzhguesve nga Koalicioni “Vakat”, dhe grupin e parë prej 220 vëzhguesve nga Nova Demokratska Stranka.

    Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), tha se sipas ligjit, subjektet politike që janë certifikuar për zgjedhjet e 9 shkurtit kanë afat deri më 15.01.2025 të aplikojnë për akreditimin e vëzhguesve të tyre.

    “Secili subjekt i certifikuar për zgjedhjet mund të parashtrojë pranë KQZ kërkesë për aplikim për akreditimin e vëzhguesve më së voni 25 ditë para ditës së zgjedhjeve. Për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 09.02.2025, afati i fundit për aplikim për akreditim përfundon më 15.01.2025”- tha ai.

    Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së, propozoi që KQZ të shtyjë afatin për regjistrimin e vëzhguesve të subjekteve politike.

    Ky propozim u mbështet edhe nga anëtarë të tjerë të KQZ-së por u kundërshtua nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. “Është shkelje e ligjit nëse e zgjasim afatin e aplikimit, dhe shkurtojnë afatin prej më vonë 25 ditë para ditës së zgjedhjeve”- tha Radoniqi.

    Por, Kurteshi tha se kërkesën e tij e bazooi në nevojën që kanë partitë politike për zgjatje të afatit.

    “Po, mundet me u shkel ligji, por kjo shkelje e ligjit nuk është cenim i së drejtës së askujt, vetëm ndihmë, edhe ligji mendoj që është tolerant, kur ka mundësi me i ndhmu dikujt edhe me u shkel një afat, por jo mu shkel e drejta e dikujt” – tha Kurteshi.

    Gjatë kësaj mbledhjeje, KQZ shqyrtoi edhe raportim për aktivitete e Sekretariatit të KQZ-së rreth votimit me postë dhe nëpër përfaqësitë diplomatike, shqyrtimin dhe miratimi i planit operacional të sigurisë për zgjedhjet e 09.02.2024.