Etiketë: Policia e Kosoves

  • Deçan, i mituri vodhi 9 mijë euro nga gjyshja e tij, me gjysmën e parave bleu dy armë

    9 mijë euro dyshohet se një i mituri i vodhi nga gjyshja e tij me qëllimin që me gjysmën e tyre të blej dy armë dhe dy karikatorë.

    Ngjarja u regjistrua në fshatin Lebushë në Deçan më 02.01.2024.

    Policia ka njoftuar se i dyshuari i mitur në shtëpinë e gjyshes së tij kishte vjedhur 9 mijë euro para të gatshme.

    Nga totali i parave të vjedhura, 4 mijë euro i mituri dyshohet se ua dha dy shokëve të tij të mitur për t’i blerë dy armë/ pistoleta dhe dy karikatorë me dy fishekë.

    Njësitet policore kanë arritur që të trajtojnë rastin dhe të konfiskojnë edhe armët e blera nga i dyshuari.

    Të tre personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Ngjarja po vazhdon të trajtohet edhe më tutje nga hetuesit policor pasi tashmë ka edhe rast të hapur për vjedhje, armëmbajtje pa leje si dhe detyrim.

  • Policia jep detaje për plagosjen në Lagjen Arbëria

    Një person është plagosur mbrëmë më 03.01.2025 rreth orës 18:30 në Lagjen Arbëria në Prishtinë.

    Policia ka dhënë detaje në lidhje me plagosjen që ndodhi ndërsa ka njoftuar edhe se i dyshuari ndonëse është identifikuar vazhdon të jetë në kërkim nga njësitet policore.

    Viktima në këtë rast për të cilin KALLXO.com kishte marrë vesh se ka inicialet F.J, sipas policisë është plagosur në shpinë me armë zjarri.

    Sh.H., sipas policisë dyshohet se ka gjuajtur me armë në drejtim të viktimës më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Pas marrjes së informacionit se në Lagjen Arbëria ka të shtëna armësh, njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes.

    Aty kanë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja.

    Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ndërsa mjeku kujdestar Adem Jaha, i ka thënë KALLXO.com se nga salla operative ishte dërguar në kujdes intensiv duke shtuar se pacienti ka qenë në rrezik për jetë.

    Në anën tjetër zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë për KALLXO.com se përvec të dyshuarit, janë identifikuar edhe dy vetura të cilat u përkasin të përfshirëve në plagosjen që ndodhi në Lagjen Arbëria në Prishtinë.

    Rasti është iniciuar si vrasje në tentativë.

  • Shkrepi pushkën automatike në ahengun familjar, arrestohet i dyshuari në Podujevë

    Shtatë gëzhoja u gjetën nga njësitet policore në një lokacion në fshatin Llapashticë e Epërme në Podujevë, që dyshohet se ishin mbetje të të shtënave me armë, më 02.01.2024, rreth orës 21:25.

    Të shtënat u regjistruan gjatë një ahengu familjar, ndërsa i dyshuari – sipas Policisë – përdori një pushkë automatike.

    Në Raportin policor ditor thuhet se i dyshuari është arrestuar, pasi Policia e mori informacionin doli në vendin e ngjarjes.

    Nga i njëjti u konfiskua pushka automatike me 18 copë fishekë dhe 7 gëzhoja. Pasi u shiqua edhe vendi i ngjarjes, i dyshuari  u dërgua edhe në Stacion policor për intervistim.

    Për rastin u njoftua edhe Prokurori kujdestar, ndërsa i njëjti udhëzoi Policinë që pas intervistimit të dyshuarin ta dërgonin në mbajtje për 48 orë.

    Rasti është iniciuar si “armëmbajtje pa leje” dhe “përdorim i armës”.