Etiketë: Policia e Kosoves

  • Djali dyshohet se rrahu babain, Policia gjen armë në shtëpi

    Nën dyshimin se rrahu babain e tij, një djalë është arrestuar nga Policia, më 02.01.2025, në Viti.

    Policia ka njoftuar se i dyshuari kishte ushtruar dhunë ndaj babait të tij, ndërsa pas marrjes së informacionit njësitet policore ishin drejtuar për në vendin e ngjarjes.

    Përveç arrestimit të të dyshuarit, në shtëpinë e të njëjtit është kryer edhe një bastisje.

    Gjatë bastisjes është gjetur dhe është konfiskuar një armë zjarri.

    Për rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar, derisa ky i fundit ka marrë vendim që pas intervistimit të të dyshuarit, i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

    Rasti është duke vazhduar të trajtohet, ndërsa është iniciuar si “dhunë në familje” dhe “armëmbajtje pa leje”.

     

     

  • Mbi 90 aksidente u regjistruan në 24 orët e fundit në Kosovë

    Në rrugët e Kosovës, në 24 orët e fundit, janë regjistruar 98 aksidente – tregojnë të dhënat e Policisë.

    Nga këto aksidente, 31 janë regjistruar me të lënduar, ndërsa 67 me dëme materiale.

    Policia në ditët e fundit ka bërë apel edhe për kujdes në komunikacion, për shkak të mjegullës.

    Në një Raport të përgjithshëm, Policia ka nxjerrë edhe statistikat e numrit të aksidenteve, që u regjistruan gjatë vitit 2024.

    Vetëm aksidente me fatalitet gjatë vitit 2024 janë regjistruar 88 të tilla. Nga këto aksidente, 96 persona kanë vdekur.

    Në Raportin e Policisë është përmendur edhe se gjatë vitit 2024 janë shënuar 7 mijë e 896 aksidente me lëndime.

    Tutje, në Raport, përmenden edhe aksidentet me dëme materiale, të cilat janë 13 mijë e 854 të tilla – vetëm për vitin 2024.

    Në total, numri i aksidenteve që u regjistruan në vitin që lamë pas është 21 mijë e 838. Policia e Kosovës me njësitet e saj të trafikut kanë shqiptuar gjatë vitit 2024 711 mijë e 953 gjoba, për ata që nuk kanë respektuar rregullat e trafikut.

  • Babë e bir probleme me ligjin, njëri dyshohet se përdori armën e tjetri e sulmoi gruan me të cilën bashkëjetonte

    Babë e bir në Istog janë përballur me organet e rendit, më 02.01.2025, pasi të njëjtit po dyshohen se kryen vepra penale: atë “dhunë në familje” dhe “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Policia ka njoftuar se është arrestuar një burrë, pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike, si dhe e kishte kërcënuar me armë një grua, me të cilën bashkëjetonte prej disa ditësh.

    Në anën tjetër, babai i të dyshuarit për “dhunë në familje” – sipas Policisë – dyshohet se në ndërrimin e motmoteve kishte gjuajtur me armë zjarri në ajër.

    Pas marrjes së informacionit për “dhunë në familje” Policia kishte dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa kishte konfiskuar edhe armën që dyshohet se ishte përdorur edhe në ndërrimin e motmoteve.

    Në këtë rast nuk ka pasur ndonjë person të lënduar, ndërsa viktima e dhunës në familje, sipas Raportit të Policisë, me dëshirën e saj, pasi dyshohet se ishte rrahur nga partneri, është kthyer te familja e saj.

    Për ngjarjen është njoftuar edhe Prokurori kujdestar. Ndaj babait të të dyshuarit për “dhunë në familje” është iniciuar rasti për “përdorim i armës” dhe i njëjti pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

    Ndërsa, Policia ka njoftuar se ndaj djalit është iniciuar rasti për “dhunë në familje” dhe i njëjti pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.