Etiketë: Zgjedhjet

  • Delegacioni i Asamblesë së Këshillit të Europës me vizitë parazgjedhore në Kosovë

    Një delegacion prej tre anëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE), i udhëhequr nga Petra Bayr, do të bëjë një vizitë parazgjedhore në Kosovë më 16-17 janar, për të vlerësuar fushatën zgjedhore dhe klimën politike, para Zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

    Në një komunikatë për media bëhet e ditur se, në Prishtinë, delegacioni pritet të takohet me Presidenten e Kosovës, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit, si dhe me liderët dhe përfaqësuesit e grupeve kryesore politike të Kuvendit.

    “Gjithashtu janë planifikuar takime me delegacionin e Kuvendit të Kosovës në PACE, Kryetaren dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Shefin e Misionit të BE-së për vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe anëtarët e komunitetit ndërkombëtar, si dhe me përfaqësues të trupit diplomatik, shoqërisë civile dhe medias.” – thuhet në komunikatë.

    Delegacioni më pas do të dalë me deklaratë në përfundim të vizitës.

    Tutje, potencohet se një delegacion prej 20 anëtarësh do të udhëtojë në Kosovë për të vëzhguar Zgjedhjet më 9 shkurt.

    https://kallxo.com/lajm/numrat-e-partive-politike-per-zgjedhjet-e-9-shkurtit/

  • Rumani, mijëra protestues demonstrojnë kundër anulimit të Zgjedhjeve presidenciale

    Dhjetëra-mijëra rumunë protestuan të dielën në kryeqytetin Bukuresht, kundër vendimit të muajit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Zgjedhjeve presidenciale, pasi një kandidat i panjohur fitoi raundin e parë.

    Demonstruesit u ranë borive të makinave, valëvitën flamurin kombëtar dhe mbajtën pankarta ku shkruhej, “Duam Zgjedhje të lira” dhe bënë thirrje për demokraci. Shumë nga protestuesit kërkojnë vazhdimin e raundit të dytë të Zgjedhjeve presidenciale.

    Protesta vjen një muaj pasi Gjykata Kushtetuese mori vendimin e pashembullt, për të anuluar Zgjedhjet vetëm dy ditë përpara balotazhit të 8 dhjetorit.

    Avantazhi i politikanit populist, Calin Georgescu, i ekstremit të djathtë, tronditi shumë njerëz pas votimeve në raundin e parë më 24 nëntor. Më pas u ngritën akuza për shkelje zgjedhore dhe ndërhyrje të Rusisë.

    George Simion, udhëheqës i ekstremit të djathtë “Aleanca për Bashkimin e Rumunëve” tha gjatë protestës të dielën se: “Po protestojmë kundër grushtit të shtetit që ndodhi më 6 dhjetor”.

    Udhëheqësi i partisë që organizoi protestën të dielën tha për shtypin se: “Na vjen keq që zbuluam kaq vonë se po jetonim një gënjeshtër dhe se na udhëhiqnin njerëz që pretendonin se ishin demokratë, por që nuk janë. Kërkojmë rikthimin e demokracisë, përmes rifillimit të procesit zgjedhor – duke mbajtur raundin e dytë”.

    Anulim i Zgjedhjeve muajin e kaluar e ka zhytur Rumaninë në trazira. Vendi anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s është përfshirë edhe nga polemika të tjera – përfshirë rinumërimin e votave të raundit të parë.

    Rumania ka caktuar datën 4 maj për mbajtjen e raundit të parë të Zgjedhjeve të reja. Nëse asnjë kandidat nuk merr më shumë se 50% të votave, balotazhi do të zhvillohet dy javë më vonë, më 18 maj. Nuk është e qartë nëse zoti Georgescu do të mund të marrë pjesë në Zgjedhjet e reja.

    Populisti Calin Georgescu e ka apeluar vendimin për Zgjedhjet në një Gjykatë lokale, si dhe ka paraqitur një ankesë pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Vendimi i publikuar i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Zgjedhjeve përmendi përdorimin e paligjshëm të teknologjive dixhitale, përfshirë inteligjencën artificiale, si dhe përdorimin e “burimeve të padeklaruara” për financimin e fushatës. Zoti Georgescu kishte deklaruar zero shpenzime për fushatën./VOA

  • Çka presin votuesit e rinj në Kosovë?

    Edona Asllani priti Vitin e Ri në terr dhe kuptoi se Kosova ka nevojë për më shumë se vetëm premtime.

    Ajo nuk është përcaktuar ende se cilën parti do ta votojë në zgjedhjet parlamentare, por do që qeveria e ardhshme ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e furnizimit me rrymë.

    “Për orë të tëra, natën e Vitit të Ri nuk kishim rrymë”, thotë 23-vjeçarja nga Ferizaj.

    “Unë nuk merrem me politikë, por do të votoj, sepse është obligim qytetar”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

    Edona dhe mbi dy milionë qytetarë me të drejtë vote do të mund të zgjedhin mes 28 subjekteve politike dhe katër kandidatëve për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit: Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, aktualisht në pushtet; Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës; Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Fushata e tyre zgjedhore nisi zyrtarisht më 11 janar.

    Vetëm në ditën e dytë të saj, Anisa Hajdini, e cila do të votojë për herë të parë, thotë se ka vendosur se cilës parti do t’ia japë besimin.

    “Idetë që ka paraqitur partia që kam zgjedhur, më kanë pëlqyer dhe pres ndryshime në sistemin e arsimimit universitar”, thotë studentja e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës.

    “Nuk pres reforma të menjëhershme, sepse ato duhet të ndodhin në mënyrë graduale dhe të mendohen mirë… Por, për shembull, notimi me teste nuk më pëlqen, do të doja të bëhej me gojë”, thotë Anisa.

    Për herë të parë më 9 shkurt do të votojë edhe Amelia Sefa, studente e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës.

    Ajo nuk është përcaktuar ende se kujt do t’ia japë votën, por, ngjashëm, kërkon mbështetje më të madhe për studentët.

    “Të ketë, për shembull, furnizim me materialet e nevojshme për studime, por edhe një shumë të vogël financiare për nevojat personale të studentëve”, thotë Amelia.

    Gjin Prelvukaj është ende student, por do që të shohë ndryshime në kushtet e punësimit të të rinjve.

    Sipas tij, ato janë të domosdoshme për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në tregun e punës.

    Shkalla e papunësisë në mesin e personave 15-24 vjeç në Kosovë është 17.3 për qind.

    “Aktualisht, kur hapen konkurse për punë, kërkohet përvojë pune tre deri në pesë vjet. Kjo, automatikisht, e pamundëson pjesëmarrjen e të rinjve në konkurs, sepse me 22 vjet nuk mund ta kesh atë përvojë”, thotë studenti i Inxhinierisë së Mekatronikës.

    Edhe kolegu i tij, Lis Shala, do më shumë mundësi punësimi për të rinjtë dhe, siç thotë, paga më të dinjitetshme.

    Mesatarja e pagës në Kosovë, aktualisht, është 570 euro, por Lisi thotë se “minimalja duhet të jetë deri në 700 euro”.

    “… sepse qiraja, ushqimi, rryma, çmimet e produkteve janë shumë të larta. Pagat aktuale nuk sigurojnë mirëqenie sociale”, sipas tij.

    Diamant Maraj, 23 vjeç, thotë se partia që do ta votojë ai, ka premtuar rritje pagash dhe beson se ky premtim do të përmbushet.

    Për të, prioritet duhet të jetë edhe luftimi i korrupsionit.

    “Dyshohet se ka korrupsion me rrymën. Le të hiqen këto dyshime”, thotë Diamanti.

    Deri në mëngjesin e 9 shkurtit – sa do të zgjasë fushata zgjedhore – qytetarët do të kenë mundësi të dëgjojnë e shohin se çka premtojnë partitë politike.

    Në rrjete sociale, intervista e debate televizive, shumë prej tyre tashmë kanë shpalosur ide e premtime, qoftë për marrëdhëniet me jashtë, për zhvillimin ekonomik apo për reformat në shëndetësi e arsim.

    Ndonëse përmirësime të ngjashme janë premtuar edhe më herët, kërkesat e qytetarëve për më shumë ndryshime përsëriten para çdo palë zgjedhjeve.

    Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë 2.075.868 votues brenda dhe jashtë Kosovës që do të mund të zgjedhin se kush do t’i përfaqësojë ata dhe interesat e tyre gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

    Prej tyre, mbi 125 mijë janë votues të rinj që i kanë mbushur 18 vjet në mes të dy proceseve zgjedhore.

    “Deri më tash, asnjë parti nuk më ka bindur deri në atë pikë që të them se është ideale për t’u votuar”, thotë juristja 23 vjeçe, Mimoza Maqedonci.

    Ajo pret zhvillimin e fushatës për t’u informuar më shumë për ofertat e tyre./REL