Etiketë: zgjedhjet parlamentare 2025

  • Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja akrediton grupet e para të vëzhguesve të katër subjekteve politike

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar të hënën, më 12.01.2025, në mbledhjen e radhës grupin e  parë prej 2,274 vëzhguesve të katër partive politike të certifikuara për zgjedhjet e përgjithshme që mbahen më 09.02.2025.

    Gjatë kësaj mbledhjeje, KQZ ka miratuar akreditimin e grupit të parë prej 95 vëzhguesve nga Partia Demokratike e Kosovës, grupin e parë prej 1,725 vëzhgueves nga Lidhja Demokratike e Kosovës, grupin e parë prej 234 vëzhguesve nga Koalicioni “Vakat”, dhe grupin e parë prej 220 vëzhguesve nga Nova Demokratska Stranka.

    Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), tha se sipas ligjit, subjektet politike që janë certifikuar për zgjedhjet e 9 shkurtit kanë afat deri më 15.01.2025 të aplikojnë për akreditimin e vëzhguesve të tyre.

    “Secili subjekt i certifikuar për zgjedhjet mund të parashtrojë pranë KQZ kërkesë për aplikim për akreditimin e vëzhguesve më së voni 25 ditë para ditës së zgjedhjeve. Për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që mbahen më 09.02.2025, afati i fundit për aplikim për akreditim përfundon më 15.01.2025”- tha ai.

    Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së, propozoi që KQZ të shtyjë afatin për regjistrimin e vëzhguesve të subjekteve politike.

    Ky propozim u mbështet edhe nga anëtarë të tjerë të KQZ-së por u kundërshtua nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. “Është shkelje e ligjit nëse e zgjasim afatin e aplikimit, dhe shkurtojnë afatin prej më vonë 25 ditë para ditës së zgjedhjeve”- tha Radoniqi.

    Por, Kurteshi tha se kërkesën e tij e bazooi në nevojën që kanë partitë politike për zgjatje të afatit.

    “Po, mundet me u shkel ligji, por kjo shkelje e ligjit nuk është cenim i së drejtës së askujt, vetëm ndihmë, edhe ligji mendoj që është tolerant, kur ka mundësi me i ndhmu dikujt edhe me u shkel një afat, por jo mu shkel e drejta e dikujt” – tha Kurteshi.

    Gjatë kësaj mbledhjeje, KQZ shqyrtoi edhe raportim për aktivitete e Sekretariatit të KQZ-së rreth votimit me postë dhe nëpër përfaqësitë diplomatike, shqyrtimin dhe miratimi i planit operacional të sigurisë për zgjedhjet e 09.02.2024.

     

     

  • Shefi i NATO-s pret që zgjedhjet në Kosovë të mos ndikojnë në destabilizim të situatës

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca ushtarake perëndimore është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që të mos ketë destabilizim në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare.

    Rutte e ka quajtur situatën në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë si çështje kyçë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Këto deklarata ai i bëri më 13 janar gjatë një debati që u zhvillua në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtjes në Parlamentin Evropian në Bruksel.

    “Natyrisht, i kemi disa shqetësime atje, sidomos për situatën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës”, tha shefi i NATO-s.

    Ai shtoi se aleanca nuk do të lejojë të ketë ndonjë vakum të sigurisë, as në Bosnje e Hercegovinë, e as diku tjetër në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Gjithsesi, ne jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi. Kjo është kyç. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar për së afërmi sepse është një fqinjësi kryesore për ne”, tha Rutte.

    Kosova do të mbajë zgjedhje të rregullta parlamentare më 9 shkurt.

    Mbajtja e votimeve po bëhet në kohën kur në dy vjetët e fundit tensionet kanë qenë të larta në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

    Në shtator të vitit 2023, në veri të Kosovës një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Përgjegjsinë për sulmin, që Kosova e konsideron terrorist, e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

    Ndërkaq, në nëntor të vitit të kaluar ndodhi një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

    Ky kanal furnizon me ujë disa komuna të Kosovës dhe uji i tij përdoret për ftohjen e termocentraleve.

    Kosova sërish fajësoi Serbinë për sulmin, por Beogradi mohoi përfshirjen dhe tha se do të hetojë rastin.

    Ndërkaq, gjatë debatit në PE, shefi i aleancës tha se në këto kohëra të rrezikshme është e domosdoshme që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të forcojnë bashkëpunimin.

    Sipas tij, Rusia po bën përpjekje që të destabilizojë vendet anëtare të aleancës dhe të bllokut evropian.

    “Jemi thellësisht të shqetësuar për sigurinë në Evropë. Nuk jemi në luftë, por nuk jemi as në paqe”, tha ai duke kërkuar që të rriten investimet në siguri dhe mbrojtje nga vendet anëtare.

    Sipas planit të mëhershëm, të gjitha vendet anëtare të aleancës duhet të investojnë në mbrojtje më së paku 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Edhe pse pajtimi për këtë ishte bërë para më shumë se dhjetë vjetësh, këtë synim ende nuk e kanë arritur të gjitha vendet anëtare, pavarësisht se që nga nisja e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, investimet në mbrojtje janë rritur.

    “Dy të tretat e vendeve anëtare të NATO-s tash shpenzojmë së paku 2 për qind të BPV-së për mbrojtje. Por, kjo nuk është as përafërsisht e mjaftueshme. Për një mbrojtje të duhur, duhet shumë më tepër”, theksoi shefi i NATO-s./REL

  • PZAP e hedh poshtë ankesën e LVV-së kundër certifikimit të Listës Serbe

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka hedhur poshtë më 09.01.2025 ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte kërkuar anulimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 09.02.2025.

    “HUDHET poshtë e palejuar ankesa Anr. 16/2025 e datës 08.01.2025, e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, paraqitur kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, me të cilën ka kërkuar që të anulohet Vendimi i KQZ-së Nr. 01/2328-2024, i datës 31.12.2024, dhe të urdhërohet KQZ, të nxjerr vendim” – thuhet në vendimin e PZAP-së.

    Sipas këtij vendimi, ankesa e LVV-së konsiderohet e palejueshme pasi nuk i përmbush kërkesat ligjore.

    Në fund të muajit të kaluar, PZAP miratoi ankesën e Listës Serbe dhe e urdhëroi KQZ-në ta certifikojë atë për zgjedhjet e 09.02.2025.

    Sipas njoftimit të PZAP-së, vetëm përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ mund të paraqisnin një ankesë të tillë, nëse konsideronin se u ishte cenuar ndonjë e drejtë.

    PZAP, në vendim përmend edhe aktvendimin e Gjykatës Supreme, e cila e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të PZAP-së.

    LVV po kundërshton certifikimin e Listës Serbe duke e quajtur të paligjshme certifikimin e saj për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    https://kallxo.com/lajm/supremja-hedh-poshte-ankesen-e-vetevendosjes-kunder-vendimit-te-pzap-se-ne-lidhje-me-listen-serbe/