Etiketë: zgjedhjet 2025

  • Krasniqi promovon punën e IRDK-së në Gjakovë: Ne nuk bëmë pazare me barazi

    Kryetari i Iniciativës së Re Demokratike e Kosovës, Elbert Krasniqi po vazhdon fushatën elektorale për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Krasniqi ka promovuar pastrimin e një deponie të mbeturinave në një lagje të Gjakovës.

    Ai ka thënë se IRDK nuk bën pazare me barazi dhe nuk bëjnë kompromis me dinjitet.

    “Ali Ibra nuk është më deponi e mbeturinave. Rrugë e re aty, ndriçim publik dhe qendër mësimore. Ne nuk bëmë pazare me barazi dhe nuk bëjmë kompromis me dinjitet.” – ka thënë ai.

    Krasniqi ka njoftuar tutje se ka zhvilluar takime me qytetarë në fshatin Rudicë dhe Zallq.

    Ai ka thënë se bashkëbiseduan për punën e IRDK-së në Qeverinë aktuale dhe planet për projektet në Qeverinë Kurti 3.

    “Në odën e Gani Isenaj në Rudicë e në odën e Rifat Stollaj në Zallq bashkëbiseduam për punën e IRDK-së në Qeveri në mandatin Kurti 2 dhe shpalosëm planet e projektet për Kurti 3. Këto familje janë motivi ynë që të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe përgjegjësi.” – ka thënë ai.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor; gjithashtu, edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Bojkotimi i tri kanaleve televizive nga LVV-ja – sekretari i saj i përgjigjet kritikave

    Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama i është përgjigjur letrës së hapur të Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) që ia adresoi liderit të LVV-së, njëherazi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në lidhje me vendimin e partisë së tij, që t’i bojkotojë tri kanale televizive në vend gjatë fushatës zgjedhore.

    Sekretari Rama i është përgjigjur letrës së ECPMF një javë pasi ajo u publikua, më 10.01.2025. Ndërsa, LVV ka bojkotuar kanalet televizive – T7, Klan Kosova dhe TV Dukagjini, gjatë fushatës zgjedhore që ka nisur më 11.01.2025.

    Ndonëse ECPMF ia kritikoi transparencën dhe llogaridhënien partisë në pushtet, Rama thotë se LVV mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për këto dy çështje.

    Në letrën e saj, Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta anulojë vendimin për bojkotimin e këtyre mediave dhe të sigurohet që Vetëvendosja të sigurojë qasje të barabartë në informacione publike për këto media.

    “Na vjen keq për çdo keqkuptim ose dezinformatë rreth kontekstit të çështjes në fjalë. Kjo Qeveri, e udhëhequr nga partia jonë, përfaqëson udhëheqjen më demokratike që Kosova ka pasur. Ne mbajmë lirinë e fjalës, pavarësinë e medias dhe një mjedis të gjallë e të larmishëm mediatik si shtyllat themelore të demokracisë dhe parimet thelbësore që ne i mbështesim me krenari.” – ka shkruar Rama.

    Sipas Ramës, si parti politike kanë të drejtë të zgjedhin kanalet komunikuese “që më së miri përcjellin mesazhin e tyre dhe të sigurojnë se publiku është i mirë-informuar rreth Programit politik të tyre për mandatin e ardhshëm.”

    “Është esenciale të qartësojmë se ky nuk është një bojkot i medias. Vendimi për t’i përjashtuar tri kanale (televizive) specifike nuk e minon mjedisin e pasur dhe të larmishëm të medias në Kosovë, që përfshin platforma të numërta për debat dhe shumë gazetarë profesionistë në vend.” – ka theksuar Rama.

    Rama thotë madje se në tri studiot e kaneleve televizive të cilat i ka bojkotuar LVV ka ofendime të shpeshta e akuza të pabaza.

    “Gjuha toksike, ofendime të shpeshta dhe akuza të pabaza që mbizotërojnë në këto tri studio, të shoqëruara me raportim të njëanshëm dhe joobjektiv. Dështuan të ofrojnë një platformë të drejtë për partinë tonë, për të prezantuar planet e saj të fushatës dhe qëllimet.” – ka thënë Rama.

    Megjithatë, Rama përmend se LVV nuk është duke ia kufizuar ndonjë gazetari apo organizate mediatike mbulimin e periudhës së fushatës zgjedhore apo aktiviteteve të partisë.

    “Vendimi i përket vetëm mospjesëmarrjes në debate dhe programe që nuk ofrojnë një mjedis të favorshëm për t’i shprehur këndvështrimet tona.” – ka shtuar Rama.

    Rama shton po ashtu se kritika gjithmonë ka qenë një gur themel i Lëvizjes së tyre dhe se i mirëpresin mendimet e ndryshme edhe kur ato i sfidojnë.

    “Ne kategorikisht refuzojmë pretendimet e pavërteta se Qeveria jonë ka kërkuar t’i kontrollojë mediat dhe se  përfaqësuesit tonë kanë sulmuar gazetarët e pavarur, profesionistë. Mjedisi i larmishëm i medias dhe prezenca e zërave dhe qëndrimeve të ndryshme – duke përfshirë edhe kritikat më të ashpra të Qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje si dëshmia më e fortë e kësaj.” – ka thënë Rama.

    Gjatë mandatit të tyre, Rama thotë se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm për lirinë e medias, siç shprehet ai, që këto reflektojnë në indeksët ndërkombëtar.

    “Ky progres megjithatë është sfiduar nga presionet e jashtme, duke përfshirë tensione të eskaluara dhe sulme në veri më 2023. Këto sulme, të ushqyera nga fqinji ynë verior nuk i ka rrezikuar vetëm gazetarët, por gjithashtu e pengoi aftësinë e tyre për të performuar punën e tyre kritike.” – ka potencuar Rama.

    “Ne mbetemi të përkushtuar për t’u angazhuar në diskutimet publike rreth Programit, ideve dhe vizionit tonë për të dy mandatet, të tanishmin dhe të ardhshmin. Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria e saj do të vazhdojnë ta mbrojnë lirinë e fjalës, lirinë e medias dhe komunikimit transparent me publikun përmes medias.” – ka thënë në fund Rama.

    Në anën tjetër, në letrën e saj, ECPMF ka theksuar se duke i bojkotuar kanalet kryesore televizive, minohet e drejta e publikut për informacion dhe roli esencial i gazetarëve në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies.

    “Të gjithë gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht dhe në mënyrë të drejtë për periudhën zgjedhore. Mbrojtja e lirive të medias dhe e drejta e publikut për një proces të informuar dhe demokratik duhet të jetë prioritet.” – thuhet në letrën e ECPMF-së për Kurtin.

    ECPMF tha se gjatë katër vjetëve të kaluara, derisa Reagimi i Shpejtë i Lirisë së Medias (MFRR) nga afër ka monitoruar zhvillimet në lirinë e medias, kanë qenë dëshmitarë të një rënie shqetësuese të lirisë së mediave në Kosovë. 

    “Në vitin 2022, partnerët e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Europës vizituan Kosovën për të vlerësuar gjendjen e lirisë së medias dhe mbrojtjen e gazetarëve në vend. Derisa pak progres është vërejtur, misioni konstatoi se “retorikë toksike dhe fushatat e shpifjeve kundër medias, financimi i pamjaftueshëm i transmetuesit publik dhe mungesa e transparencës rrezikojnë të minojnë progresin.” – ka thënë ECPMF.

    Më tej, ECPMF bazohet edhe në të dhënat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, të cilat thotë se janë dyfishuar.

    “Shumica e këtyre sulmeve përfshijnë sulme verbale nga anëtarë të partisë suaj, të cilët i kanë etiketuar gazetarët si “spiunë serbë” ose bashkëpuntorë dhe i kanë akuzuar që kanë lidhje me interesat serbe.” – i ka adresuar ECPMF Kurtit.

    Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias ia ka përmendur Kurtit edhe miratimin e Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) në Kuvendin e Kosovës, më 12.07.2024.

    Sipas Qendrës, ky Ligj i ri për Median dështoi të përfshijë rekomandimet kritike të Këshillit të Europës, Komisionit Europian dhe shoqërisë civile.

    “Kosova urgjentisht ka nevojë të marrë masa për të mbrojtur lirinë e medias, të promovojë transparencë dhe të sigurojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë. Publiku, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore ka të drejtën themelore të qaset në informacione të ndryshme, të shqyrtojë me kujdes premtimet politike dhe t’i mbajë politikanët llogaridhënës.” – ka theksuar ECPMF.

    Organizatat e shoqërisë civile reagojnë ndaj Vetëvendosjes për bojkotin e “Debat Përnime”

    KALLXO.com ka raportuar gjithashtu se një grup prej dhjetëra organizatave joqeveritare kanë reaguar ndaj bojkotit të subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje për mos të marrë pjesë në emisionin “Debat Përnime” – prodhim i dy organizatave, Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova.

    Në reagimin e tyre, OJQ-të kanë theksuar që bojkoti për mospjesëmarrje në “Debat Përnime” e cenon interesin publik dhe informimin e drejtë të qytetarëve në kohë Zgjedhjesh.

    “Ne, organizatat e poshtëshënuara e kemi marrë me shumë shqetësim vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje, me të cilin kjo parti ka vendosur të bojkotojë debatin zgjedhor të organizuar nga organizatat e shoqërisë civile, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN dhe Internews Kosova, organizata anëtare e International Fact-checking Network – IFCN dhe European Factchecking Standards Network – EFCSN dhe fituese e çmimeve ndërkombëtare për gazetari hulumtuese.” – thuhet në reagim.

    Partia Lëvizja Vetëvendosje mori vendim bojkotimin e tre televizioneve në vend, duke përfshirë edhe formatin e debateve zgjedhore “Debat Përnime”.

    “Vendimi për të bojkotuar debatin e organizuar nga organizata të certifikuara të verifikimit të fakteve dhe organizata me renome në gazetari hulumtuese cenon interesin publik dhe informimin e drejtë të qytetarëve për ofertën politike të partive politike dhe llogaridhënies.” – thuhet tutje në reagim.

    Ndaj bojkotimit të “Debat Përnime” ka reaguar edhe drejtoresha e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese dhe drejtuesja e emisionit “Debat Përnime”, Jeta Xharra.

  • Konjufca takohet me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, flasin për zgjedhjet

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të kryesuar nga Petra Bayr.

    Konjufca i ka njoftuar mysafirët me ecurinë aktuale politike në vend, në këtë periudhë të fushatës zgjedhore që përfundon me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025.

    Ai ka vlerësuar se ky proces është duke u zhvilluar konform përcaktimit të tij ligjor, në frymë demokratike, si dhe duke i ndjekur e nxitur vlerat e përbashkëta europiane.

    “Në takim u diskutua rreth Ligjit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës që e definon këtë proces, si dhe në lidhje me pritshmëritë që këto zgjedhje të vazhdojnë traditën e mirë demokratike, si një vend që aspirojmë zhvillim sa më të madh në këtë drejtim, me aspirata të anëtarësimit në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane”- thuhet në njoftimin e datës 17.01.2025.

    Konjufca ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, ashtu siç ka qenë dhe vijon të mbetet e angazhuar në ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në vendin tonë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

    Konjufca e falënderoi delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për diskutimin e frytshëm dhe iu uroi atyre qëndrim sa më të mirë e sa më produktiv në Kosovë.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.