Etiketë: zgjedhjet 2025

  • Radoniqi: Gjetjet e vëzhguesve në zgjedhje do të merren seriozisht nga KQZ-ja

    Kryesuesi dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) më 16.01.2025 kanë pritur në takim eurodeputeten Nathalie Loiseau, njëkohësisht shefe e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Europian.

    Sipas njoftimit, takimi u fokusua në përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 09.02.2025.

    Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka theksuar rëndësinë e vëzhgimit të zgjedhjeve, duke siguruar që gjetjet e vëzhguesve do të merren seriozisht nga KQZ.

    Po ashtu, KQZ informoi Loiseau dhe ekipin e BE-së për përgatitjet në zhvillim, përfshirë votimin përmes postës për qytetarët jashtë Kosovës dhe trajnimin e trupave zgjedhorë.

    KQZ e ka certifikuar më 04.01.2025 listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

    Në total, në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të garojnë 27 parti politike.

    Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

  • Osmani takohet me ekipin vëzhgues të zgjedhjeve të BE-së, kërkon fokus në përfaqësimin e grave në këtë proces

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 16.01.2025 priti në takim ekipin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Europian, të kryesuar nga Nathalie Loiseau, njëherësh deputete e Parlamentit Europian.

    Ky takim thuhet se u zhvillua në kuadër të “angazhimeve të përbashkëta për të siguruar një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe demokratik në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.”

    Sipas njoftimit, në takim diskutuan rëndësinë e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe transparent, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka dëshmuar përkushtimin e saj në organizimin e zgjedhjeve demokratike.

    Në takim, Osmani ka ritheksuar kërkesën e bërë edhe në letrën dërguar të Josep Borrell, në mënyrë që ky mision të përfshijë gjithashtu një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

    “Ajo theksoi rëndësinë e përfaqësimit të grave në listat zgjedhore, buxhetimin gjinor, praninë e tyre në media, si dhe trajtimin e çështjeve të dhunës me bazë gjinore gjatë fushatës, përfshirë dhunën në internet. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, gjithashtu ritheksoi kërkesën që ky mision, të fokusohet edhe në respektimin  e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, posaçërisht sa i përket qasjes së tyre në vendvotime”- thuhet në njoftim.

    Ndërsa tutje është bërë e ditur që Osmani vlerësoi se barazia gjinore është një nga parimet themelore të demokracisë dhe duhet të reflektohet në të gjitha aspektet e procesit zgjedhor.

    Tutje thuhet se Osmani bazuar në raportet e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të kaluara, përfshirë raportet e misioneve vëzhguese të BE-së, të cilat kanë konstatuar se në komunat veriore të Republikës së Kosovës ka pasur ndërhyrje të paligjshme, frikësim dhe pengim të realizimit të së drejtës për votim të lirë, shtroi nevojën që vëzhguesit e këtij Misioni të BE-së, të sigurohen se e monitorojnë se a po realizohet e drejta e votës së lirë në plotëni, konform  standardeve më të larta demokratike në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    Osmani përmes një letre të dërguar më 03.09.2023, për përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar dërgimin e një Misioni të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.

    Sipas njoftimit, në këtë kontekst, Osmani ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të BE-së në mbështetje të demokracisë në Kosovë dhe rikujtoi rëndësinë e misioneve vëzhguese të BE-së që nga viti 2013.

    Zgjedhjet nacionale në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025.

  • AAK gjobitet më 12 mijë euro për deklaratat e Ramush Haradinajt kundër Albin Kurtit

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 12 mijë euro Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pas Ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje me pretendimin se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka drejtuar akuza të pabaza dhe të pavërteta.

    Ankesa e LVV-së ishte se Haradinaj ishte drejtuar me fjalët “Duhet me hek mashtruesin” dhe “Dojmë me e rrit mbrojtjen, nuk dojmë me bo lojna me sigurinë nacionale, pas shpinës së aleatëve tanë, e në interes të Rusisë dhe Serbisë nga argati i tyre”.

    Sipas Ankesës së LVV-së, më tej, shkelja e Kryetarit të këtij subjekti vazhdon “Shko Albin te Prokurori, se nuk po dojmë me u vjedhë rezervat shtetërore, buka e ushtarit, as energjia. Shko te Prokurori, bashkë me hajnat se je Shef i hajnave.”, e duke vazhduar me shprehjet “A jeni për me e çu mashtruesin në shpi?”, “UÇK nuk ka mercenarë, ti dhe soji yt jeni mercenarë”.

    Tutje, në Ankesë parashtruesi thekson se në tubimin e njëjtë kandidati tjetër për Deputet nga radhët e AAK-së, Ardian Gini thotë “është Byro e Korrupsionit”.

    Për këtë rast, PZAP ka pranuar Ankesën e LVV-së dhe ka gjobitur AAK-në me 12 mijë euro.

    Sipas Vendimit, AAK-ja ka afat prej 15 ditësh që ta paguajë gjobën.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar Ankesën – duke thënë se Ankesa është parashtruar mbi bazën e një lajmi të publikuar në Gazetën Nacionale.

    “Tutje, në përgjigje të Ankesës theksohet se Gazeta Nacionale në artikull përkatësisht ka parafrazuar. Pra, kryetari i subjektit politik AAK, Ramush Haradinaj, në asnjë pjesë të fjalimit të tij politik të datës 12.01.2025 nuk ka përdorur shprehjet e specifikuara në Ankesë. AAK thekson se nuk kemi të bëjmë me shkeljet e pretenduara nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.” – thuhet në Vendim.

    Vendimin e plotë të PZAP-së, mund ta gjeni në këtë LINK.