Etiketë: zgjedhjet 2025

  • Kaçanik, ish-qeveritarët Kurti i quan “të pashpresë” dhe “të pabesë”

    Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur tubim elektoral në qytetin e Kaçanikut më 14.01.2025.

    Ai ndër të tjera ka përmendur edhe ish-qeveritarët e Kosovës, të cilët i ka quajtur “të pabesë”.

    “Ish-qeveritarët që populli i njeh mirë ishin mendjelehtë e zemërgurë, e ne që jemi bashkë jemi edhe mendjemprehtë, edhe zemërgjerë. Ne bashkë me mendje sjellim shpresë sepse me zemër kemi besë. Ish-qeveritarët janë edhe të pashpresë, edhe të pabesë”- është shprehur Kurti.

    Ai ka thënë se Qeveria e tij e ka rritur 44 për qind buxhetin për komunat e Kosovës, duke thënë se ka ndihmuar komunat e banorët e vendit pa diskriminim.

    Kurti tha se Kosovën e ka gjetur me 350 mijë të punësuar, ndërsa sipas tij, tash janë 80 mijë të punësuar më shumë.

    “80 mijë për katër vjet, janë mesatarisht 55 të punësuar çdo ditë. Me programin ‘Super Puna’ janë punësuar 14 mijë të rinj”- ka thënë ai.

    Ndërsa ka shtuar se Lëvizjes Vetëvendosje i nevojitet një fitore si asnjëherë tjetër, me gjysmë milion vota.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Koalicioni AAK-Nisma parasheh buxhet të veçantë për realizimin e Kontratës Kolektive

    Reformë kurrikulare në arsimin parashkollor dhe parauniversitar, pavarësi financiare të Universiteteve dhe ndërtim të Kampusit Universitar në qytetin e Gjilanit, janë disa nga premtimet që koalicioni AAK-Nisma zotohet se do t’i përmbushë – nëse arrin ta marrë pushtetin për katër vjetët e ardhshme.

    Kandidati për deputet nga radhët e këtij koalicioni, Mensur Neziri tha se do bëhet një analizë e teksteve shkollore, me qëllim që ato të përshtaten me aftësitë kuptimore të nxënësve.

    “Do të bëjmë një analizë, pasi tekstet shkollore jo çdo herë janë të përshtatshme me aftësitë kuptimore dhe me rezultatet që janë të përcaktuara me kurrikula. Si pasojë e kësaj kemi rezultate të dobëta në testin PISA.” – ka theksuar Neziri, në “Debat Përnime”, më 14.01.2025.

    Neziri foli edhe për Kontratën Kolektive, duke e cilësuar si të gabuar qasjen e Qeverisë aktuale ndaj këtij problemi.

    Sipas tij, AAK ka planifikuar buxhet të veçantë për realizimin e Kontratës Kolektive.

    Ndërsa sa i përket pavarësisë financiare, Mensur Neziri tha se do të “insistojmë që të rrisim buxhetin në fushën e shkencës dhe hulumtimit, në mënyrë që Universitetet të gjenerojnë të hyra me interes vendor dhe ndërkombëtar”.

    Kandidati i AAK-së, Mensur Neziri; Foto: Naser Fejza, KALLXO.com

    Nëse e merr drejtimin e Qeverisë, koalicioni AAK-Nisma premton nisjen e procedurave për ndërtimin e Kampusit në qytetin e Gjilanit.

    Ndërsa, Universitetet rajonale në Kosovë pavarësisht numrit të vogël të studentëve, sipas Nezirit, do të vazhdojnë të funksionojnë.

    “Këto Universitete do të profesionalizohen në fushat e tyre për nga rajoni që ato vijnë. Numri  i studentëve ka ra edhe si shkak i akreditimeve.  Jo, ato nuk mbyllen. Ato vazhdojnë punën me 10, 15 apo 30 studentë, sepse ashtu janë të akredituara.” – tha Neziri.

    Në anën tjetër, integrimi në sistemin arsimor i nxënësve serbë dhe i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, sipas AAK-së, do të bëhet në përputhje me Ligjet dhe Rregulloret që i ka Kosova.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    “Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

    Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/plani-per-arsim-i-koalicionit-aak-nisma-rritje-te-pagave-per-mesimdhenesit-dhe-digjitalizim-te-shkollave/

     

     

  • Koalicioni AAK-Nisma planifikon 15 milionë euro për digjitalizimin e shkollave

    Kandidatët për deputetë nga koalicioni AAK-Nisma, më 14.01.2025, kanë shpalosur në “Debat Përnime”, prioritetet në fushën e arsimit të parapara me Programin e tyre zgjedhor.

    Në krye të listës së prioriteteve në këtë fushë, partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka renditur rritjen e pagave për 50% për të gjithë punëtorët e arsimit.

    Këtë premtim e ka dhënë në emër të koalicionit, kandidatja për deputete, Teuta Haxhiu.

    Zotim tjetër lidhur më fushën e arsimit, siç ka thënë ajo, është edhe investimi në infrastrukturë si dhe në trajtim të barabartë të institucioneve arsimore publike dhe private.

    “Përmirësim të infrastrukturës fizike me kritere bashkëkohore për të gjitha shkollat në vend dhe gjithmonë trajtim të barabartë edhe të institucioneve publike edhe private.” – ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka premtuar nxjerrjen e një Ligji të veçantë për Pensionimin e Parakohshëm të Mësimdhënësve që Vuajnë nga Sëmundjet e Rënda – duke iu mundësuar atyre që të marrin edhe pagën e plotë.

    Në Programin e AAK-Nisma-s është paraparë edhe përfundimi i të gjitha shkollave, që aktualisht janë në ndërtim e sipër.

    Ndërsa, kandidati tjetër për deputet, Nazim Gagica tha se me 15 milionë euro do të mund të bëhet digjitalizimi i të gjitha shkollave në Kosovë.

    “Nëse janë 30 mijë dhoma mësimi në Kosovë, [duhen] deri në 15 milionë euro [investim] dhe e kryejmë njëherë e përgjithmonë digjitalizimin e shkollave.” – ka theksuar Gagica.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    “Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

    Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/plani-per-arsim-i-koalicionit-aak-nisma-rritje-te-pagave-per-mesimdhenesit-dhe-digjitalizim-te-shkollave/