Etiketë: Donald Trump

  • Rubio zgjidhet unanimisht Sekretar amerikan i Shtetit

    Senati Amerikan e ka miratuar unanimisht Marco Rubion si Sekretar të Shtetit – duke e vendosur senatorin në vijën e parë të diplomacisë së presidentit të ri, Donald Trump.

    Rubio, i cili është hispaniku i parë dhe folësi i parë i rrjedhshëm i gjuhës spanjolle që merr detyrën e Kryediplomatit amerikan, është Kandidati i parë i Kabinetit të Trump që u konfirmua nga Senati i drejtuar nga Republikanët – vetëm disa orë pas inaugurimit.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i uroi Rubios suksese pas emërimit të tij në postin e Sekretarit të Shtetit, në atë që Osmani e quajti rol të rëndësishëm.

    “Kosova mezi pret të punojë me ju për të forcuar aleancën tonë të qëndrueshme, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë së bashku.” – shkroi Osmani në X.

    Përgjatë karrierës, Rubio e ka pasur disa herë në fokus rajonin e Ballkanit. Në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh, i cili i dërgoi letër presidentit të atëhershëm amerikan, Joe Biden, për ta inkurajuar që ta mbajë Ballkanin në vëmendjen e tij.

    “Ballkani është një zonë e cenueshme e Evropës dhe megjithëse Ukraina duhet ta ketë vëmendjen tonë të menjëhershme, ne nuk mund ta humbasim nga sytë këtë rajon, ku NATO-ja, prej kohësh, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes.” – u tha në atë letër.

    Rubio u konfirmua në këtë post me 99 vota pro dhe asnjë kundër, me disa senatorë nga Partia Demokratike rivale që e përshkruan Rubion si një mik. Një vend në Senat kishte mbetur bosh pas inaugurimit të nënpresidentit, J.D. Vance.

    “Duke marrë parasysh pasigurinë në mbarë botën tani, është në interes të Amerikës të mos humbasë kohë.” – tha senatorja Jeanne Shaheen, demokratja kryesore në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit.

    “Ndërsa mund të mos biem gjithmonë dakord, unë besoj se ai ka aftësitë, njohuritë dhe kualifikimet për të qenë Sekretar i Shtetit.” – tha ajo në Sallën e Senatit.

    Shaheen dhe kryetari republikan i komitetit, Jim Risch ranë dakord ta përshpejtojnë emërimin e Rubios, i cili u miratua nga Paneli – vetëm një orë para se të kalonte në Sallën e Senatit.

    “Nuk është sekret që fuqitë armiqësore nga Kina te Rusia, nga Koreja e Veriut te Irani, kanë formuar një bosht autoritar që synon të dobësojë Shtetet e Bashkuara.” – tha Risch.

    “Na duhet një Kryediplomat parimor dhe i përqendruar te veprimi si Marco Rubio, për t’i përballuar ata”.

    Rubio do të ketë menjëherë detyrën për të zbatuar politikën e jashtme potencialisht të paparashikueshme të Trumpit, i cili në një fjalim inaugurues të hënën përsëriti kërcënimet për të marrë Kanalin e Panamasë, por gjithashtu premtoi të ishte një “paqebërës”.

    Trump sfidoi dy Sekretarët e Shtetit gjatë mandatit të tij të parë, me një politikë të jashtme që ndryshonte shpejt – duke kaluar në një rast nga kërcënimi për shkatërrimin e Koresë së Veriut në deklaratën se ai “ra në dashuri” me liderin autoritar Kim Jong Un.

    Rubio, djali i një familjeje punëtore kubane që kundërshtoi ashpër Revolucionin komunist të Fidel Castros, është i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj shteteve autoritare të Amerikës Latine dhe Kinës.

    Në seancën e tij të konfirmimit javën e kaluar, Rubio akuzoi Kinën për mashtrim në rrugën e saj drejt statusit të superfuqisë dhe e quajti gjigantin aziatik “kundërshtari më i fuqishëm dhe më i rrezikshëm që ky komb ka hasur ndonjëherë”.

    Disa nga të nominuarit e Trumpit nuk kanë pasur ende seanca konfirmimi, për shkak të historikut të tyre të diskutueshëm – përfshirë Tulsi Gabbardin për postin e shefes së inteligjencës, Robert F. Kennedy Jr. për Sekretar të Shëndetësisë dhe Shërbimeve humane dhe Kash Patel për FBI-në./REL

  • Trumpi zotohet ta shpëtojë Amerikën nga “rënia”, paralajmëron mësymje ndaj emigrantëve

    Donald Trump i trimëruar ka deklaruar me të bërë betimin se “rënia e Amerikës ka marrë fund”, duke premtuar goditje ndaj emigracionit të paligjshëm dhe duke e portretizuar veten si shpëtimtar të zgjedhur nga Zoti për të shpëtuar kombin e lëkundur amerikan, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

    “Për qytetarët amerikanë, 20 janari 2025 është Dita e Çlirimit”, ka deklaruar Trump, 78-vjeç, brenda Rotondës së Kapitolit amerikan, simboli i demokracisë amerikane që u pushtua më 6 janar 2021 nga një turmë e mbështetësve të Trumpit pas humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2020 përballë demokratit Joe Biden.

    Inaugurimi kulmoi me kthimin triumfues të një përçarësi politik, i cili u fajësua dy herë, u mbijetoi dy tentativave për vrasje, u dënua në një gjyq penal dhe u përball me akuza për përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

    Ai është presidenti i parë qe më shumë se një shekull që fiton një mandat të dytë pas humbjes së presidencës së Shtëpisë së Bardhë dhe i gjykuari i parë me fajtor që merr timonin e Shtëpisë së Bardhë.

    “Më shpëtoi Zoti për t’ia kthyer Amerikës madhështinë”

    “Unë u shpëtova nga Zoti për t’ia kthyer Amerikës madhështinë” – ka deklaruar Trumpi të hënën, duke iu referuar plumbit të atentatorit që ia gërvishti veshin në korrik 2024.

    Trumpi ka përshkruar një seri urdhrash gjithëpërfshirës ekzekutivë që ai planifikon të nënshkruajë menjëherë që të frenojë emigracionin, për të rritur prodhimin e karburanteve fosile dhe për të rikthyer rregulloret mjedisore, hapat e parë në miratimin e një agjende me ndikim të gjerë që do të riformësonte qeverinë ndërsa teston kufijtë e autoritetit presidencial.

    Ai ka theksuar se do të shpallë emergjencë kombëtare në kufirin jugor me Meksikën, do të dërgojë trupa atje dhe do të rikthejë një politikë që i detyron emigrantët azilkërkues të presin në Meksikë për seancat e tyre gjyqësore në SHBA – e gjithë kjo si një prelud i asaj që e përshkroi si një operacion të paprecedentë për të dëbuar miliona emigrantë.

    “Të gjitha hyrjet e paligjshme do të ndalen menjëherë dhe ne do të fillojmë procesin e kthimit të miliona e miliona të huajve kriminelë në vendet nga kanë ardhur” – ka deklaruar ai, ndërsa kolegët republikanë duartrokitën dhe demokratëve u ndryshoi çehrja.

    Menjëherë pas inaugurimit, autoritetet kufitare amerikane njoftuan se i dhanë fund një programi të Bidenit që lejonte qindra mijëra emigrantë të hynin legalisht në SHBA duke caktuar një seancë gjyqësore.

    Zbutja e fjalëve

    Fjalimi gjysmë ore u bëri jehonë disa temave që i rrahu në inaugurimin e tij të parë më 2017, kur foli për “kërdinë amerikane” që ai tha se kishte shkatërruar vendin.

    Ndërsa Trump u përpoq ta portretizonte veten si paqebërës dhe unifikues, fjalimi i tij shpesh ishte ashpërsisht partizan, shkruan Reuters. Ai përsëriti pretendimet e rreme nga fushata e tij se vendet e tjera po zbrazin burgjet e tyre në Amerikë dhe shprehu ankesa të njohura dhe të pabaza për hetimet penale ndaj tij.

    Me Bidenin të ulur aty pranë, duke shprehur një buzëqeshje të lehtë, Trump pati ​​akuza për politikat e paraardhësit të tij nga emigracioni deri te punët e jashtme.

    “Ne kemi një qeveri që ka dhënë fonde të pakufizuara për mbrojtjen e kufijve të huaj, por refuzon të mbrojë kufijtë amerikanë, ose më e rëndësishmja, njerëzit e saj” – ka deklaruar Trump.

    Drejtues të shumtë të teknologjisë që kanë kërkuar të fitojnë favore me administratën e ardhshme – duke përfshirë tre njerëzit më të pasur në botë, shefi ekzekutiv i Teslas dhe SpaceX, Elon Musk, ai i Amazon, Jeff Bezos dhe i Meta-s, Mark Zuckerberg – kishin vende të spikatura në skenë, pranë kandidatëve të kabinetit qeveritar dhe anëtarëve të familjes së Trumpit.

    Trump ka thënë se do të dërgonte astronautë në Mars, duke bërë që Musk – i cili ka folur prej kohësh për kolonizimin e planetit – të ngrejë grushtet me emocione në skenë.

    Donald Trump u zotua të ndryshojë emrin e Gjirit të Meksikës në Gjirin e Amerikës dhe përsëriti synimin e tij për të rimarrë kontrollin e Kanalit të Panamasë, një nga disa deklarata të politikës së jashtme që kanë shkaktuar shqetësim mes aleatëve të SHBA-së.

    Trump nuk do të vendosë menjëherë tarifa të reja ndaj Kanadasë, Kinës dhe Meksikës, siç është zotuar të bëjë, ka theksuar një zyrtar i Trumpit, shkruan Reuters. Disa nga urdhrat ekzekutivë ka të ngjarë të përballen me sfida ligjore./Reuters

    Përgatiti: Rexhep Maloku / Kallxo.com

  • Presidentja Osmani uron presidentin Trump: Kosova mbetet kombi më proamerikan në botë 

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Donald Trumpin, i cili sot, më 20.01.2025, dha betimin si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

    Presidenca e Kosovës, në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ka publikuar letrën e urimit të Osmanit për Trump, ku thuhet se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për rolin historik të SHBA-së gjatë historisë.

    “Përkushtimi i kombit tuaj për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin njerëzor e shpëtoi popullin tonë nga një regjim gjenocidal dhe na frymëzoi për të ndërtuar një Republikë sovrane elastike dhe të begatë. Sot, Kosova qëndron si një aleate dhe partnere krenare e Shteteve të Bashkuara, e udhëhequr nga një vendosmëri e përbashkët për të krijuar një të ardhme më të sigurt” – theksohet ndër të tjera në urimin e presidentes Osmani. 

    Presidentja ka shkruar se lidershipi dhe përkushtimi i Trump për të avancuar rrugën e njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë është diçka të cilën thotë se e vlerëson dhe se e mbështet me vendosmëri. 

    Osmani ka shkruar se po ashtu do të kontribuojë edhe në paqen e qëndrueshme dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në kontinentin e Europës. 

    “Ne jemi plotësisht të përkushtuar të punojmë së bashku me ju dhe administratën tuaj për të siguruar që ky qëllim të arrihet dhe për të forcuar marrëdhëniet tona të veçanta duke ecur përpara”- shkruan Osmani. 

    Tutje, Osmani në letrën e saj ka thënë se Kosova mbetet kombi më proamerikan në botë.

    “Kosova me krenari mbetet kombi më proamerikan në botë. Populli ynë e vlerëson lidhjen e palëkundur që ndajmë me Shtetet e Bashkuara dhe ka një besim të thellë në vlerat që mishëron kombi juaj i madh. Ne jemi të gatshëm ta zgjerojmë dhe forcojmë këtë partneritet për të mirën e popullit tonë dhe brezave të ardhshëm”- është shprehur Osmani. 

    Donald Trumpi është betuar si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Ai është betuar se do ta ruajë dhe mbrojë Kushtetutën amerikane.

    Është hera e parë prej viteve 1890 që një president që ka humbur një palë zgjedhje rikthehet në Shtëpinë e Bardhë si triumfues dhe bën betimin për një tjetër mandat.