Etiketë: gaza

  • Studimi: Numri i vdekjeve në Gazë, 41% më i lartë se shifrat e bëra publike

    Një studim i ri i publikuar në revistën “The Lancet” arrin në përfundimin se numri i të vdekurve nga lufta e Izraelit kundër militantëve të Hamasit në Gazë është shumë më i lartë se shifrat zyrtare – të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë e këtij territori, që kontrollohet po nga Hamasi.

    Korrespodenti i Zërit të Amerikës në Londër, Henry Ridgwell bisedoi me bashkautoren e këtij studimi.

    Një studim i ri i publikuar në revistën prestigjoze “The Lancet” thotë se numri i viktimave të luftës në Gazë është rreth 64 mijë, rreth 40% më i lartë se shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e Rripit të Gazës, që kontrollohet nga Hamasi.

    Studimi tregon se zyrtarët e Gazës e kanë ulur numrin e vdekjeve me më shumë se 40%, gjatë periudhës 7 tetor 2023 dhe 30 qershor 2024.

    “Në realitet, vdekshmëria mund të jetë më e lartë nëse përfshijmë gjithashtu ata të cilët kanë humbur jetën, pasi nuk kanë patur qasje te Kujdesi shëndetësor, vdekjet nga goditjet në zemër apo sëmundjet infektive, vdekjet e grave shtatzëna që nuk mund të kenë patur qasje te mjeku gjatë lindjes.” – thotë Zeina Jamaluddine, bashkautore e studimit në revistën “The Lancet” .

    59% e viktimave ishin gra, fëmijë dhe të moshuar, sipas Raportit të revistës “The Lancet” – shifër kjo pothuajse e njëjtë edhe me studimet e tjera.

    Studimi i fundit nuk përfshin numrin e luftëtarëve të Hamasit në mesin e të vdekurve.

    Ambasada e Izraelit në Londër i tha Zërit të Amerikës përmes një deklarate se “çdo informacion që rrjedh nga Gaza nuk mund të besohet dhe nuk mund të injorohet historia e revistës ‘The Lancet’ për njëanshmërinë kundër Izraelit”.

    Zëri i Amerikës nuk është në gjendje të verifikojë shifrat, pasi Izraeli nuk i lejon gazetarët në Gazë.

    Studiuesit ndërthurën tre burime: Ministrinë e Shëndetësisë së Gazës që drejtohet nga Hamasi, një studim në internet të vdekjeve të raportuara dhe nekrologjitë në mediat sociale – thotë bashkautorja e studimit.

    “Është e rëndësishme që brenda secilës listë të mos kemi dyfishime, kështu që nuk duam të kemi të njëjtin person të përmedur disa herë. Më pas i krahasuam listat.” – thotë Zeina Jamaluddine, bashkautore e studimit në revistën “The Lancet” .

    E njëjta teknikë është përdorur për të vlerësuar vdekjet në konflikte të tjera – thotë bashkautorja e studimit.

    “Është përdorur në Sudan dhe Jemen. Është përdorur edhe në Kosovë dhe disa nga këto prova janë përdorur në GJND [Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë” – thotë Zeina Jamaluddine, bashkautore e studimit në revistën “The Lancet”].

    Izraeli e filloi luftën kundër Hamasit në Gaza pas sulmit të grupit militant më 7 tetor të vitit 2023, i cili vrau më shumë se 1200 njerëz, kryesisht civilë.

    Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe të tjerë e kanë cilësuar Hamasin si organizatë terroriste./VOA

  • Dhoma e Përfaqësuesve voton pro sanksioneve ndaj GJNP-së për shkak të Izraelit

    Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA e ka kaluar të enjten një projektligj për vendosjen e sanksioneve ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), në shenjë proteste ndaj fletarrestimeve që ajo ka lëshuar kundër kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes, në lidhje me luftën e Izraelit në Rripin e Gazës.

    Projektligji, i cili kaloi me 243 vota për dhe 140 kundër, mundëson sanksionimin e çdo të huaji që heton, arreston, ndalon ose ndjek penalisht qytetarë amerikanë ose qytetarë të një vendi aleat, përfshirë Izraelin, të cilët nuk janë anëtarë të gjykatës.

    Dyzet e pesë demokratë iu bashkuan 198 republikanëve për ta mbështetur projektligjin. Asnjë republikan nuk votoi kundër tij.

    “Amerika po miraton këtë ligj sepse një gjykatë e rreme po kërkon të arrestojë kryeministrin e aleatit tonë të madh, Izraelit”, tha përfaqësuesi Brian Mast, kryetar republikan i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, gjatë një fjalimi në Dhomë para votimit.

    Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili është ndër të parët prej se përbërja e re e Kongresit e nisi punën javën e kaluar, theksoi mbështetjen e fortë të republikanëve, aleatët e presidentit të zgjedhur Donald Trump, për Qeverinë e Izraelit, tani që ata kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit.

    Trump pritet të bëjë betimin më 20 janar për një mandat të dytë si president.

    Kryetari i sapoemëruar i shumicës republikane në Senat, John Thune, është zotuar se Senati do ta shqyrtojë shpejt këtë projektligj, në mënyrë që Trumpi ta nënshkruajë atë si ligj menjëherë pas marrjes së detyrës.

    Gjykata Ndërkombëtare Penale është gjykatë e përhershme e cila mund të ndjekë penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krimin e agresionit në shtetet anëtare ose nga shtetasit e tyre.

    Gjykata ka deklaruar se vendimi i saj për të lëshuar fletarrestime kundër zyrtarëve izraelitë ishte në përputhje me qasjen e saj në të gjitha rastet, bazuar në një vlerësim nga prokurori që kishte prova të mjaftueshme për të bërë këtë dhe bazuar në mendimin se kërkimi i fletarrestimeve menjëherë mund t’i parandalojë krimet e vazhdueshme.

    Republikanët në Kongres e kanë denoncuar GJNP-në që kur ajo lëshoi fletarrestimet për Netanyahun dhe ish-shefin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit 15-mujor në Gazë.

    Izraeli i ka mohuar akuzat.

    Dhoma e drejtuar nga republikanët e miratoi projektligjin për të kërkuar sanksione ndaj GJNP-së në qershor, por ai nuk u shqyrtua kurrë në Senat, i cili në atë kohë ishte nën kontrollin e shumicës demokrate./REL

  • Papa e kritikon Izraelin, e quan “të turpshme” situatën në Gazë

    Papa Françesku intensifikoi kritikat e tij ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë – duke e quajtur situatën humanitare në enklavën palestineze si “shumë serioze dhe të turpshme”.

    Në adresimin vjetor para diplomatëve, që në emër të Papës e mbajti një nga këshilltarët, Françesku duket se iu referohej vdekjeve të shkaktuara nga i ftohti në Gazë – territor ku pothuajse nuk ka fare energji elektrike.

    “Ne nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë bombardimin e civilëve.” – u tha në fjalimin e Papës, që u lexua nga këshilltari i tij.

    “Ne nuk mund të pranojmë që fëmijët të ngrijnë për vdekje sepse Spitalet janë shkatërruar apo se është sulmuar Rrjeti energjetik i vendit”.

    Papa pritej që personalisht të mbante fjalimin, por i kërkoi një këshilltari të tij që ta bënte në emër të tij, pasi Ati i Shenjtë është duke u rikuperuar nga një ftohje.

    Fjalimi ishte pjesë e adresimit para emisarëve të akredituar në Vatikan nga afër 184 shtete. Ambasadori izraelit në Selinë e Shenjtë ishte i pranishëm në këtë ngjarje.

    Françesku zakonisht është i kujdesshëm që të mos mbajë anë në konflikte. Por, së fundi ai ka qenë më i zëshëm për fushatën ushtarake të Izraelit në Gazë dhe ka sugjeruar që komuniteti global duhet të hetojë, nëse ofensiva përbën gjenocid ndaj popullit palestinez.

    Në dhjetor, një ministër izraelit publikisht e kishte kundërshtuar këtë sugjerim të Atit të Shenjtë.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

    Fushata hakmarrëse ushtarake e Izraelit në Gazë ka lënë të vrarë më shumë se 46.000 palestinezë – sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor. Kjo Ministri ka thënë se mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Izraeli pretendon se ka vrarë më shumë se 17.000 militantë, por nuk ka dhënë prova për këtë pretendim.

    Izraeli ka shkatërruar pjesë të mëdha të territorit dhe lufta ka detyruar afër 90% të popullsisë, prej 2.3 milionë banorësh që të zhvendosen, shpesh disa herë./REL