Etiketë: kqz

  • Diaspora nisi të votojë për Zgjedhjet në Kosovë, para se disa parti t’i publikojnë Programet zgjedhore

    Mërgimtarët kanë nisur të votojnë përmes postës për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, para se disa prej partive politike në vend t’i bëjnë  publike Programet me të cilat synojnë t’i fitojnë këto Zgjedhje.

    Pavarësisht kësaj, një pjesë e bashkatdhetarëve do ta vënë votën në zarf, veç në bazë të zotimeve që i kanë dëgjuar nga të preferuarit e tyre, nëpër emisione televizive, nëpër tubime apo edhe në rrjete sociale. 

    Për Xhevrije Statovcin, shqiptare e Kosovës e cila jeton në Ahen të Gjermanisë qe 22 vjet, është e rëndësishme që ta shohë Programin e Partisë para se të votojë për kandidatët për deputetë, mirëpo meqë ende nuk janë publikuar Programet e plota, asaj i ka mjaftuar t’i ndjekë pjesë-pjesë premtimet e deritashme.

    Mesazhi për votim nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) Statovcit i ka arritur pikërisht më 09.01.2025 – ditën kur u hap votimi për diasporën.

    Për Kallxo.com, ajo thotë se sapo ta gjejë rastin e parë pas përfundimit të orarit të punës, bashkë me bashkëshortin e saj dhe nënën e tij do ta kryejnë procesin e votimit.

    Diaspora mund të votojë me postë deri më 08.02.2025. Pjesa tjetër e mërgimtarëve të regjistruar kanë të drejtë të votojnë nëpër Ambasada dhe Konsullata në shtetet përkatëse ose të udhëtojnë për votim në Kosovë më 09.02.2025.

    Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se janë hapur kutitë postare në 23 shtete të ndryshme, si: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicër. Gjithashtu, janë treguar adresat e kutive postare, nëpër vendet përkatëse.

    Për Statovcin, edhe pse është shtetase e Gjermanisë qe më shumë se dy dekada, kjo është vetëm hera e dytë që e ka shfrytëzuar të drejtën e votës nga vendi ku jeton. Për shkak të angazhimeve të tjera ka vendosur që të mos presë derisa të publikohet Programi për ta hedhur votën, meqenëse e ka ndarë mendjen se cila parti i përmbush qëllimet e saj.

    “Unë në Kosovë nuk jetoj qe sa vjet, por po du me fitu dikush që ia shohim hajrin krejt. Nuk është që kam pa krejt çka kanë plan me ba nëse fitojnë. Po, deri diku, sa me vendos me ia qitë votën e di.” – tha ajo në bisedë për KALLXO.com.

    Por, të dy nuk e përjashtojnë rëndësinë që ka leximi i Programeve zgjedhore para se të hedhin votën.

    Deri më tani, secila prej katër partive të mëdha politike kanë publikuar nëpër rrjete sociale pjesë të Programeve të qeverisjes apo i kanë proklamuar përmes mediave e tubimeve nëpër Komuna të ndryshme. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë dy subjektet që i kanë publikuar Programet e plota në uebfaqet e tyre. 

    Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar që Programin do ta publikojnë pas disa ditësh. E Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk u është përgjigjur as telefonatave e as mesazheve në lidhje me këtë çështje.

    Për Valon Beqiraj, shqiptar i Kosovës i cili jeton në Siegburg të Gjermanisë, votimi përmes postës do të jetë hera e parë, sikundër që Zgjedhjet e zënë për herë të parë në një shtet tjetër për shkak se ka vetëm tri vjet që jeton atje.

    Ky proces atij i duket interesant dhe më i lehtë sesa të udhëtojë në Kosovë apo të votojë në objekte të misioneve diplomatike. Ai nuk e ka lexuar Programin e Partisë që do, por nuk e sheh si problem të madh meqenëse, sipas tij, ia di misionin qe sa kohë.

    “Ma mirë me votu me postë, se ma lehtë. Edhe kohën ta kursen. E Programin s’e kam lexu, po ia njoh misionin Partisë.” – tha ai për KALLXO.com.

    Procesi i votimit jashtë vendit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës. Numri i qytetarëve, sipas të dhënave të KQZ-së, të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues. Prej shumës totale, 84 mijë e 525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.

    Të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vënë në pah se në diasporë jetojnë rreth 550 mijë kosovarë.

    Gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote këto Zgjedhje – sipas të dhënave të KQZ-së. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime vetëm në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

    Në Zgjedhjet parlamentare do të garojnë 27 subjekte politike. Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ky është procesi i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Sot fillon votimin mërgata e Kosovës

    Nga sot e deri më 8 shkurt mbi 100 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit do të mund të votojnë me postë për Zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 9 shkurt. Ndërsa më 8 shkurt, ata do të mund të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike të Kosovës në 22 vende të botës.

    Mënyra e votimit të tyre varet nga ajo se si ata kanë zgjedhur të votojnë kur janë regjistruar si votues.

    Qysh zhvillohet votimi?

    Nga 104.924 votues të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës 84.525 prej tyre kanë zgjedhur të votojnë përmes postës – sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

    Pra, 67.421 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, kurse 17.104 do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

    Mërgimtarët kosovarë kanë mundësi të votojnë fizikisht më 8 shkurt në përfaqësi diplomatike dhe konsullore, në vendet ku jetojnë.

    Vendvotimet në përfaqësi diplomatike dhe konsullore do të jenë të hapura prej orës 07:00 deri në ora 19:00 – sipas kohës lokale në vendet përkatëse.

    Të drejtë vote kanë të gjitha ata që posedojnë dokumentet identifikuese të lëshuara nga Kosova, si letërnjoftim, pasaportë ose lejen e vozitjes dhe që është regjistruar paraprakisht për votim.

    Në rast se dokumenti identifikues i lëshuar nga shteti i Kosovës është me afat të skaduar, atyre u kërkohet ta paraqesin edhe një dokument identifikues të vlefshëm të shtetit ku jetojnë – sipas KQZ-së.

    Ku do të mund të votojë mërgata e Kosovës?

    Qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike të Kosovës për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që mbahen më 9 shkurt 2025, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Mbretëri të Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Zvicër.

    A mundet një mërgimtar të votojë në Kosovë ditën e Zgjedhjeve?

    Po. Një mërgimtar mund të vijë dhe të votojë në Kosovë në ditën e Zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt. Ai mund ta bëjë këtë në vendvotimin e Komunës së tij përkatëse.

    Por, për ta bërë këtë, ai nuk duhet të jetë i regjistruar paraprakisht si votues jashtë vendit.

    Votuesit e regjistruar jashtë vendit nuk e kanë emrin në listën e votuesve në Kosovë.

    Më shumë rreth Zgjedhjeve të 9 Shkurtit

    KQZ-ja ka bërë të ditur se numri i votuesve për Zgjedhjet e 9 Shkurtit do të jetë 2 milionë e 75 mijë e 868 votues brenda dhe jashtë Kosovës.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1.280 kandidatë.

    Në fletëvotim, votuesit do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Ky është një ndryshim pas miratimit të Ligjit të ri për Zgjedhjet. Në të kaluarën qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin deri në pesë kandidatë.

    Një grua duke votuar gjatë një procesi zgjedhor në Kosovë. Fotografi nga arkivi.

    SHIKONI EDHE:

    Shorti, fushata, diaspora: Çfarë duhet të dini për Zgjedhjet e 9 Shkurtit?

    Secila parti e certifikuar mund të ketë deri në 110 kandidatë në listën zgjedhore.

    Këtu mund të lexoni se cila është renditja e partive në fletëvotime.

    Nga këto lista do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.

    Fushata zgjedhore do të nisë të shtunën, më 11 janar dhe për një muaj partitë dhe kandidatët do të tentojnë t’i bindin votuesit, që t’i zgjedhin ata.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Më 9 janar do të fillojë votimi nga jashtë vendit

    Nga nesër, më 09.01.2025, do të fillojë votimi për votuesit e regjistruar jashtë vendit për Zgjedhjet e përgjithshme 2025.

    Lajmin e bëri të ditur Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) në mbledhjen e mbajtur më 08.01.2025.

    Më 06.01.2025 janë përcaktuar numrat e partive politike, që do të jenë pjesë e garës për Zgjedhjet e rregullta parlamentare, më 9 shkurt 2025.

    Përmes shortit në Zgjedhjet e 9 Shkurtit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të ketë numrin 118, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 124, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 131, ndërsa Koalicioni AAK-NISMA-Lista Konservatore-Forumi Intelektual 137.

    KQZ e ka certifikuar më 04.01.2025 listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

    Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.

    Në total, në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të garojnë 27 parti politike.

    Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.

    Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

    https://kallxo.com/lajm/numrat-e-partive-politike-per-zgjedhjet-e-9-shkurtit/