Etiketë: moti

  • Moti të hënën në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të hënën, më 13.01.2025 se moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të herëpashershme të borës, me intensitet të dobët deri mesatar.

    Sipas njoftimit, në orët e mëngjesit priten ngrica dhe kushte për mjegull.

    “Temperaturat minimale do të luhaten ndërmjet -5°C dhe -3°C, ndërsa maksimalet nga -2°C deri në -1°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-7 m/s.” – thuhet në njoftim.

  • Rikthehen erërat, shkon në 24 numri i viktimave të zjarreve në Los Anxhelos

    Parashikuesit e motit në Kaliforni po paralajmërojnë se erërat e forta që nxitën tmerrin përreth Los Anxhelosit pritet të rikthehen këtë javë, ndërsa ekipet e zjarrfikësve në terren po luftojnë për kontrollimin e tri vatrave të zjarreve – raporton BBC.

    Zyrtarët paralajmëruan se pas fundjavës me erëra relativisht të qeta, erërat e thata famëkeqe të Santa Anas do të kthehen përsëri nga e diela deri të mërkurën – duke shkuar në shpejtësi prej 60 kilometrash në orë.

    Përpara fuqizimit të erës është bërë njëfarë përparimi në ndalimin e përhapjes së zjarreve vdekjeprurëse në Palisades dhe Eaton, që po digjen në skajet e kundërta të qytetit. Zjarrfikësit lokalë po ndihmohen nga ekipet nga tetë shtete të tjera, si dhe nga Kanadaja dhe Meksika, të cilat vazhdojnë të mbërrijnë.

    Ekzaminuesi mjekësor i qarkut LA përditësoi numrin e të vdekurve të dielën në 24 sosh, ndërsa zyrtarët kanë deklaruar më herët se të paktën 16 të tjerë mbeten të zhdukur.

    Gjashtëmbëdhjetë nga të vdekurit u gjetën në zonën e zjarrit Eaton, ndërsa tetë u gjetën në zonën Palisades.

    Tri zjarre vazhdojnë të digjen rreth Los Anxhelosit.

    Zjarri më i madh është në Palisades, që tani ka djegur më shumë se 23 mijë hektarë dhe është 13 në kontroll.

    Zjarri i Eaton është i dyti më i madh dhe ka djegur më shumë se 14 mijë hektarë.

    Zjarri i Hurst është rritur në 799 hektarë dhe është frenuar pothuajse plotësisht.

    BBC më tej raporton se zjarret e egra janë rrugës për t’u kthyer, ndër më të kushtueshmet në historinë e SHBA-së.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Veriu i Shqipërisë përfshihet nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës

    Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës kanë përfshirë gjatë ditës së sotme të gjithë zonën malore në veri të Shqipërisë, duke krijuar probleme në qarkullimin rrugor, por edhe në jetesën e mijëra banorëve.

    Autoritetet njoftuan se, për shkak të reshjeve të dendura të borës, është ndërprerë qarkullimi në disa prej akseve të rëndësishme rrugore si aksi rrugor Fushë Arrëz-Iballë, aksi rrugor “Bypass-Qafë Murrizë” në Dibër dhe aksi rrugor Kir- Shosh në Bashkinë e Shkodrës. Të bllokuara mbeten edhe një numër i madh i rrugëve rurale në Bashkitë: Shkodër, Pukë, Fushë-Arrëz, Kukës dhe Dibër.

    Gjatë paradites së sotme, më 12.01.2025, ka patur vështirësi në qarkullimin e automjeteve përgjatë Rrugës së Kombit, në segmentin nga Tuneli i Kalimashit deri në pikëkalimin kufitar të Morinës.

    10 borëpastruese, të firmave kontraktore, punojnë pa ndërprerje në këtë segment të rëndësishëm rrugor, që lidh Shqipërinë me Kosovën, në përpjekje për të shmangur bllokimin dhe lehtësuar lëvizjen e automjeteve dhe udhëtarëve. Borëpastrueset po punojnë edhe në akset e tjera rrugore, si atë Bogë-Theth dhe në Vermosh të Malësisë së Madhe.

    Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike dhe rreziqeve te mundshme, Policia ka shtuar praninë e efektivëve të Policisë rrugore dhe patrullave të përgjithshme në segmentet më problematike – me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, parandalimin e aksidenteve dhe ndihmën për përdoruesit e rrugës në nevojë.

    Temperaturat e ulëta, era e fortë dhe reshjet e dëborës kanë krijuar probleme edhe në furnizimin me energji elektrike. Thuajse të gjitha Bashkitë e zonës veriore raportuan gjatë ditës së sotme ndërprerje të energjisë. OSHEE njoftoi se grupet e saj të specialistëve ndodhen në terren për riparimin e defekteve, por vazhdimi i reshjeve të dëborës dhe stuhitë e erës e kanë vështirësuar së tepërmi punën për riparimin e shpejtë të linjave të dëmtuara të energjisë.

    Zona malore në veri të Shqipërisë përballet, thuajse çdo vit, me vështirësitë e shkaktuara nga moti gjatë periudhës së dimrit. Terreni malor, bllokimi i herëpashershëm i rrugëve që lidhin fshatrat me rrugët kombëtare, shoqëruar me nivelin e lartë të varfërisë dhe investimet e pakta, në krahasim me pjesën tjetër të vendit, vazhdojnë të nxisin largimin e banorëve, sidomos të rinjve, drejt zonave të ulëta të vendit dhe emigrimit.

    Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, përgjatë periudhës 2011-2023, Qarku i Shkodrës ka pësuar një rënie të popullsisë me 28.3%, ndërsa Qarku i Kukësit me 27.3% – duke regjistruar kështu rënien më të madhe të popullsisë përgjatë 12 vjetëve të fundit./VOA