Etiketë: Prizren

  • I lënduari nga fishekzjarret në Prizren dërgohet për trajtim në Turqi

    Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) në bashkëpunim me Ambasadën turke në Prishtinë kanë mundësuar që personi i lënduar si pasojë e shpërthimit të fishekzjarrëve në një pikë shitjesh të mjeteve piroteknike në Prizren më 31.12.2024, të dërgohet për trajtim me aeroplan special në Turqi.

    BIK-u mё 06.01.2025, njoftoi se trajtimi i tij, do të realizohet në qendrën hulumtuese spitale për djegie të thella në Stamboll.

    “Bashkësia Islame e Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën e Turqisë në Prishtinë, kanë siguruar trajtimin mjekësor dhe transportin emergjent me aeroplan special të Abdurrahman Memajt, i cili ditë më parë u lëndua rëndë nga shpërthimi i fishekzjarrëve në Prizren.

    Me këtë rast, Bashkësia Islame e Kosovës falënderon Ambasadën e Republikës së Turqisë dhe Qeverinë turke për mundësinë e trajtimit mjekësor në Qendrën Hulumtuese Spitalore për diegie të thella në Stamboll të Turqisë, duke bërë apel kështu për kujdes edhe më të shtuar”- thuhet nё njoftim.

    Mё 01.01.2025, 25-vjeçari i lënduar si pasojë e shpërthimit të fishekzjarreve në një pikë shitjesh të mjeteve piroteknike në Prizren ka qenë në gjendje kritike shëndetësore.

    Ai ishte duke u trajtuar në Klinikën Intensive të QKUK-së.

  • Vdes këmbësori që u godit me veturë në Prizren

    Një këmbësor ka humbur jetën pasi është goditur nga një veturë, në rrugën “Ekrem Rexha”, në Prizren.

    Siç njofton zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, aksidenti ka ndodhur të dielën më 05.01.2025, kur një veturë me targa sllovene derisa ishte duke lëvizur në drejtim të lagjes “Arbana” ka goditur këmbësorin, i cili ishte duke kaluar rrugën nga ana e majtë në të djathtë, jashtë vendkalimit të shënuar për këmbësorë.

    Sipas Bytyqit, këmbësori ishte goditur me pasqyrën e majtë të veturës, e cila po lëvizte në shiritin e majtë të rrugës me dy shirita në një kahje. 

    “Si pasojë këmbësori pëson lëndime të rënda trupore, dërgohet në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit, nga ku pastaj është dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm – për shkak të lëndimeve të rënda trupore.” – ka thënë Shaqiri për KALLXO.com. 

    Ndërkaq, sot më 06.01.2025, Shaqiri thotë se Policia është njoftuar se viktima S.K, rreth 60 vjeçar, ka vdekur në QKUK dhe se trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim. 

    Shaqiri njofton tutje se ngasësi i dyshuar V.S , me urdhër të Prokurorit kujdestar, është dërguar në mbajtje. 

     

  • Reduktimet e rrymës po vazhdojnë ende në disa rajone të Kosovës

    Reduktimet me energji elektrike po vazhdojnë ende në disa rajone të Kosovës. Të prekur nga reduktimet janë edhe qytetarë nga Gjilani, Vushtrria e Ferizaj.

    Sipas Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), kjo po ndodhë për shkak të konsumit të lartë të rrymës, i cili është rritur me uljen e temperaturave në Kosovë.

    KEDS thotë se rajonet të cilat janë përballur më mungesë të energjisë elektrike këto ditë janë: Ferizaj, Gjilani, Gjakova dhe Prizreni.

    “Për shkak të konsumit të lartë, i cili është rritur me uljen e temperaturave në vendin tonë, janë shkaktuar mbingarkesa në asetet e rrjetit të shpërndarjes dhe të transmisionit. Mbingarkesa të tilla në nivelin e transmisionit – KOSTT-it janë shfaqur dhe vazhdojnë të shfaqen në rajonin e Ferizajit, Gjilanit, Gjakovës dhe Prizrenit.” – ka deklaruar zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi për KALLXO.com.

    Nga KEDS-i, gjithashtu, njoftojnë se është duke u punuar nga ekipet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të garantuar stabilitetin e sistemit dhe për të shmangur dëme të mundshme në pajisjet kritike, “në vazhdimësi janë ndërmarrë dhe po merren masa për optimizimin e ngarkesës.”

    Ndërsa, reduktimet e rrymës në zona të caktuara – sipas KEDS-it – po bëhen me qëllim që të tejkalohen mbingarkesat dhe këto kërkesa po bëhen nga KOSTT-it në periudha të caktuara kohore.

    “Rrjedhimisht, bëhet fjalë për ndërprerje të energjisë elektrike për zona të afektuara, me qëllim të tejkalimit të mbingarkesave, të cilat kërkesa po bëhen me kërkesë të KOSTT-it në periudha të caktuara kohore.” – ka thënë Krasniqi.

    Gjithashtu, telashe të shumta me reduktimin e rrymës janë paraqitur në qytetin e Ferizajit dhe sipas raportimeve nga qytetarët reduktimet në këtë qytet po vazhdojnë edhe sot, më 03.01.2025.

    Lidhur me këtë, KEDS-i njofton se brenda pak ditësh do të bëhet energjizimi i Nënstacionit “Kastrioti” në Ferizaj dhe do të mundësohet furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike.

    “Ju njoftojmë se brenda pak ditësh do të bëhet energjizimi i Nënstacionit ‘Kastrioti’ në Ferizaj, me çka konsumatorët tanë në rajonin e Ferizajit do të kenë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.” – ka njoftuar Lulzim Krasniqi nga KEDS-i.

    Reagim, për reduktimet e rrymës, ka pasur edhe nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

    “Me shqetësim të madh po e përcjell situatën me ndërprerjet e shpeshta dhe të gjata të energjisë elektrike në qytetin e Vushtrrisë. Në këto ditë festash dhe në këto ditë dimri, është e papranueshme që qytetarët të mbesin pa energji elektrike deri në 8 orë. Ndërprerja e energjisë elektrike po pengon edhe funksionimin normal të bizneseve të qytetit tonë – duke iu shkaktuar dëme të mëdha.” – ka shkruar kryetari Idrizi.

    Ndërsa, lidhur me këtë nga KEDS, thonë se nuk është raportuar ndonjë ankesë.

    “Sa i përket Vushtrrisë, nuk është raportuar ndonjë ankesë për mungesë të energjisë elektrike dhe aktualisht konsumatorët tanë aty kanë furnizim me energji elektrike.” – thotë Krasniqi nga KEDS-i.

    Lidhur me këtë gjendje, para disa dite kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se rrjeti i transmetimit nuk ka kapacitet të bartë gjithë konsumin e energjisë.

    “Nuk e kemi problemin që në treg ka mungesë të energjisë elektrike, por problemi është që rrjeti i transmetimit dhe i shpërndarjes nuk ka kapacitet për ta bartur këtë konsum. KOSTT merret me KEDS dhe KESCO. Tash sa po merret suksesshëm unë nuk e di.” – u shpreh Kurti, në një emision në Kohavision.

    “Transmetimi dhe shërndarja nuk kanë kapacitet që në 5 në mëngjes, kurrë s’ka ndodh, më 25 dhjetor, konsumi të jetë 1 gigawat. Të gjitha njësitë në Kosovën A dhe Kosovën B mbërrijnë 900 mgw. Peak-u i konsumit është afër 1,5 mgw.” – shtoi më tej Kurti.

    Kurti shtoi se rrjeti është i vjetëruar, “njëri termocentral është mbi 60 vjet, tjetri mbi 40 vjet. Në treg ka energji sepse ne importojmë, mirëpo nuk kemi kapacitete për transmetim që do të furnizonin më rrjetin ekzistues.” – tha ai.

    Derisa po vazhdojnë reduktimet ne disa Komuna të Kosovës, KEDS iu bën thirrje konsumatorëve që të kursejnë energjinë elektrike sa më shumë që munden – në mënyrë që të mos rrezikohen asetet elektroenergjetike, nga mbingarkesa të tilla.