Etiketë: ShBA

  • Richard Grenell reagon ndaj deklaratave të Glauk Konjufcës rreth qasjes së presidentëve Biden dhe Obama ndaj Kosovës

    I dërguari për misione speciale i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me qasjen ndaj Kosovës të Administratës së ish-presidentit Joe Biden dhe ish-presidentit Barack Obama.

    Një një intervistë në RTK, Konjufca ka thënë se qasja e ish-presidentëve amerikanë e ka vënë Kosovën në një pozicion të disfavorshëm karshi Serbisë.

    Sipas tij, këto veprime të dy ish-presidentëve amerikanë, kanë qenë shtysë edhe e themelimit të Gjykatës Speciale.

    “Dhe neve, me thënë të drejtën, gjatë kësaj kohe na kanë ndodhur disa çështje të cilat i ka shty Serbia, të cilat shumë e kanë dëmtu reputacionin dhe shtetësinë e Kosovës, për shembull Gjykata Speciale. Unë nuk mendoj që Gjykata Speciale do të ishte bërë nëse veç Bashkimi Europian kishte qenë në anën e Gjykatës Speciale. Këtë po e garantoj, nuk do të ishte bërë. Ishim bërë ne bashkë këtu, me PDK-në, me LDK-në, me Vetëvendosjen e me krejt edhe nuk do të kishte ndodhur”- ka deklaruar Konjufca.

    E ndaj kësaj deklarate të kryekuvendarit të Kosovës ka reaguar i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për misione të veçanta, Richard Grenell.

    Në një postim në rrjetin social “X”, Grenell ka shkruar se ata kanë qeverisur katër vite dhe deri më tani nuk janë ankuar për një gjë të tillë ndaj Administratës së Biden dhe asaj Obama.

    “Ata kaluan 4 vitet e fundit duke komplimentuar Joe Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”- ka shkruar Grenell sot, më 22.01.2025.

     

  • Presidenca: Kasanof tha se asnjë nga veprimet e presidentit Trump tani për tani nuk afektojnë negativisht Kosovën

    Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Alexander Kasanof, ka konfirmuar se asnjë nga veprimet e presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, nuk e afektojnë negativisht Kosovën. 

    Kështu kanë deklaruar për KALLXO.com nga Presidenca e Kosovës. 

    Këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, ka thënë se në takimin që shefja e stafit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka pasur me Kasanof në Uashington ka marrë një konfirmim të tillë nga vetë ai.

    “Shefja e stafit të Presidentes Osmani, Learta Hollaj është takuar dje në Washington D.C. me Alexander Kasanof, zëvendësndihmës sekretar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor nga i cili ka marrë konfirmimin se  asnjë nga vendimet e deritashme të Presidentit Trump, tani për tani, nuk e afektojnë negativisht Kosovën”- ka thënë Kupina për KALLXO.com të mërkurën më 22.01.2025. 

    Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump, pasi mori mandatin, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezulloi përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Dje, më 21.01.2025, shefja e stafit të presidentes, Learta Hollaj dhe këshilltarja për politikë të jashtme, Rejhan Vuniqi, janë takuar me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Alexander Kasanof. 

    Presidenca njofton se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet bilaterale, veçanërisht për dialogun strategjik Kosovë-SHBA, fushat që do të mbulohen nga ky dialog strategjik si dhe pritshmëritë nga ky proces.

    “Gjithashtu, duke qenë dita e parë e punës e administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Trump, Presidenca konfirmoi përkushtimin e saj të plotë për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të sigurisë si dhe fuqizimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e datës 22.01.2025. 

    Tutje, nga Presidenca kanë njoftuar  se Kasanof, gjatë takimit, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, derisa nga Presidenca thuhet se është ritheksuar nevoja që dialogu të përqëndrohet në njohje reciproke. 

    https://kallxo.com/lajm/delegacioni-i-presidences-se-kosoves-u-takua-me-zevendes-ndihmes-sekretarin-e-shtetit-alexander-kasanof/

     

  • Haradinaj nga SHBA: Besoj se me Administratën Trump, Kosova do ta zë hapin e anëtarësimit në NATO

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidati për Kryeministër nga kjo parti, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Përmes një videomesazhi, Haradinaj ka thënë se beson që me Administratën Trump, Kosova do ta zë hapin e anëtarësimit në NATO.

    “Këtu u dha betimi i Presidentit të Amerikës dhe u shpallën objektivat për katër vjet. Besoj që Kosova ka me zënë hapin me këtë Administratë, në qëllimin e vet që të ndodhë anëtarësimi në NATO – direkt dhe shpejt.” – është shprehur Haradinaj.

    Gjatë qëndrimit në SHBA, Haradinaj ka zhvilluar takim me Alexander Kasanof, zëvendësndihmës sekretar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

    Ai ka thënë se rikthimi i partneritetit strategjik Kosovë-SHBA dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO ishin në fokus të diskutimit të tyre.

    “E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës. Ndava vizionin tonë për një Kosovë të integruar plotësisht, në strukturat euroatlantike dhe ritheksova përkushtimin tonë të palëkundur për të përmbushur të gjitha obligimet, që rrjedhin nga partneriteti ynë me SHBA-në.” – ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj, ka prezantuar 10 top-prioritetet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30.

    Sipas Haradinajt, prioriteti i parë në listë është Kosova direkt në NATO dhe, siç thuhet, miqësi e përhershme me SHBA-në dhe BE-në.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.