Etiketë: vjosa osmani

  • Osmani takohet me ekipin vëzhgues të zgjedhjeve të BE-së, kërkon fokus në përfaqësimin e grave në këtë proces

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 16.01.2025 priti në takim ekipin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Europian, të kryesuar nga Nathalie Loiseau, njëherësh deputete e Parlamentit Europian.

    Ky takim thuhet se u zhvillua në kuadër të “angazhimeve të përbashkëta për të siguruar një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe demokratik në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.”

    Sipas njoftimit, në takim diskutuan rëndësinë e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe transparent, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka dëshmuar përkushtimin e saj në organizimin e zgjedhjeve demokratike.

    Në takim, Osmani ka ritheksuar kërkesën e bërë edhe në letrën dërguar të Josep Borrell, në mënyrë që ky mision të përfshijë gjithashtu një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor.

    “Ajo theksoi rëndësinë e përfaqësimit të grave në listat zgjedhore, buxhetimin gjinor, praninë e tyre në media, si dhe trajtimin e çështjeve të dhunës me bazë gjinore gjatë fushatës, përfshirë dhunën në internet. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, gjithashtu ritheksoi kërkesën që ky mision, të fokusohet edhe në respektimin  e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, posaçërisht sa i përket qasjes së tyre në vendvotime”- thuhet në njoftim.

    Ndërsa tutje është bërë e ditur që Osmani vlerësoi se barazia gjinore është një nga parimet themelore të demokracisë dhe duhet të reflektohet në të gjitha aspektet e procesit zgjedhor.

    Tutje thuhet se Osmani bazuar në raportet e mbarëvajtjes së zgjedhjeve të kaluara, përfshirë raportet e misioneve vëzhguese të BE-së, të cilat kanë konstatuar se në komunat veriore të Republikës së Kosovës ka pasur ndërhyrje të paligjshme, frikësim dhe pengim të realizimit të së drejtës për votim të lirë, shtroi nevojën që vëzhguesit e këtij Misioni të BE-së, të sigurohen se e monitorojnë se a po realizohet e drejta e votës së lirë në plotëni, konform  standardeve më të larta demokratike në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    Osmani përmes një letre të dërguar më 03.09.2023, për përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar dërgimin e një Misioni të Vëzhgimit të Zgjedhjeve.

    Sipas njoftimit, në këtë kontekst, Osmani ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të BE-së në mbështetje të demokracisë në Kosovë dhe rikujtoi rëndësinë e misioneve vëzhguese të BE-së që nga viti 2013.

    Zgjedhjet nacionale në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025.

  • Përkujtohet Masakra e Reçakut, kërkohet që drejtësia të vihet në vend

    Në fshatin Reçak të Shtimes u përkujtua masakra e kryer nga forcat serbe më 15.01.1999.

    Në 26-vjetorin e kësaj masakre u bënë homazhe te memoriali në Reçak dhe u mbajt akademi përkujtimore.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në akademinë përkujtimore tha se kjo masakër është përkujtim i forcës dhe qëndrueshmërisë së popullit të Kosovës.

    “Na kujton forcën dhe qëndrueshmërinë e popullit tonë, për t’u ringritur dhe për të triumfuar” – deklaroi presidentja Osmani.

    Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, i cili mori pjesë në homazhe dhe në akademi përkujtimore, tha se për masakrën mori vesh në mëngjesin e 16.01.1999.

    “Ishte e qartë që ajo që kisha parë atë mëngjes, që 45 civilë të pafajshëm ishin qëlluar me armë dhe i kishin larguar nga fshati, burra dhe djem nën përcjelljen e Policisë së Serbisë dhe Ushtrisë së Serbisë dhe u kthyen ditën tjetër të masakruar. Kam një ndjenjë që herën e ardhshme që do të më shihni në Reçak mund të jem në arkivol dhe do isha krenar të varrosem këtu në fshatin Reçak” – deklaroi Walker.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dhimbja vazhdon të jetë prezente dhe se ata që kryen vrasjet nuk janë dënuar.

    “Varret në tokë, plagët në trup e shpirt, vrasësit në liri në Serbi. Varret e hapura në tokë, plagët e hapura në shpirt, arkivat e mbyllura në Beograd” – deklaroi mes tjerash kryeministri Kurti.

    Në homazhet në Reçak morën pjesë edhe udhëheqës të partive politike.

    “Asnjë prej nesh nuk duhet të ndihemi rehat derisa të ketë drejtësi për secilën jetë të dhënë për lirinë e Kosovës” – deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    “Ky akt i rëndë çnjerëzor, është akt kundër njerëzimit” – ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Në homazhe morën pjesë edhe udhëheqës të AAK-së, Nismës Socialdemkrate e të Koalicionit për Familjen.

    “Është absurde kjo gjendje pra, mos me pasë drejtësi, procese gjyqësore, mos me u nxjerrë para gjyqit ata që i kanë kryer këto krime” – deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, tha se kjo ditë vulosi fatin e Kosovës.

    “Është një ditë që vulosi fatin e popullit tonë” – deklaroi Aliu.

    Më 15.01.1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë dhe i masakruan 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak.

    Ish-ambasadori, William Walker, e kishte parë nga afër krimin e kryer mbi civilët shqiptarë dhe ka pasur rol kyç për dokumentimin e Masakrës së Reçakut.

    Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

    Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

    Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

    Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

    Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

    Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

    Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

    Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

    Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.

  • Osmani priti në takim kryetarin e Bujanocit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë javës ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin, së bashku me ekipin e tij.

    Sipas njoftimit të Presidencës të publikuar më 12.01.2024, Osmani rikonfirmoi “përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për t’i mbështetur vazhdimisht shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në realizimin e të drejtave të tyre në përputhje me standardet më të larta për të drejta të njeriut”.

    “Presidentja dhe Kryetari Pajaziti diskutuan edhe për lehtësimin e procedurave të shtetësisë për qytetarët nga këto komuna, duke theksuar rëndësinë e adresimit të sfidave me të cilat përballen ata” – ka njoftuar Presidenca.

    Më tej thuhet se kryetari i Bujanocit falënderoi presidenten “për ngritjen e zërit për të drejtat e shqiptarëve në Luginë në të gjitha forumet ndërkombëtare, ndërkaq diskutuan edhe për një sërë iniciativash nëpërmjet të cilave mund të përkrahen shqiptarët në Presheve, Medvegjë e Bujanoc”.