Etiketë: zgjedhjet 2025

  • Tahiri i AAK-së i quan të turpshme deklaratat e Kurtit për Blerim Isufaj

    Emri i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është një nga emrat më të lakuar në fushën e drejtësisë në vitet e fundit. Krejt kjo për shkak të kritikave që i janë bërë veçmas nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri thotë se me këtë instancë të lartë e shtetit duhet të merret vetëm Këshilli Prokurorial i Kosovës. 

    Sipas tij, “nuk është detyrë as e Albin Kurtit, as e Vjosa Osmanit, as e Glauk Konjufcës, as e Ramush Haradinaj e as dikujt tjetër” për me treguar se cili është personi që e emëron Kryeprokurorin.

    Kështu u shpreh Tahiri në debatin zgjedhor “DebatPërnime” përballë Jeta Xharrës, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës, aty ku kandidatët për deputetë të kësaj partie patën mundësinë që të shpalosin programin e tyre zgjedhor dhe në të njëjtën kohë të ballafaqohen me pyetje.

    Duke shpalosur zotimet e tij nëse arrinë që së bashku me partinë e tij të fitojnë zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025, Tahiri tha se është e pakuptimtë që Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të sulmohet në vazhdimësi prej kryeministrit dhe ministres të Drejtësisë në foltore të Kuvendit, “aty ku fjala e tyre është e mbrojtur ligjërisht”.

    “Ajo që është folë për sistemin e drejtësisë dhe kryeprokurorin Isufaj është e turpshme për një demokraci funksionale dhe për një shtet që kërkon llogari. Unë nuk e njoh Blerim Isufajn. Nuk e di kush është. A është i mirë a i keq, është sistemi që e përcakton. Por, deri më tani çka është parë, është që është shumë i guximshëm për të adresuar çështje”- tha Tahiri.

    Ndërsa, kandidati për deputet, Arton Demhasaj, tha se sa më shumë që flasin për sistemin e drejtësisë, aq më shumë ky sistem do të jetë i ndikuar politikisht. Kështu që, sipas tij, rruga e tyre është që të flasin sa më pak për këto çështje.

    “Ka ndodhë që me shkelje kushtetuese Presidentja e ka kthyer mbrapa një vendim të Këshillit Prokurorial për ta emëruar Kryeprokuror Blerim Isufajn. Mendoj që është shkelje, dhe këto shkelje nën qeverisjen tonë nuk do të ndodhin”- shtoi ai.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se kryeprokurori Blerim Isufaj, e di se kush nga prokurorët në të kaluarën ka shkuar në zyret e ish-kryeministrave.

    Deklarata e ministres Haxhiu pasoi pas debatit rreth ftesës së Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurti, për t’u intervistuar si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore dhe këmbënguljes së tij për të mos u paraqitur për intervistim në zyret e Prokurorisë.

    “Blerim Isufaj e di shumë mirë  kush nga prokurorët kanë shkuar në zyret e ish-kryeministrave, por nuk flet për këtë gjë. Prandaj, ju lutem si gazetarë që të insistoni që përgjigjet e tilla t’i merrni nga kryeprokurori Isufaj” – tha Haxhiu para gazetarëve më 10.01.2025.

    Së fundmi, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se nuk i është përgjigjur thirrjes së Prokurorisë Speciale për intervisim si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore, pasi sipas tij, qëllimi është që ai të bëhet lajm ndërkombëtar duke hyrë në objektin e Prokurorisë. Për këtë kryeministri e akuzoi kryeprokurorin Isufaj, të cilin e quajti “regjisor” të asaj “pamjeje të mundshme”.

    Kurse, kryeprokurori Isufaj, duke mos dashur të japë përgjigje të drejtpërdrejtë rreth këtij pretendimi të kryeministrit Kurti, në një konferencë për media me 30.12.2024, tha se “të gjithë janë të barabarë para ligjit” dhe se “nuk i interesojnë deklarimet e tilla”.

    “Pikërisht ky prokurori (Blerim) Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje kur unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që kryeministri hyn në Prokurori të intervistohet për një rast të korrupsionit. Aty nuk thuhet që si dëshmitar. Ky është qëllimi” – tha Kurti në një emision në Kohavision më 29.12.2024.

    Për më shumë klikoni në link:

    https://kallxo.com/gjate/zotimet-e-aak-se-ne-debat-pernime-per-ckapje-te-sistemit-te-drejtesise/

  • Qasja e AAK-së për Vetting-un

    Në emisionin “Debat Përnime”, gjatë të cilit është shpalosur një pjesë e programit zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pjesë e diskutimit ishte edhe procesi i Vetting-ut.

    Lidhur me këtë çështje, kandidati pë deputet, Besnik Tahiri ka shprehur qëndrimin e AAK-së, përkitazi me atë se çfarë do të bëjnë me këtë proces nëse vinë në pushtet në katër vitet e ardhshme.

    Tahiri tha së AAK-ja ka qenë më e zëshmja në trajtimin e këtij procesi, mirëpo sipas tij, në këtë proces nuk duhet te këtë ndasi në baza partiake, apo në baza të tjera.

    “Jo që ne nuk jemi për Vettingun. Ne kemi qenë më të zëshmit në trajtimin e Vetting-ut, por jo që Vetting-u të bëhet në zyrat e partive politike, me këqyrë kush është i majtë e kush i djathtë, kush i bardhë e kush i zi. Sistemi i Vetting-ut buron prej raportit të Komisionit të Venecias, i cili nuk ka hyrë në ligjin në Kuvendin e Kosovës”- ka thënë Tahiri.

    Procesi i Vetting-ut, sipas tij, nuk duhet të keqpërdoret si mekanizëm dhe duhet të formohet mbi bazën e rekomandimit të Këshillit të Venecias, me qëllim që mos të jetë i ndikuar politikisht.

    “Nuk do ta përdorim Veting-un si mekanziëm për të persekutuar njerëz … Një pjesë e Vetting-ut ka ndodhë gjatë përzgjedhjes e tani ne duhet me pa, me modelu procesin me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe me synimet tona, që ajo mos me qenë e ndikuar politikisht” – ka deklaruar Tahiri.

    Përfshirja e politikës në emërimin e pozitave të rëndësishme në Këshillin Prokurorial, siç ka thënë ai, pamundëson një proces të tillë. Sipas tij, nuk ka logjikë që partitë politike me kriju një proces siç është Vettingu.

    “Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka tri pozita që i emëron Qeveria: drejtorin e Agjencisë Kundër-Korrupsion që është politik, na e votojmë;  2. Ombudspersonin; dhe 3, e ke një person prej një institucioni. Kush me ba Vetting partitë politike a? Nuk ka logjikë ajo”- thotë Tahiri.

    Ndërsa, kandidati Arton Demhasaj, po nga radhët e AAK-së ka dhënë një qasje pak më ndryshe nga bashkëpartiaku i tij për çështjen e Vetting-ut. Sipas tij forcimi i mekanizmave të sistemit të drejtësisë përbrenda mund ta bëjë të panevojshme Vetting-un.

     “Nuk jemi apriori kundër Vetting-ut, por nuk e shohim të nevojshëm që të merremi tash me këtë pjesë, për shkak se nëse i forcojmë mekanizmat e brendshëm, ndoshta kjo është  e mjaftueshme dhe ndoshta bëhet i panevojshëm Vettingu” – tha Demhasaj.

    Për më shumë kilikoni në link:

    https://kallxo.com/gjate/zotimet-e-aak-se-ne-debat-pernime-per-ckapje-te-sistemit-te-drejtesise/

  • Refuzimi i VV-së për të marrë pjesë në “Debat Përnime”, Tahiri i AAK-së: Nuk vinë se s’kanë çfarë thonë

    Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur që gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë.

    Mospjesmarrjen në emisione politike të shfaqura në mediume të caktuara, kjo parti e ka arsyetuar gjoja se ato media u takojnë oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime”, prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim me partia në pushtet, partitë tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetareve të Kallxo-it: Jeta Xharra, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebreza.

    “Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin”, ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të debatit të parë zgjedhor në kuadër të “Debat Përnime”, ku të ftuar ishin kandidatët për deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK); Besnik Tahiri, Arton Demhasaj, Emine Daci-Zejnullahu dhe Emrije Bashota.

    Për ikjen e Vetëvendosjes në ballafaqimet televizive, Tahiri ka thënë se kjo nuk ka të bëjë as me oligarkët, as me KALLXO.com-in, dhe as me Jeta në Kosovë, por me atë se se “ata [të LVV-së] nuk kanë çka të thonë për as një çështje të vetme”.

    “Mungesa e Qeverisë në debate nuk ka të bëjë as me oligarkët, as me KALLXO.com-in, dhe as me Jeta në Kosovë, por ka të bëjë shkurt e shqip me faktin që nuk dojnë ballafaqim, se nuk kanë çka thojnë për asnjë temë të vetme e le më për drejtësinë që është Qeveria që ka më së shumti shkelje kushtetuese të ligjeve, dhe Qeveria që më së shumti i janë kthyer komente nga Komisioni i Venecias” – ka thënë Tahiri.

    Pas kësaj, debati ka vazhduar me diskutime për prioritetet e AAK-së në fushën e drejtësisë dhe temave tjera që kjo parti i sheh me interes për qytetarët e Kosovës.

    Për më shumë lajmi në vazhdim:

    https://kallxo.com/gjate/zotimet-e-aak-se-ne-debat-pernime-per-ckapje-te-sistemit-te-drejtesise/