Etiketë: ferizaj

  • Mbi 1 mijë gjoba të shqiptuara e 29 aksidente në rajonin e Ferizajt në një javë

    Policia Rajonale e Ferizajit ka shqiptuar mbi 1 mijë gjoba javën e kaluar, si pjesë e aktiviteteve për parandalim të aksidenteve në komunikacion.

    Derisa, janë raportuar 29 aksidente, prej tyre 11 me persona të lënduar dhe 18 me dëme materiale.

    “Në kuadër të këtyre aktiviteteve Policia rajonale e Ferizajt gjatë javës që kaloi, nga data 13-19/01/2025 ka shqiptuar 1,009 gjoba kundërvajtëse dhe ka hequr 6 patentë shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacionin rrugor.” – thuhet në një komunikatë për media të Policisë.

    Policia Rajonale e Ferizajit thekson se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, si dhe u bëri thirrje shoferëve që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor.

    “Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më Policinë.” – thekson më tej Policia.

     

  • Murati në Ferizaj: Qeveria Kurti e ka thyer rekordin e investimeve kapitale me 654 milionë euro në vitin 2024

    Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e 09.02.2025 me një tubim elektoral në Ferizaj më 19.01.2025.

    Kandidati për deputet, Hekuran Murati, ka thënë se me Qeverinë Kurti për herë të parë në historinë e vendit ka pasur mbështetje për bizneset prodhuese duke ua subvencionuar kreditë investuese deri në 20 për qind.

    Ndërsa, ka thënë se Qeveria Kurti e ka thyer rekordin e investimeve kapitale me 654 milionë euro në vitin 2024.

    “Për herë të parë në historinë e vendit ka patur mbështetje për bizneset prodhuese, duke ua subvencionuar kreditë investuese deri në 20 për qind, ku vetëm në Ferizaj janë 71 biznese që janë mbështetë me 2.7 milionë euro për të investuar në kapacitete prodhuese… Ka qenë Qeveria Kurti ajo që e ka thy rekordin e investimeve kapitale me 654 milionë euro në vitin 2024, po për më tepër edhe e ka ulur borxhin e faturave të papaguara ndaj bizneseve nga 140 milionë në vetëm 30 milionë euro, pra kështu mbështeten bizneset”- ka thënë ai.

    Ndërsa, kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, ka folur për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

    Sipas Kurtit, qytetari i thjeshtë i vendit pret me vite e vite për një lëndë që mrizon nëpër sirtarët e gjykatave dhe nuk i vjen asnjëherë rendi për adresim e trajtim.

    “Ndërkaq krimineli i cili arrestohet në veri të Kosovës, lirohet brenda pak ditëve nëse nuk ia kanë heqë urdhërarrestin paraprakisht sepse për këtë punë po gjejnë kollaj e shpejtë shumë kohë. Prandaj kjo gjë të dashur ferizajli nuk durohet më dhe duhet të marrë fund. Për të marrë fund padrejtësia, për të ardhë drejtësia e re, garancia jeni ju, mundësia jemi ne, shansi është 9 shkurti e numri është 118”- është shprehur Kurti.

    Fjalën e radhës e pati kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu, e cila tha se “Reforma në drejtësi dhe ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është bërë kërcënim për opozitën”.

    Lëvizja Vetëvendosje më 19.01.2025 ka mbajtur tubim edhe në Shtime.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Policia me detaje për zjarrin në ndërtesën e banimit në Ferizaj

    Policia ka pranuar një informacion për një zjarr që kishte nisur në një ndërtesë banimi në rrugën “12 qershori” në Ferizaj.

    Ngjarja u regjistrua në orët e para të datës 18.01.2025. Pas pranimit të informacionit për zjarrin, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilën kanë bërë evakuimin e të gjithë banorëve.

    Ndërsa tutje, njësitet e zjarrfikësve kanë intervenuar duke lokalizuar zjarrin që kishte kapluar pjesën e pullazit dhe katin e fundit të ndërtesës.

    Në këtë rast, përveç dëmeve materiale, policia ka njoftuar se nuk ka pasur ndonjë person të lënduar.

    Rasti tashmë është iniciuar si incident zjarri ndërsa po hetohet për tu zbardhur rrethanat që quan deri te ky zjarr.