Etiketë: arrestim

  • I dërgoi mesazh kërcënues gruas me të cilën është në proces gjyqësor, arrestohet

    Policia ka arrestuar një burrë në Klinë, pasi dyshohet se i kishte dërguar mesazh me përmbajtje kërcënuese një gruaje, me të cilën është në procedurë gjyqësore.

    Sipas Policisë, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti po trajtohet si ‘frikësim gjatë procedurës penale’ – njoftoi Policia në Raportin 24-orësh, më 16.01.2025.

     

  • Aeroporti i Prishtinës -Dy persona tentojnë të udhëtojnë për në Vjenë me lejeqëndrim që dyshohet të jetë i falsifikuar

    Një burrë dhe një grua dyshohen se tentuan të udhëtojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” për në Vjenë, me lejeqëndrim të një shteti tjetër, që dyshohet të jetë i falsifikuar.

    Policia e Kosovës bën të ditur se burri është dërguar në mbajtje, derisa gruaja së bashku më një fëmijë është dërguar në Qendrën për Punë Sociale.

    Rasti ka ndodhur më 15.01.2025.

    “Raportohet se të dyshuarit: një mashkull dhe një femër me shtetësi të huaj kanë tentuar që të fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës për në Vjenë – duke prezentuar lejeqëndrim të një shteti tjetër, që dyshohet të jetë i falsifikuar. Me vendim të Prokurorit, i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara femër së bashku me fëmijë në Qendrën për Punë Sociale.” – thuhet në Raportin policor.

    Rasti po trajtohet si “falsifikim i dokumentit”.

  • Molliqaj: Nol Nushi është arrestuar në kufirin Kosovë – Maqedoni e Veriut

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se sekretari i përgjithshëm kësaj partie, Nol Nushi, është arrestuar në kufirin Kosovë – Maqedoni e Veriut, sot, më 15.01.2025. 

    Përmes një shkrimi në Facebook, Molliqaj nuk ka sqaruar nëse Nushi është arresuar nga Policia e Kosovës apo nga ajo e Maqedonisë së Veriut. 

    Sipas tij, pengimi dhe më pas arrestimi i Nushit është bërë me qëllim “për t’i lodhur aktivistët”.

    “Noli çdo ditë është në Prishtinë, banesë e zyrë. Si u bë që gjetën kufirin për ta penguar e arrestuar? Nga kush ky urdhër? Ky stil arrestimi ka veç një shpjegim: lodhja e aktivistëve. Kjo metodë përherë këtë funksion ka pasur. Nuk bëhet fjalë për këmbënguljen e drejtësisë”- ka shkruar Molliqaj. 

    Tutje, kryetari i PSD-së ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Nushit, duke thënë se këto veprime janë arbitrare. 

    “Në ndërkohë që Noli është ndaluar për një rast të vitit 2016, sa ishte aktivist në VV, nuk kemi dëgjuar raste të aktivistëve që janë në VV të jenë ndaluar a penguar. Kërkojmë lirim të menjëhershëm, si dhe hetim të këtyre veprimeve arbitrare”- ka thënë Molliqaj. 

    KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të konfirmuar arrestimin e Nushit dhe është në pritje të një përgjigjeje zyrtare.