Etiketë: Zgjedhjet

  • Zgjedhjet gjermane të 2025-tës: Kush prin në sondazhe?

    Mbështetja për SPD-në e kancelarit Olaf Scholz, të Gjelbrit dhe FDP-në ka rënë, derisa partitë opozitare, si CDU dhe AfD, kanë shfrytëzuar momentumin – ka raportuar të hënën, më 06.01.2025, Euronews.

    Skena politike e Gjermanisë po dëshmon një kthesë derisa po zbehet përkrahja për koalicionin “semafori” – duke u theksuar edhe më shumë pas prishjes së aleancës ndërmjet Socialdemokratëve të Scholzit, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë (FDP) pro-biznes.

    Njëherësh Unioni Kristiandemokrat (CDU) i së djathtës së qendrës dhe partia bavareze simotër, Unioni Kristiansocial (CSU) kanë vazhduar të kryesojnë në sondazhe, derisa e djathta ekstreme populiste, Alternativa për Gjermaninë (AfD) mbetet partia e dytë më e madhe opozitare.

    SPD-ja e kancelarit Scholzit ka ngelur prapa partisë së madhe opozitare, të prirë prej Friedrich Merzit, kur vjen puna te mbështetja popullore para Zgjedhjeve.

    Zëvendëskancelari Robert Habeck, nga radhët e të Gjelbërve, ka hyrë në garën për Kancelarinë, por partia e tij ka vazhduar të shënojë rënie të përkrahjes pas rënies së koalicionit trepartiak.

    AfD-ja e së djathtës ekstreme, që vazhdimisht ka shënuar ngritje, ka nominuar Alice Weidelin si kandidate për kancelare.

    Megjithatë partia mbetet politikisht e izoluar, derisa partitë tradicionale vazhdojnë të refuzojnë çfarëdo koalicioni me të.

    Prej të majtës, BSË-ja e porsaformuar, e prirë prej Sahra Wagenknechtit, ka materializuar pakënaqësinë populiste – duke diversifikuar edhe më tej mundësitë politike të Gjermanisë.

    Dhe, derisa po afrohen Zgjedhjet e reja, anketimet sugjerojnë një spektër të fragmentuar, pa asnjë parti afër një fitoreje absolute.

    Me gjasë rezultati do të shpije drejt negociatave për formimin e një koalicioni – shenjë e politikës gjermane.

    Sondazhet tregojnë se VDU/CSU janë në pozitë më të mirë për formimin e një koalicioni shumice, por që do t’u duhet edhe mbështetja nga të Gjelbrit ose SPD-ja. Përderisa, koalicioni aktual trepartiak nuk pritet të përtërihet me anketimet që e nxjerrin FDP-në poshtë pragut prej 5% për përfaqësim në Bundestag.

    Sistemi zgjedhor proporcional i Gjermanisë ofron një spektër të besueshëm për formim të mundshëm të Qeverisë pas Zgjedhjeve.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • KQZ: Mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote në zgjedhjet e 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka certifikuar të shtunën (04.01.2025) listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës, dhe ka bërë të ditur se 2 milionë 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

    Përgjatë mbledhjes së KQZ-së është marrë vendim është për rritjen e numrit maksimal të votuesve në një vendvotim: 999 votues në vendvotimet në zonat rurale, dhe 950 në zonat urbane.

    Ky vendim është marrë për organizim më të lehtë të procesit zgjedhor.

    Në takim është bërë e ditur se në Tiranë të Shqipërisë dhe në Podgoricë të Malit të Zi nuk do të organizohet votim nëpër përfaqësi diplomatike, pasi janë regjistruar më pak se 50 votues.

    Megjithatë, personat me të drejtë vote që janë regjistruar për të votuar në këto përfaqësi, do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre përmes postës.

    Këtë herë, KQZ-ja u ka mundësuar shtetasve të Kosovës, që jetojnë jashtë vendit, të votojnë edhe nëpër ambasada dhe konsullata të Kosovës në 22 vende të botës.

    Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 ambasada dhe 15 konsullata në 19 shtete të ndryshme të botës.

    Në total, në zgjedhjet e 09.02.2025 do të garojnë 27 parti politike.

    Prej tyre, 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.

    Zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025 përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

    Deri më tani janë mbajtur një mori zgjedhjesh të parakohshme./REL

  • Zelenskyy: Zgjedhjet në Ukrainë mund të mbahen këtë vit, nëse hiqet gjendja e luftës

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka thënë se Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale mund të mbahen këtë vit, nëse bisedimet i japin fund “fazës së nxehtë” të luftës me Rusinë – duke e mundësuar heqjen e gjendjes së luftës.

    Duke folur në një intervistë të transmetuar në televizionin ukrainas, më 2 janar, Zelenskyy tha se mbajtja e Zgjedhjeve të shtyra për kohë të gjatë do të varet nga pozita në të cilën do ta gjejë veten Ukraina, pas ndonjë marrëveshjeje për përfundimin e luftës për zmbrapsjen e trupave pushtuese ruse.

    “Sa i përket vitit 2025, nëse ia dalim t’i japim fund fazës së nxehtë të luftës për Ukrainën; nëse e arrijmë këtë së bashku me një ushtri të fuqishme, me një paketë të madhe armatimi dhe me garanci të forta për sigurinë, atëherë ato [Zgjedhjet] do të ndodhin.” – tha Zelenskyy.

    “Pas kësaj, në parim, ne mund ta mendojmë shfuqizimin e gjendjes së luftës në Ukrainë. Sapo kjo të ndodhë, topi do të jetë në fushën e Parlamentit, i cili mund ta caktojë pastaj një datë për Zgjedhje. Mendoj se nuk ka nevojë të presim me vite [për Zgjedhje], kur të hiqet gjendja e luftës.” – shtoi ai.

    Mandati pesëvjeçar i Zelenskyyt përfundoi më 20 maj 2024.

    Zelenskyy, 46-vjeçar, nuk tregoi nëse do të kërkojë ndonjë mandat tjetër si lider i vendit.

    “Nëse bëj më shumë se çfarë mundem, atëherë mbase do ta marrë ketë vendim më me pozitivitet. Sot, ky nuk është synimi im.” – theksoi ai.

    Zgjedhjet presidenciale duhej të mbaheshin në mars apo prill 2024, por ato u shtynë për shkak se vendi është ende në gjendje lufte.

    Sipas Kushtetutës së Ukrainës, Zelenskyy duhet patjetër të vazhdojë t’i kryejë detyrat e Presidentit, derisa të zgjidhet lideri i ri i shtetit.

    Zgjedhjet parlamentare duhej të mbaheshin më 29 tetor 2023, por edhe ato u shtynë për shkak të zbatimit të gjendjes së luftës.

    Ukraina është në gjendje lufte prej se Rusia e nisi pushtimin e saj në shkurt të vitit 2022. Zbatimi i saj është zgjatur për një periudhë prej 90 ditësh, plot 13 herë nga Parlamenti.

    Ligjvënësit duhet ta ndryshojnë Ligjin për ta mundësuar mbajtjen e Zgjedhjeve gjatë gjendjes së luftës.

    Shumë analistë dhe politikanë kanë ngritur shqetësime mbi sigurinë, zhvendosjen e votuesve dhe infrastrukturën si pengesa kryesore për mbajtjen e Zgjedhjeve legjitime në Ukrainë në rrethanat e tanishme.

    Derisa Rusia e ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Zelenskyyt për shkak të shtyrjes së Zgjedhjeve, Bashkimi Evropian ka deklaruar se nuk ka asnjë dyshim për statusin e tij si lider i Ukrainës, ndërsa Kombet e Bashkuara e kanë mbështetur duke thënë se Zelenskyy “mbetet… personi me të cilin Sekretari i Përgjithshëm komunikon kur ka nevojë të kontaktojë udhëheqësin ukrainas”./REL