Etiketë: Aksident

  • Kryeparlamentari Konjufca shpreh ngushëllime për të vdekurit e aksidentit ajror në SHBA

    Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime për familjarët e personave që humbën jetën në aksidentin ajror në Uashington të SHBA-së.

    “Është shumë pikëlluese dhe e dhimbshme humbja e disa dhjetëra jetëve në aksidentin ajror që ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Uashington DC.” – shkruan Konjufca.

    Konjufca ka shprehur ngushëllime edhe për të gjithë popullin amerikan.

    “Ngushëllime të sinqerta për të gjithë ata që kanë humbur personat e tyre të dashur, për aleatin tonë SHBA-në dhe për të gjithë popullin amerikan.” – shkruan tutje ai.

    Një aeroplan pasagjerësh me 64 persona në të është përplasur me një helikopter ushtarak dhe për pasojë ka rënë në një lumë në Uashington.

    Ka raportime se të paktën 18 trupa janë nxjerrë prej lumit Potomak.

    Temperaturat është raportuar të jenë tejet të ulëta dhe e gjithë situata po vështirëson përpjekjet për kërkim-shpëtim.

    Autoritetet amerikane janë duke hetuar rastin, ndërsa Aeroporti Kombëtar i Uashingtonit “Ronald Reagan” i ka ndalur të gjitha fluturimet.

    https://kallxo.com/lajm/cfare-dihet-per-perplasjen-e-aeroplanit-ne-uashington/

  • Shkaktoi aksident, presidentja Osmani ia fal të dënuarës pjesën e mbetur të dënimit me burg

    Presidenca e Republikës së Kosovës ka njoftuar se e para e shtetit bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore ka nënshkruar sonte, më 29.01.2025, dekretin me të cilin të dënuarës Arza Cakolli, për shkaqe humanitare, i është falur pjesa e mbetur e dënimit, pas shqyrtimit të propozimit nga Komisioni për Falje dhe në përputhje me procedurat ligjore.

    E dënuara ka mbajtur një vit e dy muaj burg, kurse do të duhej të lirohej në mënyrë të rregullt nga burgu më 14 shtator të këtij viti.

    Vendimi për lirimin e saj, siç thuhet në njoftim, është bërë ngase e dënuara ka lindur foshnjën e saj të parë gjatë vuajtjes së dënimit dhe ndodhet në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan, së bashku me foshnjen e saj. Mes tjerash, theksohet se ky vendim është marrë bazuar edhe në faktin se Cakolli nuk ka kryer asnjë vepër penale më parë.

    “Në marrjen e vendimit për falje, janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë faktin se e dënuara nuk ka kryer asnjë vepër penale më herët, vepra penale për të cilën është dënuar është për “Rrezikim të Trafikut Publik”, pra është kryer aksident pa dashje, ndërkaq është vërtetuar se nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo substancave të tjera kur ka ndodhur aksidenti. Përveç këtyre, gjithashtu janë marrë parasysh sfidat shëndetësore të nënës dhe foshnjës”- thuhet në njoftim.

    Presidenca thekson se dosja me propozimin e shqyrtuar nga Komisioni si dhe nga ekipi ligjor i Presidentes, ka arritur sot (29.01.2025) në tavolinën e presidentes.

    “Prandaj, duke marrë parasysh faktorët humanitarë dhe vlerësimet profesionale të të gjitha institucioneve relevante, Presidentja ka vendosur faljen e pjesës së mbetur të dënimit të saj”- theksohet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

  • Treni godet një veturë në Pejë, nuk ka të lënduar

    Një veturë është goditur nga treni i linjës Prishtinë-Pejë sot, më 28.01.2025, rreth orës 10:00.

    Aksidenti ka ndodhur në hyrje të qytetit të Pejës.

    Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi.

    Ai ka njoftuar se nuk ka persona të lënduar.

    “Sot rreth orës 10:00, Policia është njoftuar se treni që qarkullon në relacionin Prishtinë-Pejë, në hyrje të Pejës e ka goditur një veturë. Të lënduar nuk ka, vetëm dëme materiale. Hetuesit e aksidenteve kanë dalë në vend të ngjarjes për të kuptuar si ka ardhur deri tek aksidenti.” – ka thënë ai.