Etiketë: Aktakuza

  • Prokuroria e Gjilanit ngriti 316 Aktakuza për dhunë në familje gjatë vitit 2024

    Prokuroria Themelore e Gjilanit gjatë vitit 2024 ka ngritur 316 Aktakuza ndaj 360 personave, për “dhunë në familje”.

    Sipas komunikatës së kësaj Prokurorie, gjatë vitit që shkoi në këtë Prokurori kanë qenë 2 mijë e 210 kallëzime penale. Prej tyre 2 mijë e 157 raste janë zgjidhur apo 97% e lëndëve.

    Përmes procedurave alternative, duke përfshirë Urdhrat Ndëshkimorë, janë zgjidhur 40.8% e rasteve – thuhet në njoftim.

    Kjo Prokurori thotë se “është e përkushtuar që të trajtojë me seriozitet të gjitha veprat penale.

  • Siguruan nga Shqipëria mbi 49 kg marihuanë dhe e fshehën në Suharekë – Aktakuzë ndaj katër personave

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur Aktakuzë kundër të pandehurve M.M., N.U., S.S. dhe N.K., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale: “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Bëhet fjalë për mbi 49 kilogramë substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’, të sistemuara në pesë paketime, të cilat të akuzuarit tashmë i kishin siguruar nga Shqipëria dhe i kanë fshehur në fshatin Greikoc të Suharekës.

    Sipas Aktakuzës, të pandehurit M.M., N.U., S.S. dhe N.K., deri më 20.04.2024, pa autorizim posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrojnë për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pasi substancën narkotike e kishin siguruar nga Republika e Shqipërisë, të njëjtën e kishin fshehur në fshatin Greikoc – Komuna e Suharekës, në shtëpinë e të pandehurit S.S., e cila gjendet në rrugën “8 Martirët”.

    “Të njëjtën substancë narkotike ia ofrojnë për shitje dy personave në njërën prej Pompave të derivateve, në rrugën e transitit në Prizren, ashtu që derisa të pandehurit N.K., M.M. dhe N.U., me një person qëndrojnë në Pompën e derivateve, i pandehuri S.S., me personin tjetër, blerësin potencial shkojnë në fshatin Greikoc në shtëpinë e të pandehurit S.S., për ta verifikuar substancën narkotike, me ç’ rast sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren, kontrollohet shtëpia e S.S., ku Policia gjen 49 kg e 750 gram substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’, të sistemuara në 5 (pesë) paketime.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prizrenit.

    Po, sipas njoftimit, Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së Aktakuzës i ka propozuar Gjykatës, që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • EULEX-i mohon se ka marrë kërkesë për mbështetje nga Prokuroria e Beogradit për Banjskën

    Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, duke përmendur sumin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023, ka reaguar duke e sqaruar mandatin e tij në Kosovë.

    Në reagimin e EULEX-it, thuhet se që nga viti 2018, ky mision nuk mund të kryejë asnjë hetim penal.

    Gjithashtu ka mohuar se ka pranuar kërkesë të drejtpërdrejtë për mbështetje nga Prokuroria Themelore në Beograd, për ngjarjet në Banjskë, për çka autoritet kosovare kanë ngritur aktakuzë kundër Milan Radojiçiqit dhe grupit të tij.

    “Prej vitit 2018 EULEX-i nuk ka më mandat ekzekutiv. Prandaj, EULEX-i ligjërisht nuk është në gjendje të kryejë asnjë lloj të hetimeve penale, siç është hartimi i raporteve të incidenteve, mbledhja e provave fotografike, raporteve të autopsive, raporteve mjekësore të të dëmtuarve, ekzaminimit të armëve dhe eksplozivëve, dëshmive të dëshmitarëve, etj. EULEX-i nuk ka marrë asnjë kërkesë të drejtpërdrejtë për mbështetje nga Prokuroria Themelore në Beograd në lidhje me rastin”-thuhet në reagimin e EULEX-it.

    Mes tjerash, thuhet se në rast se Prokuroria Themelore e Beogradit, kërkon mbështetje nga EULEX-i, kërkesa shkon përtej fushëveprimit të mandatit aktual.

    “Mandati i EULEX-it përfshin, ndër të tjera, mbështetjen për Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtarë duke e lehtësuar vetëm shkëmbimin e informatave policore midis Policisë së Kosovës dhe INTERPOL-it, EUROPOL-it ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, është Përfaqësuesi Special i BE -së (PSBE) në Kosovë e jo EULEX-i, ai i cili është përgjegjëse për lehtësimin e kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe autoriteteve gjyqësore dhe prokuroriale të vendeve mosnjohëse, përfshirë Serbinë. Një kërkesë e tillë për mbështetje nga Prokuroria Themelore në Beograd, nëse parashtrohet, do të shkonte përtej fushëveprimit të mandatit tonë aktual.”- njoftoi EULEX-i.

    Teksa është e paqartë nëse shteti serb do të ngreh aktakuzë ndaj tij, ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur aktakuzë më 11.09.2024) nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Sipas aktakuzës mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për terrorizëm, financim terrorizmi dhe shpëlarje e parasë.

    Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit duke lënë të vdekur zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.

    https://kallxo.com/lajm/dosja-e-prokurorise-ne-rastin-banjska-kane-tentuar-te-shkepusin-pjesen-veriore-te-kosoves-dhe-tia-bashkojne-serbise/