Etiketë: aktakuzë

  • Prokuroria ngrit Aktakuzë ndaj dy personave – lidhur me vrasjen në Gjilan më 2024

    Prokuroria e Gjilanit ka ngritur Aktakuzë ndaj dy personave, në lidhje me vrasjen në Gjilan, më 07.11.2024.

    Sipas komunikatës së Prokurorisë të lëshuar më 23.01.2025, vrasja e S.O. në Gjilan ndodhi pas një konflikti mes palëve të ndodhur para dy vjetëve.

    “I pandehuri V.S., më 7 nëntor 2024, rreth orës 14:00, në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan, me dashje, për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy vjetëve, ka privuar nga jeta tani të ndjerin S.O., në atë mënyrë që derisa i ndjeri ishte duke hyrë në veturë, i afrohet dhe me armë e gjuan në pjesën e pasme të shpinës, ku pasi rrëzohet në tokë e godet me grusht dhe shqelm dhe më pas së bashku me të pandehurin F.M. janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërsa, i ndjeri për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë.” – thuhet në njoftim.

    Prokuroria ka njoftuar, më tej, se V.S. akuzohet për “vrasje të rëndë” dhe për “armëmbajtje pa leje”, ndërsa F.M. akuzohet për “dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprave penale”.

    “I pandehuri F.M., që nga data 07 – 12 nëntor 2024, në vende të ndryshme në Gjilan, me dashje ka ndihmuar të pandehurin V.S., në fshehjen – mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë.” – theksohet në komunikatë.

    Të pandehurit V.S. dhe F.M. gjenden në masën e paraburgimit, që nga data 12.11.2024.

    Dy tashmë të akuzuarit për vrasjen, që ndodhi në Gjilan më 07.11.2024, ishin dorëzuar në Polici, më 12.11.2024.

    KALLXO.com ka raportuar për rastin në fjalë:

    https://kallxo.com/lajm/kerkohet-paraburgim-per-dy-personat-e-dyshuar-per-rastin-e-vrasjes-qe-ndodhi-me-07-nentor-ne-gjilan/

     

     

  • Aktakuzë ndaj një personi për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

    Prokuroria Speciale e Kosovës, më 22.01.2025, ka njoftuar se ka ngritur Aktakuzë ndaj të pandehurit M. D., për shkak të kryerjes së veprave penale “sulmi ndaj personit zyrtar” dhe për veprën penale “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

    Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se pas analizimit të provave personale dhe materiale është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri M. D., më 29 maj 2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia kanë sulmuar e kanë kanosur ushtarët paqeruajtës të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    “Pas sigurimit dhe analizimit të provave personale dhe materiale është vërtetuar, përtej dyshimit të bazuar mirë, se i pandehuri M. D., më 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëveprim dhe koordinim edhe me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve tjera të forta, i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës – duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Prokurori nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor – duke e dënuar sipas Ligjit, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.

    93 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar. Disa prej tyre rëndë, pasi u sulmuan në Zveçan në maj të 2023-tës gjatë protestës së dhunshme të qytetarëve serbë, të cilët nuk pranonin që Kryetarët shqiptarë të Komunave të vendoseshin në objektet komunale.

    Në lidhje me protestën e dhunshme në Zveçan, më 11.06.2024, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur Aktakuzë ndaj të pandehurit N. O.

    Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq janë shpallur fajtorë, më 27.02.2024, për pjesëmarrjen në turma në të njëjtën protestë.

    Radosh Petroviq u dënua me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e të njëjtit ky dënim do t’i kthehet në gjobë, në shumën 6 mijë euro.

    Ndërkaq, i akuzuari Dushan Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, por që në këtë dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Nën masën e tillë, Obrenoviq kishte qëndruar për mbi 5 muaj.

    Tensionet në Veri të vendit në maj të 2023-tës pasuan me sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2024, nga grupi i armatosur serb, në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

    Gjatë sulmit mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë Hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Për këtë sulm, më 11.09.2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur Aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale: “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.

    Pas zhvillimeve në Veri, KFOR-i ka shtuar edhe numrin e trupave në Kosovë.

     

  • Çka kishin deklaruar në Polici dy të akuzuarit për rënien e kulmit të Komunës së Prishtinës

    “Jo, nuk janë kryer.” – ishte përgjigjur gjashtë herë personi përgjegjës i kompanisë “NBT ING” SH.P.K., Bekim Baftijaraj, kur ishte pyetur nga Policia se përse nuk janë zbatuar Pikat e caktuara të Kontratës, për renovimin e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës.

    Personi përgjegjës i kompanisë, Bekim Baftijaraj akuzohet për veprën penale “Punime ndërtimore te kundërligjshme”- neni 360 paragrafi 3. Paragrafi tre i këtij neni e specifikon se në rastet kur një person ka pësuar lëndime të rënda apo është shkaktuar një dëm i konsideruar nga punimet ndërtimorë të kundërligjshme, personi i akuzuar mund të dënohet me burgim nga 1 vit deri në 8 vite.

    I akuzuari tjetër për këtë rast është Ylber Jashari – zyrtar komunal, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Sipas Prokurorisë disa Pika (Pika 2.2, 2.3, 5.1, 5.17, 5.13, 5.14) të Kontratës për kulmin e objektit të Komunës së Prishtinës nuk ishin kryer nga Kompania përgjegjëse.

    18.01.2024 një pjesë e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës kishte rënë nga objekti dhe kishte lënduar një kalimtare të rastit – duke shkaktuar dëme të tjera në vetura.

    Aktakuza e ngritur më 20.01.2025 thotë se Bekim Baftijaraj ishte marrë në pyetje nga hetuesia, më 22.01.2024. I njëjti kishte deklaruar se detyrë e tij ka qenë furnizimi me materiale, si dhe menaxhimi i punëtorëve për këtë projekt.

    Personi përgjegjës për këtë projekt kishte deklaruar se janë kryer vetëm përafërsisht 9% të Kontratës. Këto punë, sipas Baftijarajt, përfshinin sanimin në kulmin e pjerrët, llamarinën dhe mbulesën e kulmit të shkallëve emergjente, demolimin e murit taktikës (muri rrethojë), largimi i pllakave dhe zhavorit, si dhe ishte bërë izolimi, me qëllim që të ndalet rrjedha e ujit në katin e tretë.

    Në Pikën 2.2 të Kontratës – sipas Aktakuzës së Prokurorisë – është paraparë demolimi dhe largimi i materialit të mbulesës së kulmit të pjerrët, me të gjitha elementet përcjellëse (llamarina, listelat, kontralistelat, dërrasimi i kulmit).

    Bekim Baftijaraj kishte deklaruar se kjo Pikë e Kontratës “Jo, nuk janë kryer”.

    Arsyeja se pse nuk janë kryer këto sipas personit përgjegjës të Kompanisë është se nuk ka qenë e nevojshme të kryhet.

    Tutje, organet hetuese kishin kërkuar përgjigje nga tashmë i akuzuari, se pse nuk ishte kryer as Pika 2.3 e Kontratës, e cila kishte të bënte me demolimin dhe largimin e materialit të konstruksionit të kulmit të pjerrët, me të gjitha elementet përcjellëse.

    “Jo, nuk janë kryer.” – ishte përsëri përgjigja e të akuzuarit për moskryerjen e punimeve për Pikën 2.3, që pretendon Prokuroria në Aktakuzë.

    Arsyeja, sipas Baftijarajt, për Pikën 2.2 është e njëjtë si për Pikën 2.3.

    Tutje, Prokuroria pretendon se as Pika 5.1 nuk ishte kryer, e cila kishte të bënte me funrizimin me materale dhe vendosjen – punimi i shtresës termoizoluese me lesh guri të presuara së bashku, me foli difuzive dhe folinë sipër shtresës termoizoluese.

    Përsëri përgjigja e të akuzuarit prara organeve hetuese ka qenë se nuk është kryer as kjo Pikë e Kontratës.

    Organet e hetuesisë kanë kërkuar, tutje, përgjigje se pse nuk ishin kryer punimet, as sipas Pikës 5.17 të Kontratës.

    Personi përgjegjës i kompanisë ka thënë se nuk ishte ndërhyrë në kulme dhe për atë nuk është kryer sipas kësaj Pike. Sipas tij, sasia e leshit të gurit është bartur në muret ndarëse.

    Policia nuk kishin marrë përgjigje, kur e kishin pyetur Baftijarajn se pse nuk ishin kryer punimet – sipas Pikës 5.13.

    Tashmë, i akuzuari kishte thënë se zakonisht ishin konsultuar me autoritetin kontraktues.

    Tutje, gjatë marrjes në pyetje në Polici, tashmë i akuzuari kishte deklaruar se as Pika 5.14 nuk ishte kryer. Edhe për këtë Pikë, arsyeja është sikur për Pikat e tjera.

    I akuzuari Baftijaraj kishte deklaruar se në paramasa nuk kanë qenë të cekura hapja e dritareve të kulmit, por që ishte kërkuar nga autoriteti kontraktues që të hapen katër të tilla. Dy ishin hapur dhe dy të tjera nuk ishin hapur, pasi kështu ishte vlerësuar edhe nga ana e autoritetit kontraktues.

    Ndonëse, hapja e dritareve nuk ishte paraparë me Kontratë për t’u paguar, personi përgjegjës ka deklaruar se pagesa për to ishte llogaritur me zëvendësim të 300 metrave llamarinë.

    I njëjti ka thënë se nuk i kujtohet se sa e kanë pasur çmimin 300 metra llamarinë.

    Në po të njëjtën ditë, më 22.01.2024, ishte marrë në pyetje në Polici edhe tashmë i akuzuari tjetër i këtij rasti, Ylber Jashari.

    Jashari ka deklaruar se ka pozitën e Zyrtarit të Lartë të Ndërtimit, që nga viti 2015.

    Zyrtari komunal ka deklaruar se Kontrata për Renovimin e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës ka pasur shumë pozicione, por që kryesoja ka qenë tarraca dhe disa renovime të brendshme në objekt.

    Sipas tij, tarraca ishte kryer komplet dhe një pjesë e kulmit në pjesën e poshtme të objektit.

    Jashari kishte deklaruar se 300 m2 të kulmit ishin demoluar, ashtu siç ishte e përcaktuar në Kontratë, ndërsa kulmi në tërësi kishte 1000 m2.

    Në këto 300 m2 të kulmit ishte përzgjedhur renovimi në pjesën e poshtme, pasi kishte rrjedhje të ujit dhe qëllimi ishte për ta parandaluar rrjedhjen e ujit në këtë pjesë.

    Zyrtari komunal ishte pyetur se a ishte paraparë në Kontratë hapja e dy dritareve në kulmin e objektit të Komunës së Prishtinës. I njëjti ka thënë që nuk ishte paraparë në Kontratë, mirëpo ishin konsultuar me organin mbikëqyrës të Kontratës, udhëzimin e Drejtorit të investimeve kapitale, Drejtorin e urbanizimit dhe është bërë hapja e dritareve.

    I njëjti ka shtuar për sqarim se këto hapje nuk kanë qenë dritare, por si hapësira për ndriçim.

    Zyrtari komunal është pyetur se a ishte njoftuar organi mbikëqyrës për punët e pozicionit 2.2, ku ishte paraparë demolimi dhe largimi i materialit të mbulesës së kulmit të pjerrët, me të gjitha elementet përcjellëse.

    Jashari ishte përgjigjur se pozicionet ishin realizuar në kuadër të Kontratës.

    Jashari ka thënë, tutje, se ka pasur punë të cilat janë kryer nga Operatori Ekonomik, por të cilat nuk ishin paguar – duke shtuar se të gjitha pagesat e realizuara janë bërë sipas Kontratës.

    Tashmë i akuzuari nuk ka pasur përgjigje kur është pyetur nga Policia se në rast se ka pasur devijime apo mospërmbushje të Kontratës kush është përgjegjësi.

    “S’kam përgjigje.” – ishte deklaruar tashmë i akuzuari.

    Sipas kryeprokurorit, Zejnullah Gashi në një Konferencë për media, më 27.12.2024, ka thënë se personat e dyshuar kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, si dhe janë dakorduar që të bëjnë kompensimin e dënimit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit, në vlerë prej 36 mijë euro.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20.01.2025, ka njoftuar se ka ngritur Aktakuzë ndaj Ylber Jasharit dhe Bekim Baftjarajt për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës. Aktakuza është ngritur dhe e njëjta është dorëzuar në Gjykatë, por që ende nuk është caktuar seanca e parë për këtë rast.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë ditës së sotme, pas një pune hetimore, ka ngritur Aktakuzë ndaj Y. J. dhe B. B., për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prishtinës.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Ylber Jashari akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro me dashje direkte dhe me qëllim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore Kompania.

    “I pandehuri Y. J. akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, në vlerë totale prej 386,096.20 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar në atë mënyrë që, me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore Kompania, ka përpiluar Raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës. Edhe pse, realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas Kontratës, në pozicionet 2.2., 2.3., 5.1.5.13 dhe 5.14. – duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të Kompanisë. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës, në shumën prej 36,450.29 euro, me çka ka kryer veprën penale: ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Tutje, sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Bekim Baftjaraj akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të Kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale, përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë.

    “Ndërkaq i pandehuri B. B. akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të Kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes e kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale, përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në Kontratë, për sanimin e kulmit të ndërtesës ku gjatë ekzekutimit të Kontratës ka kryer punë tjera, e jo ato sikur në pozicionet 2.2., 2.3., 5.1.5.13 dhe 5.14., të Kontratës së lartcekur, ku ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës një pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth – duke lënduar rëndë të dëmtuarën E. U., në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro dhe janë shkaktuar dëme materiale në pesë veturat e parkuara përreth ndërtesës – me çka ka kryer veprën penale: ‘punimet ndërtimore të kundërligjshme’.” – thuhet, tutje, në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Po ashtu, në njoftimin e Prokurorisë është bërë e ditur se Prokurori i Shtetit dhe të pandehurit kanë arritur Marrëveshje për pranimin e fajësisë, si dhe me rastin e ngritjes së Aktakuzës i është propozuar Gjykatës që të pandehurit të obligohen që të kompensojnë dëmin material, në shumën prej 36,450.29 euro që i është shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, si dhe të ngarkohen me shpenzimet e procedurës penale.

    Një qytetare ishte lënduar e disa vetura ishin dëmtuar nga rënia e një pjese të kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës, në lagjen “Arbëria” në Kryeqytet, një vit më parë. Në vendin e ngjarjes kishin dalë menjëherë ekipe të emergjencës, të zjarrfikësve, të Policisë dhe të Prokurorisë së Prishtinës. Edhe zyrtarë të Komunës dhe të opozitës lokale ishin parë në vendin ku ndodhi rasti.

    Për këtë rastë janë publikuar shumë video e pretendime në TikTok (shih këtu, këtu dhe këtu) për arsyet dhe të dyshuarit e përfshirë.

    Raportimet e tjera – LINK