Etiketë: Albin Kurti

  • Kurti në Rahovec: Para neve nuk ka pasur Qeveri për nënat lehona, as kryeministër për fëmijët

    Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të fushatës zgjedhore ka mbajtur një tubim në Rahovec më 30.01.2025.

    Para qytetarëve, kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, deklaroi se më 9 shkurt nuk ka zgjedhje të zakonshme, as të jashtëzakonshme. Sipas tij, këto zgjedhje janë referendum për të vazhduar punët e mira ose për t’i rrënuar ato.

    Kurti ka kritikuar ish-qeveritarët, duke thënë se para Qeverisë së drejtuar para tij “nuk ka pasur Qeveri për nëna lehona e as kryeministër për fëmijë”.

    “Këtu në Rahovec i kemi mbështetur nënat lehona dhe gati 12 mijë fëmijë kanë përfituar shtesa. Këto janë për herë të parë në Republikën e Kosovës. Para neve nuk ka pasur Qeveri për nëna lehona e as kryeministër për fëmijë. Para neve këta nuk kanë parë as nëna, as fëmijë. Në vëmendjen, në zemrën e Qeverisë tonë ndodhen edhe nënat, edhe fëmijët. 255 të rinj janë punësuar në ‘Super Puna’”- ka thënë ai.

    “Ata që shkuan e nuk kthehen në pushtet, për 17 vjet, vetëm katër çerdhe. Për 17 vjet ata nuk kanë parë fëmijë në Kosovë përveç fëmijëve të tyre. Ata nuk i kanë parë fëmijët e juaj. Ata i kanë parë vetëm gratë e veta dhe fëmijët e vet, prandaj nuk kemi pasur çerdhe, as shtesa për nëna lehona e për fëmijë”- u shpreh tutje Kurti.

    Ai tutje tha se Qeveria po e mbështet Rahovecin me 8 milionë euro për ndërtimin e rrugës Rahovec-Xërxë.

    Kurti ka premtuar 1 miliard euro për ushtrinë, 1 miliard euro për prodhimtarinë dhe mbi 1 miliard euro investime kapitale në vit.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në vitin 2021 pati premtuar se me ardhjen e tij në pushtet asnjë fëmijë nuk do të mbetet i uritur dhe nuk do të mbetet prapa.

    Në kuadër të programit për politikat sociale, kryetari i LVV-së në kohën e zgjedhjeve të kaluara ishte zotuar se të gjitha familjet do të përfitojnë shtesa mujore nga 20 euro për çdo fëmijë nën 2-vjeç dhe 10 euro për fëmijët mes moshës 2 deri 16-vjeç.

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen 25.08.2021 pati marrë vendim për mbështetjen për lehonat e papunësuara, të punësuara dhe fëmijët nga 0 deri në 2-vjeç, duke ndarë 7 milionë euro.

    Në shtator të vitit 2021 për herë të parë është hapur aplikimi për mbështetjen për lehonat dhe shtesat për fëmijë.

    Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, më 18.07.2024 kanë prezantuar skemën e re për shtesat mujore për fëmijët.

    “Për fëmijën e parë dhe të dytë, shtesat e reja do të jenë 20 euro në muaj secili, ndërsa për nënat që kanë tre fëmijë e më shumë shtesat do të jenë nga 30 euro në muaj për secilin prej fëmijëve. Pra edhe për të parin, edhe të dytin vlen shtesa 30 euro në muaj” – ka thënë Kurti para gazetarëve.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • LVV gjobitet me 10 mijë euro për gjuhën e Kurtit dhe Gërvallës ndaj Haradinajt

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 10 mijë euro Lëvizjen Vetëvendosje, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike gjatë fushatës zgjedhore.

    Në Vendim thuhet se AAK-ja është ankuar se kandidatja për Deputete, Donika Gërvalla dhe kandidati për Kryeministër, Albin Kurti kanë përdorur gjuhë të papërshtatshme gjatë fjalimit të tyre në një tubim në Deçan, më 26.01.2025.

    “Sipas parashtruesit të Ankesës, gjatë këtij fjalimi, Donika Gërvalla-Schwartz, duke aluduar për Ramush Haradinajn, të njëjtin e quan ‘Gjeneralë të vetëshpallur’ (në shumës), e më pas vazhdon e njëjta ‘Prandaj, unë mendoj që aq më pak meriton respekt kush sakrificën personale apo familjare e përdor për arsyetim për krim, për korrupsion, për vrasje apo mashtrim’.” – thuhet në Vendimin e PZAP-së.

    Sipas Vendimit ankuesi ka theksuar se deklaratat e bëra nuk janë asgjë tjetër, veçse një tentativë për të manipuluar opinionin publik, pasi sipas tyre shihet qartë se Gërvalla e akuzon liderin e një partie opozitare për “vrasës dhe kriminel.”

    Për këtë rast PZAP-i ka pranuar Ankesën e AAK-së dhe partnerëve të Koalicionit dhe e ka gjobitur LVV-në me 10 mijë euro.

    Sipas Vendimit LVV-ja ka afat prej 15 ditësh që ta paguajë gjobën.

    Lëvizja Vetëvendosje e gjobitur në këtë rast ka thënë se konsiderojnë që Ankesa është pabazuar.

    Sipas LVV-së sa i përket pjesës së parë të deklaratës së kandidates Gërvalla në të cilën pos tjerash kinse e ka quajtur Haradinaj “Gjeneralë të vetëshpallur” sipas tyre në asnjë formë nuk cenon Nenet.

    Ndërsa, sa i përket pretendimeve të parashtruesve lidhur me deklaratat e kandidatit për Kryeministër Albin Kurti, kinse “respekt për pushkën që ia kanë kthyer Serbisë, por nuk ia bëjmë hallall për paret që ia kanë marrë popullit”, e cila sipas pretenduesit aludohet për Ramush Haradinajn, LVV konsideron se Kurti në asnjë moment nuk e ka përmendur Haradinajn apo AAK-në.” – thuhet në përgjigjen e LVV-së për PZAP-në.

    Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta shihni në këtë: LINK.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë Zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
     

  • Kryeministri Kurti takohet me ekipin e QKRMT-së që u nominuan për Çmimin Nobel për Paqe

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim përfaqësues të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës të cilët janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe.

    Kurti citohet të ketë përgëzuar QKRMT-në dhe aktivisten Feride Rushiti për nominimin.

    Nominimi u bë nga deputeti i Parlamentit të Suedisë, Magnus Jacobsson.

    “Kryeministri shprehu gatishmërinë për mbështetjen e parezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë nominim.” – thuhet mes të tjerash në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

    Pjesëmarrëse në takim ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila ka thënë se nominimi ka ardhur si pasojë e punës së madhe të Organizatës për adresimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

    Haxhiu citohet të ketë folur për rëndësinë e vazhdimit të fuqizimit të bashkëpunimit të Ministrisë të cilën ajo e udhëheq me QKRMT-në.

    “Në vijim Kryeministri vlerësoi punën e çmueshme të QKRMT-së, duke veçuar rëndësinë e grumbullimit të bazës së të dhënave dhe dëshmive të të mbijetuarve të torturës e dhunës gjatë luftës në Kosovë.” – thuhet në fund të komunikatës.

    Më 16.01.2025, Feride Rushti, drejtoreshë e QKRMT-së njoftoi se së bashku me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT) është nominuar nga deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, për çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

    Rushiti tha gjatë Konferencës për media më 17.01.2025 se ky nominim është një vlerësim për punën 25-vjeçare që ka bërë QKRMT-ja për kauzën, konkretisht për rehabilitimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe një vlerësim që i bëhet Kosovës. Ajo tha se ky nominim do të fuqizojë zërin e viktimave të dhunës seksuale.

    Ndërkaq, në një bisedë për KALLXO.com, deputeti suedez Magnus Jacobsson tha se gjatë një vizite që kishte pasur në Kosovë në vitin 2022 kishte parë edhe punën e mirë që po bënte QKRMT-ja për rehabilitimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

    “Shpresoj që Çmimi Nobel për Paqe, i cili shpesh shkon për OJQ-të të cilat punojnë për këto lloj çështjesh dhe mendoj që situata historike në Ballkan, por po ashtu edhe realiteti që akoma nuk kemi atë që ne në Skandinavi e quajmë “Paqe të ngrohtë”, kur ka paqe me marrëdhënie të mira. Akoma është një situatë që ka paqe, por jo marrëdhënie të mira. Shpresoj të ngrisë situatën dhe po ashtu të theksohet se sa është e rëndësishme të shohim situatën e grave në luftë. Mendoj që janë një Organizatë shumë e mirë dhe shpresoj që Komiteti i Çmimit Nobel për Paqe do të vazhdojë me sugjerimin tim.” – tha ndër të tjerash deputeti sudez, në një bisedë për KALLXO.com, më 17.01.2025.

    https://kallxo.com/lajm/nominimi-per-cmimin-nobel-per-paqe-rushiti-vleresim-per-kauzen-e-te-mbijetuarve-te-dhunes-seksuale-gjate-luftes/