Etiketë: Aleksandar Vuçiq

  • Rënia e Qeverisë – disfatë për Vuçiqin apo blerje kohe?

    Me dorëheqjen e kryeministrit, a e ka pranuar pushteti në Serbi, i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, humbjen?

    Tre muaj pas vdekjes së 15 personave nga shembja e strehës së rindërtuar të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad dhe më shumë se dy muaj pas fillimit të protestave të studentëve, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe kryetari i Komunës së Novi Sadit, Millan Gjuriq, dhanë dorëheqje.

    Aktualisht, Qeveria serbe është në mandat teknik dhe do të vazhdojë ashtu deri në zgjedhjen e një të reje, ose deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

    Vuçeviq dhe Gjuriq nuk dhanë dorëheqje në ditët pas aksidentit, por një ditë pasi një grup sulmuesish rrahën disa studentë në Novi Sad me shkop bejsbolli.

    Tash për tash, nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se sulmuesit ishin anëtarë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet – gjë që u spekulua pas deklaratave të Vuçiqit më 28 janar se sulmuesit ishin “djem që dolën nga ambientet e partisë” në Novi Sad.

    Ai shtoi se “është e papranueshme që njerëzit e partisë ta bëjnë këtë, pas thirrjes për dialog”.

    Qendra për Gazetari Hulumtuese (CINS) raportoi se që nga fillimi i protestave, kishte më shumë se 50 sulme ndaj studentëve, përfshirë përplasje nga makinat dhe goditje me shkopinj, grushte e shqelma.

    Në shenjë proteste dhe solidariteti, studentët nisën të enjten një shëtitje dyditore nga Beogradi për në Novi Sad, për të treguar se dorëheqjet nuk janë të mjaftueshme dhe se ata do të vazhdojnë me aksionet e tyre.

    Por, e sigurt është se me dorëheqjen e kryeministrit, ky pushtet në Serbi – tashmë në vitin e trembëdhjetë – ka bërë lëshimin më të madh ndonjëherë.

    Çfarë e pret Vuçiqin dhe qeverisjen e tij?

    Timothy Less, nga Qendra për Gjeopolitikë në Universitetin e Kembrixhit, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai e sheh rënien e Qeverisë serbe si dështim të Vuçiqit.

    “Ai pësoi një goditje politike që është, gjithashtu, një pranim i heshtur i përgjegjësisë. Kjo konfirmon akuzat e protestuesve se tragjedia në Novi Sad është rezultat i korrupsionit dhe keqmenaxhimit. Nëse ai do të mund të qëndrojë në pushtet pas kësaj, do të varet prej zhvillimeve të ardhshme në Serbi”, thotë Less.

    Dushan Spasojeviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë se Vuçiq po luan me kartën e fundit që ka.

    “Dorëheqjet e kryeministrit dhe kryebashkiakut nuk janë një gjë e vogël. Janë, sigurisht, pranim i disfatës dhe fitore për studentët protestues. Por, janë edhe përpjekje për ta tërhequr krizën aty ku ia del më së miri – te partitë politike, Parlamenti dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja”, thotë Spasojeviq.

    Less, në anën tjetër, thotë se Vuçiq është duke zbatuar njëkohësisht dy taktika të ndryshme.

    “E para është sakrifikimi i Qeverisë, me ç’gjë blen kohë për të negociuar ndoshta me protestuesit dhe për të arritur ndonjë zgjidhje. Këtë e sugjerojnë edhe thirrjet e tij për dialog. Nëse kjo nuk i ka sukses, ai qartazi do të shpallë zgjedhje të reja”.

    “Pra, luan me dy skenarë. Nëse i pari nuk i funksionon muajin e ardhshëm, llogarit në fitore në zgjedhje dhe, në atë mënyrë, në shuarjen e protestave”, thotë Less.

    A janë zgjidhje zgjedhjet e parakohshme?

    Spasojeviq supozon se Vuçiq do t’i peshojë opsionet në periudhën e ardhshme dhe do të përpiqet ta zgjedhë atë që është më pak e rrezikshme për të.

    “Nëse vlerëson se blerja e kohës do t’i sjellë dobi, atëherë do të shkojë në një lloj ristrukturimi të Qeverisë. Nëse e sheh se kjo nuk i mjafton, atëherë mund të përpiqet të shpallë zgjedhje, por, në atë rast, do të hyjmë në një krizë të thellë”, vlerëson Spasojeviq.

    Kur Kuvendi i Serbisë konfirmon dorëheqjen e kryeministrit, fillon edhe periudha 30-ditore për zgjedhjen e qeverisë së re.

    Nëse nuk zgjidhet, shpallen zgjedhjet e reja.

    Duke u thirrur në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas, opozita në Serbi pretendon se nuk ka kushte për zgjedhje të ndershme.

    Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, në dhjetor të vitit 2023, Misioni vëzhgues i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) raportoi se fushatën e dominoi pjesëmarrja e presidentit të shtetit, i cili, duke i dhënë mbështetje Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, krijoi kushte të padrejta.

    “Mekanizma efektivë për të parandaluar frikësimin dhe presionin ndaj votuesve nuk u zbatuan”, vlerësoi ODIHR-i.

    Misioni dha, gjithashtu, 25 rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë rishikimin e listave të zgjedhësve dhe parandalimin e abuzimit me burime shtetërore dhe institucione publike.

    Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë që t’i zbatojë këto rekomandime në raportin e tij të fundit për progresin e këtij vendi.

    Shumica e partive opozitare, nga të cilat studentët distancohen, janë kundër zgjedhjeve të reja, pasi, sipas tyre, nuk ka kushte të drejta për mbajtjen e tyre.

    Pushteti, në anën tjetër, thotë se kushtet për zgjedhje janë demokratike, ndërsa Vuçiq përsërit vazhdimisht se “pushteti fitohet ekskluzivisht me zgjedhje”.

    “Unë nuk do t’i shmang konsultimet. Vuçeviq tashmë ka nisur bisedimet me Partinë Socialiste të Serbisë dhe Ivica Daçiqin, i cili ka thënë se nuk është pro zgjedhjeve. Ne do t’i vazhdojmë bisedimet me të tjerët”, tha Vuçiq më 28 janar.

    Zgjedhje apo qeveri kalimtare

    Pas rënies së Qeverisë së Serbisë, seanca e Kuvendit në të cilën do të mbahej votëbesimi për ekzekutivin, u shty deri në një njoftim të dytë.

    Partia Përparimtare Serbe, e udhëhequr nga ish-kryeministri Vuçeviq, ka 112 nga 250 deputetët e Kuvendit të Serbisë, ndërsa partneri më i madh i koalicionit, Partia Socialiste e Serbisë, ka 13.

    Koalicioni qeverisës përfshin edhe parti të tjera më të vogla.

    Majin e kaluar, 152 deputetë votuan pro zgjedhjes së qeverisë, ndërsa 61 votuan kundër.

    Spasojeviq beson se qeveria kalimtare është e vetmja rrugëdalje e mundshme nga kriza aktuale. Ai thekson se kjo qeveri me mandat të kufizuar do t’i kishte dy detyra.

    “Një, përmbushja e kërkesave, dhe dy, përgatitja e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thotë Spasojeviq.

    Qeveria serbe, e cila tani është në dorëheqje, u formua më 2 maj të vitit 2024, me zgjedhjen e Millosh Vuçeviqit kryeministër.

    Më 18 janar, Vuçiq i përsëriti opozitës se nuk do qeveri kalimtare.

    “Nuk ka qeveri të re pa zgjedhje”, tha Vuçiq.

    Zgjedhjet parlamentare në dhjetor të vitit 2023 ishin të 14-tat në Serbi që nga hyrja e sistemit shumëpartiak.

    Zgjedhjet e vitit 2012, të cilat sollën në pushtet Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, ishin zgjedhjet e para të rregullta në 15 vjet.

    Çfarë mund të pritet?

    Gjykata e Lartë e Novi Sadit ngriti aktakuzë kundër 13 të dyshuarve për vdekjen e 15 personave dhe plagosjen rëndë të dy të tjerëve në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor.

    Kërkesat e studentëve për ndalimin e protestave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin.

    Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

    Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

    Less beson se Vuçiq do të përpiqet të negociojë me studentët.

    “Ai do të përpiqet të bëjë disa lëshime. Nëse nuk arrin, do të dalë në zgjedhje”, sipas tij.

    Vuçiq tha më 27 janar se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur dhe u bëri thirrje atyre që të angazhohen në dialog.

    Ai tha se është duke u bërë publikimi i mëtejmë i dokumentacionit për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit dhe kjo, sipas tij, do të thotë se shteti “ka dhënë gjithçka që ka”./REL

  • Vuçiq fal 13 protestues, përfshirë studentë e profesorë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë 13 vendime për falje, duke përfshirë studentë, profesorë dhe qytetarë të tjerë kundër të cilëve janë zhvilluar procedura penale pas pjesëmarrjes së tyre në protestat e fundit.

    Ky veprim vjen dy ditë pasi Vuçiq njoftoi se do të falte individët e përfshirë në procedura penale pas pjesëmarrjes në protestat që pasuan shembjen fatale të strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona.

    Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e presidentit, thuhet se faljet janë dhënë për të gjithë ata që janë arrestuar dhe akuzuar për pjesëmarrje në protestat që kanë ndodhur në Beograd, Novi Sad dhe qytete të tjera në Serbi.

    Faljet përfshijnë individë të akuzuar për shkelje të rendit publik dhe paqes, si dhe për dëmtim të pronës publike dhe private gjatë protestave.

    Sipas njoftimit nga Presidenca, janë falur gjashtë studentë: D. B. nga Novi Sadi, M. M. nga Novi Sadi, M. K. nga Novi Sadi, I. B. nga Pozhega, R. S. nga Sremska Kamenica dhe M. S. nga Zhabali.

    Vuçiq gjithashtu ka falur një dekan – N. J. nga Nishi, dhe R. J. nga Novi Sadi.

    Gjithashtu, janë falur katër drejtorë shkollash: B. M. nga Shabaci, M. E. nga Bogatiqi, M. I. nga Shabaci, S. M. J. nga Shabaci, si dhe një punëtor ndihmës në shkollë, V. M. nga Prokuplja.

    Vendimet për falje janë dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë për procedurat e mëtejshme, thuhet në njoftimin e 29 janarit.

    Valët e protestave, të cilat kanë nxjerrë në rrugë dhjetëra mijëra qytetarë, u nxitën nga shembja e strehës së rinovuar të Stacionit Hekurudhor më 1 nëntor, ku humbën jetën 15 persona dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

    Studentët në bllokadë kanë kërkuar nga autoritetet publikimin e dokumentacionit të plotë mbi rinovimin e stacionit, për të përcaktuar përgjegjësinë penale për aksidentin.

    Ata gjithashtu kërkojnë ndjekjen penale të të gjithë sulmuesve ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave pas aksidentit në Novi Sad.

    Presidenti i Serbisë deklaroi më 27 janar se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur, derisa studentët po vazhdojnë protestat.

    Kryeministri i Serbisë, Miloš Vuçeviq, dha dorëheqjen më 28 janar, pas sulmit ndaj një grupi studentësh përpara zyrave të Partisë Progresive Serbe në pushtet, dhe të njëjtën ditë dha dorëheqjen edhe kryetari i Novi Sadit, Milan Đurić./ REL

  • Vuçiq i hapur edhe për qeveri të re, edhe për zgjedhje të reja

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se do t’i nisë menjëherë konsultimet me partitë politike për të biseduar nëse do të formohet një qeveri e re brenda 30 ditësh – siç e parasheh ligji – apo do të shpallen zgjedhjet e reja, pas dorëheqjes së Millosh Vuçeviqit nga pozita e kryeministrit të vendit.

    “Jam i hapur për të dyja opsionet. Mund të kemi zgjedhje pas 75 ditësh, muaji prill është më i mundshmi. Nuk do të ketë qeveri të përkohshme”, ka thënë ai, duke shtuar se detyra kryesore e autoriteteve tani është ruajtja e stabilitetit.

    “Si president i shtetit, unë duhet të propozoj mandatarin për të cilin bindem se ka shumicën në Kuvend. Do t’i filloj konsultimet. Në mendje kam pasur tre ose katër emra, por nuk jam i sigurt që nuk do të shkojmë në zgjedhje. Vetëm pas 10 ditësh, kur t’ju them nëse do të shkojmë në zgjedhje, apo do të zgjedhim Qeverinë e re, do të mund të flas për mandatarin për kryeministër.”

    Presidenti serb ka thënë se ka e pasur shumë të vështirë që të pranojë dorëheqjen e Vuçeviqit.

    “Ai e bënte mirë punën e tij”, ka thënë Vuçiq në një adresim para kombit.

    Millosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqje më herët gjatë ditës së martë, në valë e sipër të protestave për incidentin në Novi Sad, në nëntor të vitit të kaluar, ku si pasojë e shembjes së një pllake të madhe betoni janë vrarë 15 persona.

    Dorëheqje ka dhënë edhe kryetari i Novi Sadit, Millan Gjuriq.

    Për më shumë se dy muaj në Serbi, mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë e ndodhur në qytetin serb.

    Edhe pas vendimit të Vuçeviqit për dorëheqje, përfaqësuesit e studentëve në Serbi kanë thënë se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar dhe kanë paralajmëruar protesta të reja.

    Vuçiq, në anën tjetër, ka përsëritur se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur.

    Sipas tij, protestat dhe bllokadat i kanë shkaktuar dëm të madh ekonomisë së Serbisë dhe sektorit të investimeve, dhe njësoj sikurse Vuçeviq ka pretenduar se organizimi është bërë sipas “urdhrit nga jashtë”, por pa përmendur dikë në mënyrë specifike.

    Në natën mes 27 dhe 28 janarit, protestuesit janë përkrahur nga bujqit, të cilët kanë bllokuar me traktorët e tyre rrugë kryesore të kryeqytetit serb, Beogradit. Me kalimin e kohës, zemërimi për vdekjet në Novi Sad është zgjeruar me kërkesa tjera.

    Protestuesit kanë thënë se nuk janë të interesuar në politikë dhe nuk i shohin dorëheqjet si problemin kryesor. Ata insistojnë që institucionet serbe të punojnë siç duhet.

    “Ne do të dëshironim të jetonim në një shtet ku çdo institucion mund të bëjë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa korrupsion apo presion të jashtëm”, ka thënë studentja universitare, Jana Llomiq në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

    Lëvizja e studentëve nuk ka liderë. Ata i marrin vendimet me shumicë votash./REL