Etiketë: Arbër Shala

  • Plani i LDK-së për funksionalizimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në kuadër të reformave që parasheh t’i bëjë në Sistemin e Shëndetësisë në Kosovë, në rast se i fiton Zgjedhjet e 9 shkurtit ka renditur edhe funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

    Kandidati për Deputet nga radhët e kësaj partie, Izet Sadiku thotë se qysh në vitin e parë të qeverisjes së tyre do të fillojnë punën në këtë drejtim – duke i ndarë 140 milionë euro për rimbursimin e këtij Fondi.

    “Do të fillojë grumbullimi, ashtu siç është paraparë me Ligj. 3.5% i jep punëmarrësi dhe 3.5% i jep punëdhënësi. Mirëpo, shuma që mendohet të krijohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është rreth 140 milionë. Vitin e parë Qeveria do ta rimbursojë Fondin me 140 milionë euro, me qëllim që Fondi me fillu me dhanë shërbime qysh vitin e parë, para se me fillu grumbullimi i fondeve. Në vitin dytë, Fondi do të fillojë me dhanë shërbime…” – tha Sadiku.

    Mirëpo kur u pyet nga Visar Prebreza nga Krypometër, për funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, përgjigja ishte se kjo do të ndodhë në vitin e parë të qeverisjes së tyre.

    “Viti i parë i qeverisjes tonë.” – tha Izeti.

    Ndërsa bashkëpartiaku i tij, Ardian Shala tha se për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore është menduar që Sistemi i Shëndetësisë publike dhe private të bëhen bashkë dhe këto shërbime të blihen në këto dy Sisteme, me qëllim që shërbimet që nuk ofrohen në atë publik, të mund të merren në atë privat.

    “Me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore ne kemi menduar që dy Sistemet: ai privat dhe publik të bëhen një dhe shërbimet të blihen në dy shërbime të caktuara. Me këtë të sigurojmë që njerëzit që kërkojnë lëmoshë për trajtim jashtë vendit, [kjo çështje] të zgjidhet me Fondin për Sigurime Shëndetësore, që nëse nuk ka mundësi sektori publik, atëherë i bën ai privat.” – tha Shala.

    Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

    “Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar ndër të tjera, Xharra.

    Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/lajm/rritje-te-buxhetit-qender-te-re-spitalore-dhe-funksionalizim-te-sish-it-zotimet-e-ldk-se-per-shendetesine/