Etiketë: Bashkimi Evropian

  • Sorensen konfirmohet përfundimisht emisar për Dialogun Kosovë-Serbi

    Peter Sorensen ka marrë pëlqimin përfundimtar nga Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për postin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bllokut për Dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – raporton Radio Evropa e Lirë.

    Paraprakisht, më 24 janar ambasadorët e BE-së kishin konfirmuar Sorensenin në këtë post.

    Politikani nga Danimarka u zgjodh nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë post.

    Pasi ka marrë pëlqimin nga ambasadorët dhe kryediplomatët, Sorensen do të nisë mandatin më 1 shkurt.

    Emisarit aktual Lajçak i skadon mandati më 31 janar.

    Para nisjes së takimit në Bruksel të kryediplomatëve, ku Sorensen u konfirmua, ministrja e Jashtme e Sllovenisë Tanja Fajon tha se me zgjedhjen si emisar të diplomatit nga Danimarka po dërgohet mesazhi se Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.

    Kush është Sorensen?

    Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai është aktualisht Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

    Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Bosnjë e Hercegovinë dhe Shef i Zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe Shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

    Më herët Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe Përfaqësues i Posaçëm i Përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

    Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

    Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

    Për postin e lehtësuesit të Dialogut garoi edhe emri i ish-ministrit të Jashtëm të Finlandës, Pekka Haavisto, i cili po ashtu ka njohuri për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

    Për këto rol ishte përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor. Vitin e kaluar, ai pranoi se ishte i interesuar për këtë post. Por, gjatë janarit të këtij viti tha se nuk do të garonte për këtë post, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatik sesa politik.

    Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

    Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët – ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit – duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

    Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa Marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren./REL/

     

    https://kallxo.com/lajm/peter-sorensen-pritet-te-jete-pasardhesi-i-lajcakut-per-dialogun-kosove-serbi/

  • Hoti thotë se Serbia refuzoi të takohej në Bruksel me Komisionin e Përbashkët për të Pagjeturit

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti ka thënë se pala serbe ka refuzuar që të marrë pjesë në takimin e parë të Komisionit të Përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të Pagjeturit, që ishte planifikuar të mbahej sot më 15.01.2025, në Bruksel.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se kryenegociatori i Serbisë, Petar Pektoviq ka qenë në Bruksel, edhe pse takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e të pagjeturve dhe formati, sipas Hotit, ka qenë me zëvendësues të Komisioneve përkatëse të të dyja shteteve.

    “Prania e z. Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit.” – ka shkruar Hoti.

    Sipas tij, arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje është banal e i dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të të pagjetuve dhe se nuk ka të bëjë asgjë me temën për të cilën janë thirrur në Bruksel.

    “Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë, në raport me çështjen e personve të zhdukur.” – ka thënë Hoti.

    Në ndërkohë, Hoti ka bërë të ditur se delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe ka paraqitur kërkesat e palës kosovare.

    “…për këtë kemi marrë njoftimin nga z. Lajçak, që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona te vendet anëtare të BE-së.” – ka shkruar në fund Andin Hoti.

    Televizioni serb RTS ka raportuar se shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq është larguar nga takimi, për shkak të zhvillimeve lidhur me aksionin policor kundër strukturave ilegale serbe në Kosovë.

    “Kryenegociatori i Beogradit, Petar Petkoviq i ndërpreu e u largua nga bisedimet në Bruksel për shkak të terrorit të paparë e dhunës institucionale të Prishtinës e Albin Kurtit ndaj serbëve dhe mbylljes së institucioneve të shumta serbe në Kosovë.” – ka thënë delegacioni i Beogradit, më 15.01.2025.

    Me 13.01.2025, i dërguari i veçantë i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak kishte thënë se gjatë kësaj jave në Bruksel fokusi kryesor është te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.

    Së fundmi, në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia përmes përfaqësuesve të tyre në Dialog janë pajtuar për zbatim të plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur.

    Kjo Deklaratë e Përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime, si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Europian.

    https://kallxo.com/lajm/lajcak-thote-se-fokusi-i-javes-ne-bruksel-eshte-tek-takimi-i-pare-i-komisionit-te-perbashket-per-personat-e-zhdukur/

  • Takimi në Bruksel për personat e pagjetur – reagon Andin Hoti

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti ka dhënë detaje rreth takimit në Bruksel për personat e pagjetur.

    I dërguari i veçantë i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak ka njoftuar se gjatë kësaj jave në Bruksel fokusi kryesor është te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.

    Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se takimi që do të mbahet më 15.01.2025 në Bruksel, do të jetë takimi i parë inaugurues i Komisionit të Përbashkët.

    “Në këtë takim, Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues Delegacionit të Republikës së Kosovës.” – ka bërë të ditur Hoti.

    Sipas tij, takimi ka për qëllim përcaktimin e Planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e çështjeve të rëndësishme, sipas Hotit, për çështjen e personave të zhdukur.

    “Në këtë kontekst, delegacioni ynë do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiq dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë.” – ka shkruar në fund Hoti.

    Së fundmi, në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia përmes përfaqësuesve të tyre në Dialog janë pajtuar për zbatim të plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur.

    Kjo Deklaratë e përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Europian.

    https://kallxo.com/lajm/lajcak-thote-se-fokusi-i-javes-ne-bruksel-eshte-tek-takimi-i-pare-i-komisionit-te-perbashket-per-personat-e-zhdukur/