Etiketë: Dhunimi

  • Shefi i OpenAI-së mohon akuzat e motrës së tij për dhunim në fëmijëri

    Motra e Shefit ekzekutiv të Organizatës amerikane të Inteligjencës Artificiale – OpenAI Sam Altman, Anna Altman ka ngritur padi gjyqësore me pretendimin se ai e kishte abuzuar rregullisht seksualisht atë ndërmjet viteve 1997 dhe 2006 – ka raportuar, më 08.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

    Në padi, e cila është dorëzuar më 06.01.2025 në një Gjykatë qarku në Distriktin Jugor të Mizurit në Shtetet e Bashkuara, pretendohet se abuzimi kishte nisur kur ajo ishte 3 vjeç dhe Atlman ishte 12 vjeç.

    Në një deklaratë të përbashkët në X, me nënën dhe dy vëllezërit e tij, Atlman i ka mohuar dyshimet, duke theksuar se “të gjitha pretendimet janë krejtësisht të pavërteta”.

    “Të kujdesesh për një anëtar të familjes që përballet me sfida të shëndetit mendor është jashtëzakonisht e vështirë.” – thuhet në deklaratë. “Kjo situatë shkakton dhimbje të madhe për tërë familjen tonë”.

    Në padi, të cilën e ka parë BBC-ja, motra e Altman pretendon se abuzimi, që kishte ndodhur për disa vite me radhë, përfshinte edhe dhunimin.

    Në dyshimet e ngritura thuhet se abuzimi i pretenduar kishte ndodhur gjatë kohës kur Sam Atlman ishte i rritur, porse ajo ishte e mitur.

    Me padi kërkohet nga Gjykata një gjykim i drejtë dhe dëmshpërblime në vlerë prej 75 mijë dollarësh amerikanë.

    Anna Altman më parë kishte ngritur dyshime të ngjashme kundër vëllait të saj në platformat e mediave sociale, si X.

    Sam Altman është një prej figurave me profilin më të lartë të botës së teknologjisë.

    Në fund të vitit 2022, OpenAI lansoi Chatbotin e Inteligjencës Artificiale (AI) – ChatGPT.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com