Etiketë: Drejtesia

  • Gjykata ia bllokon Trumpit përkohësisht Urdhrin për ripërcaktimin e shtetësisë në lindje

    Një gjykatës federal ia ka bllokuar Administratës së Donald Trumpit zbatimin e Urdhrit Ekzekutiv të Presidentit republikan, që kufizonte të drejtën e nënshtetësisë automatike të së drejtës së lindjes në Shtetet e Bashkuara – duke e quajtur atë “në mënyrë flagrante jokushtetuese” – raporton të premten, më 24.01.2025, Reuters.

    Gjykatësi i Qarkut amerikan me qendër në Seattle, John Coughenour ka nxjerrë një Urdhër të përkohshëm ndalimi, duke i nxitur katër shtete të udhëhequra nga demokratët (Uashington, Arizona, Illinois dhe Oregon) ta pengojë Administratën të zbatojë Urdhrin. Trump e kishte nënshkruar Urdhrin të hënën – ditën e tij të parë të kthimit në Shtëpinë e Bardhë.

    Gjykatësi, i emëruar nga i ish-Presidenti republikan, Ronald Reagan vendosi pengesën e parë ligjore ndaj politikave të vijës së ashpër mbi imigracionin, që janë një element qendror i mandatit të dytë të Trumpit si President.

    “Natyrisht që ne do të apelojmë.” – ka deklaruar Trumpi për Vendimin e Coughenourit.

    Urdhri Ekzekutiv i Trumpit kishte urdhëruar Agjencitë amerikane që të refuzonin të njihnin shtetësinë e fëmijëve të lindur në Shtetet e Bashkuara, nëse as nëna dhe as babai i tyre nuk janë shtetas amerikanë ose rezident të përhershëm ligjshmërisht.

    Shtetet argumentuan se Urdhri i Trumpit shkelte të drejtën e parashikuar në Klauzolën e Nënshtetësisë së Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së SHBA-së, që parashikon se kushdo që është lindur në Shtetet e Bashkuara gëzon shtetësinë amerikane.

    “Unë kam në këtë detyrë qe më shumë se katër dekada. Nuk më kujtohet një rast tjetër, ku pyetja e paraqitur të jetë aq e qartë sa kjo. Ky është një Urdhër absolutisht antikushtetues.” – ka theksuar  Coughenour për politikën e Trumpit.

    Urdhri i Coughenourit, i shpallur pas një seance të shkurtër dëgjimore në një Sallë gjyqi të mbushur me gjyqtarë të tjerë, parandalon zbatimin e politikës së Trumpit në mbarë vendin për 14 ditë. Ndërkohë, gjyqtari shqyrton nëse do të lëshojë një Urdhër paraprak afatgjatë. Ai do të dëgjojë argumentet, nëse do ta bëjë këtë më 6 shkurt.

    Sipas Urdhrit të Trumpit, çdo fëmijë i lindur në Shtetet e Bashkuara pas 19 shkurtit, nëna dhe babai i të cilëve nuk janë shtetas amerikanë ose banorë të përhershëm të ligjshëm, do t’i nënshtrohen dëbimit dhe do të pengohen nga Sigurimet Shoqërore dhe përfitimet e ndryshme qeveritare.

    Avokati i Departamentit të Drejtësisë, Brett Shumate argumentoi se veprimi i Trumpit ishte kushtetues dhe urdhrin gjyqësor bllokues e quajti “të papërshtatshëm”. Por, përpara se Shumate të përfundonte përgjigjen, Coughenour njoftoi se tashmë e kishte nënshkruar Urdhrin e Ndalimit të Përkohshëm.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

     

  • Pakistani dënon ish-kryeministrin Khan me 14 vjet burgim për ryshfet

    Një Gjykatë pakistaneze e ka dënuar ish-kryeministrin Imran Khan me 14 vjet burgim, të premten, më 17.01.2026, në një rast korrupsioni për tokë – ka njoftuar transmetuesi lokal ARY News – njofton Reuters.

    Vendimi për këtë çështje, më i madhi për sa i përket keqpërdorimit financiar me të cilin u përball Khan, u shqiptua nga një Gjykatë antikorrupsion në një burg në qytetin garnizon, Rawalpindi, ku Khan është i burgosur prej gushtit 2023.

    Ish-ylli i kriketit, 72 vjeç, ishte paditur me akuzat se atij dhe gruas së tij iu dhurua tokë nga një magnat i pasurive të paluajtshme gjatë mandatit si Kryeministër, gjatë viteve 2018- 2022, në këmbim të favoreve të paligjshme.

    Khani dhe gruaja e tij, Bushra Bibi ishin deklaruar të pafajshëm. Shpallja e Vendimit u vonua tre herë – së fundmi edhe të hënën pas bisedimeve ndërmjet Qeverisë dhe partisë së Khanit.

    Bushra Bibi, e cila është në fund të 40-ave dhe ishte liruar me kusht, u dërgua në paraburgim pasi u shpall fajtore për të njëjtin rast – ka raportuar Geo News.

    “Ndërsa ne presim një Vendim të detajuar, është e rëndësishme të theksohet se, rasti i ‘Al-Qadir Trust’ kundër Imran Khanit dhe Bushra Bibit nuk ka ndonjë bazë të fortë dhe detyrimisht do të rrëzohet.” – ka shkruar në një deklaratë krahu i mediave i partisë së Khanit në Pakistan, Tehreek-e-Insaf.

    Vendimi është pengesa më e madhe për Khanin dhe partinë e tij, që nga rezultati çuditërisht i mirë në Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024, kur kandidatët e saj, të cilët u detyruan të konkurronin si të pavarur fituan shumicën e mandateve, por nuk arritën shumicën e nevojshme për të formuar një Qeveri.

    I burgosur që nga gushti 2023 Khan është përballur me dhjetëra raste, duke filluar nga akuzat për ryshfet dhe shpërdorim pushteti, deri te nxitja e dhunës kundër shtetit, pasi u hoq nga detyra në një votëbesim parlamentar në prill 2022.

    Ai ose shpallej i pafajshëm, ose i pezulloheshin dënimet në shumicën e rasteve, me përjashtim të njërit, bazuar mbi akuzën e nxitjes së mbështetësve për të sulmuar nëpër objektet ushtarake gjatë protestave kundër arrestimit të tij, më 9 maj 2023.

    Mbështetësit i kanë udhëhequr disa protesta të dhunshme që nga incidentet e 9 majit.

    Ai është gjykuar brenda burgut për arsye sigurie.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Trumpi do të fajësohej nëse nuk do të zgjidhej President – thotë Prokurori Special

    Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump do të fajësohej për përpjekje ilegale për të përmbytur rezultatin e Zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat i humbi, nëse nuk do të rizgjidhej me sukses në vitin 2024 – ka thënë njeriu që i ka prirë hetimit qeveritar amerikan kundër tij – raporton të martën, më 14.01.2025, transmetuesi britanik BBC.

    Dëshmitë kundër Trumpit ishin “të mjaftueshme për të siguruar dhe mbrojtur një dënim në gjyq” – ka shkruar prokurori special, Jack Smith, në një Raport që është publikuar pjesërisht.

    Trumpi ia ka kthyer, duke thënë se Smithi është “i marrë” dhe se gjetjet e tij ishin “të rreme”.

    Trumpi ishte akuzuar se u kishte bërë presion zyrtarëve, që ta përmbysnin rezultatin e vitit 2020, duke e ditur se po përhapte rrena për mashtrim zgjedhor dhe se ishte munduar të shfrytëzonte trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitolin Amerikan. Ai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për keqpërdorim.

    Trumpi, i cili ishte President në kohën e akuzave të supozuara, i kaloi katër vjet pastaj jashtë Presidencës – por do të rizgjidhej suksesshëm për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në Nëntor. Ai do të rikthehet në Presidencë javën e ardhshme.

    Pas suksesit në Zgjedhjet e vitit 2024, çështje të ndryshme legale janë rrëzuar. Edhe rasti i ndërhyrjes tashmë është hedhur poshtë. Smith thotë se i qëndron “plotësisht prapa” gjetjeve që i kishte sjellë gjatë hetimit dhe se mund ta mbronte rastin.

    Ai ka përmendur faktin se vetëm Kushtetuta amerikane ia ka ndaluar hetimin e një Presidenti në detyrë.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com