Etiketë: gjermania

  • Gjermania heton spiunazhin e dyshuar rus në Bazat e saj Ushtarake

    Policia gjermane tha se ka nisur një hetim për rastet e dyshuara të spiunazhit rus, pasi disa dronë u vunë re mbi disa instalime ushtarake në Bavari.

    Në vazhdën e luftës së Rusisë në Ukrainë, nuk përjashtohet mundësia që instalimet ushtarake gjermane dhe kompanitë e mbrojtjes, të jenë duke u spiunuar nga dronët – tha Zyra Shtetërore e Hetimit Kriminal e Bavarisë.

    Incidenti i fundit ndodhi të dielën vonë, kur një dron u pa mbi një Bazë Ushtarake pranë Manhingut – tha Policia, duke iu referuar një objekti të gjerë, ku forcat gjermane testojnë avionë të rinj me pilot dhe pa pilot.

    Dronët mbi këtë Bazë u panë edhe gjatë tri ditëve në dhjetor – sipas Policisë.

    Një tjetër fluturim i paautorizuar ndodhi po atë muaj, edhe mbi një instalim ushtarak në Nojburg an der Donau.

    Policia federale e Gjermanisë, Bundeskriminalamt, i paralajmëroi kompanitë në dhjetor se mund të kenë sabotues rusë në mesin e punonjësve dhe kontraktorëve të tyre.

    Rusia i mohoi këto akuza.

    Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Gjermanisë, Bruno Kahl tha muajin e kaluar se aktet e sabotimit të Rusisë kundër objektivave perëndimore mund ta shtyjnë NATO-n të thirret në Nenin 5 të Traktatit të Mbrojtjes.

    Sipas këtij Neni, nëse një anëtar i NATO-s sulmohet, anëtarët e tjerë të Aleancës janë të detyruar ta ndihmojnë atë që të përgjigjet./REL

  • Dhjetëra mijëra gjermanë shkojnë për të punuar jashtë vendit

    Ora tetë e mëngjesit. Somaeh Metzger troket në derën e zonjës Pennig-Chaussy dhe hyn brenda. “Mirëmëngjes, si jeni?” – thotë infermierja. “Gudde Moien” – përgjigjet ajo. Marie Josée Pennig-Chaussy është 94 vjeç dhe prej gjashtë vjetësh jeton në shtëpinë e të moshuarve “Op Lamp” në Wasserbillig, Luksemburg. Somaeh Metzger është 50 vjet më e re. Fillon procedura e zakonshme e kujdesit.

    Somaeh Metzger e vesh zonjën Pennig-Chaussy, e ndihmon të ngrihet nga shtrati, e vendos në një karrige me rrota dhe e çon në banjë. Pas dhjetë minutash kthehen në dhomë. Zonja Pennig-Chaussy kujdeset për vendosjen e buzëkuqit, edhe pse kujdestarja e ndihmon duke i mbajtur dorën që i dridhet. Ato diskutojnë për karrierën e mëparshme teatrore të zonjës së moshuar – herë në gjermanisht, herë në gjuhën e Luksemburgut, me plot fraza në frëngjisht.

    Shumë më mirë se në Gjermani

    Pothuajse 20 vjet më parë, Somaeh Metzger vendosi të linte punën e saj në një shtëpi të moshuarish në Gjermani dhe shkoi në Luksemburgun fqinj. Ajo mësoi gjuhën luksemburgase në një kurs të organizuar nga punëdhënësi i saj. Nga shtëpia e saj në Trier të Gjermanisë, ku jeton me familjen e saj, deri në vendin e saj të punës janë vetëm 13 kilometra. “Nuk jam penduar për vendimin tim për asnjë sekondë.” – thotë Metzger.

    Të tillë që shkojnë të punojnë në Luksemburg nga Gjermania ka shumë. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, mbi 52,000 gjermanë punojnë atje – 30% më shumë se një dekadë më parë. Shumica dërrmuese e tyre jetojnë ende në Gjermani dhe shkojnë në punë në Luksemburg. Vetëm në sektorin e Shëndetësisë dhe Kujdesit social janë të regjistruar 6,300 gjermanë – mes tyre të paktën 4000 kujdestarë si Somaeh Metzger.

    Kjo shihet edhe në vendin e saj të punës: mbi 80% e 147 punonjësve në Shtëpinë e të moshuarve “Op Lamp” janë gjermanë që kujdesen për 81 banorët e Shtëpisë së të moshuarve. “Ne nuk po kërkojmë veçanërisht kujdestarë nga Gjermania.” – thotë drejtoresha Mireille Wirtz-Lenertz. Por, në rajonin kufitar u përhap lajmi se kushtet e punës në Luksemburg janë shumë më të mira se në Gjermani. Nuk ka pothuajse asnjë orë më shumë jashtë orarit të punës, punonjësit respektohen, ndërsa paga është pothuajse dyfish më e lartë se në Gjermani. “Unë fitoj më shumë në Luksemburg duke punuar 60% të orarit, sesa në Gjermani kur punoja me orar të plotë.” – thotë Metzger.

    Shqetësime ka edhe në Luksemburg

    Luksemburgu me 670 mijë banorë së fundmi ka rritur sërish pagat e punonjësve në Kujdesin e të moshuarve dhe të sëmurëve. Me dhjetë vjet shërbim, një kujdestare në një shtëpi për të moshuar fiton rreth 65,000 euro në vit – plus bonuse. Ndërsa, një infermiere mund të marrë rreth 100,000 euro.

    Luksemburgu me sa duket është gati t’i paguajë kujdestarët edhe më mirë, sepse popullsia po plaket edhe atje. Sipas vlerësimit të Shoqatës së kujdestarëve “Copas”, në pesë vjetët e ardhshme do të jetë e nevojshme të plotësohen 4000 vende pune shtesë në sektorin e Përkujdesit: kujdestarë, infermierë, fizioterapistë e deri tek asistentët e kuzhinës. Por në Luksemburg, vetëm pak më shumë se 100 kujdestarë përfundojnë trajnimin e tyre çdo vit. Tashmë rreth 50% e infermierëve vijnë nga vendet fqinje. Wirtz-Lenertz ka frikë se do të bëhet më e vështirë për të gjetur kujdestarë nga Gjermania në vitet e ardhshme.”Pagat po rriten edhe atje.” – thotë ajo. Por, ajo është e sigurt për kushte më të mira pune, taksa më të ulëta dhe sigurisht pensione më të mira në Luksemburg.

    Gjendja në Gjermani

    Në të njëjtën kohë është një fatkeqësi për Shtëpitë e të moshuarve dhe Spitalet në anën gjermane të kufirit. Vetëm nga Spitali “Barmherzige Brüder” në Trier, 25 deri në 30 infermierë nisen për në Luksemburg çdo vit – thotë Jörg Mogendorf, drejtor i Departamentit të Infermierisë së Spitalit. “Tendenca po rritet.” – shpjegon ai. Edhe Dhoma e Punëtorëve të Kujdesit të shtetit të Rheinland-Pfalz dëshmon se situata “nuk është përmirësuar aspak. Përkundrazi: është përkeqësuar.” Presidenti Markus Mai mendon se mund të bëhet pak kundër pagave të shkëlqyera në vendet fqinje: “E vetmja gjë që mund të bëhet është rritja e përgjithshme e numrit të punonjësve në rajonet e prekura. Por, Dhoma jonë ka pak ndikim ose mundësi për të ndryshuar gjendjen”.

    Nuk kthehem!

    Somaeh Metzger nuk do të kthehet në Gjermani: “Në Gjermani kam qenë përgjegjëse për nëntë ose dhjetë të moshuar në një turn, kam punuar shpesh 15 ditë pa pushim. Në Luksemburg kam pesë persona për të cilët kujdesem.” Ajo nuk beson se gjërat do të ndryshojnë. Në Luksemburg punëdhënësi respekton dëshirat e saj kur organizon orarin. Somaeh Metzger është jashtëzakonisht e kënaqur: “Unë mund të balancoj punën dhe jetën time private pa vështirësi.” Në Gjermani ka gjithnjë e më shumë që mendojnë si Metzger dhe largohen, jo vetëm në sektorin e Kujdesit./ DW

  • Rritja e inflacionit në Gjermani

    Vala e madhe e rritjes së çmimeve në Gjermani është thyer, por norma e inflacionit është rritur kohët e fundit. Cilat janë shkaqet?

    Inflacioni në Gjermani mbetet më i lartë sesa është pritur. Me një normë prej 2.6%, dhjetori solli rritjen e tretë radhazi dhe normën e dytë më të lartë të inflacionit në vitin 2024 – njoftoi Zyra Federale e Statistikave në Gjermani. Ekonomistët aktualisht nuk presin një ulje të ndjeshme të çmimeve të konsumit, por besojnë se nuk ka gjasa një valë e re e madhe e rritjes së çmimeve.

    “Në janar inflacioni mund të mbetet në një nivel të ngjashëm, për shkak të çmimeve më të larta të karburanteve dhe shërbimeve të sigurimit.” – parashikon ekonomisti i Commerzbank Jörg Krämer. Ai shton: “Problemi i inflacionit nuk është zgjidhur ende.”

    Michael Heise, ekonomist në HQ Trust, nuk sheh ndonjë lehtësim për konsumatorët as në janar. Rritja e taksës së dioksidit të karbonit, rritja e çmimit të biletës së transportit publik, kostot në rritje të sigurimeve shëndetësore dhe shërbimeve ekonomike mund të rezultojnë me një rritje të çmimeve prej rreth 2.5% – thotë ai.

    Inflacioni vjetor 2.2%

    Pavarësisht rritjes së infoacionit në dhjetor, inflacioni në Gjermani ka rënë dukshëm në krahasim me vitet e kaluara. Sipas të dhënave statistikore, për vitin 2024 mesatarisht çmimet e mallrave dhe shërbimeve janë rritur me 2.2% – krahasuar me një vit më parë. Sa për krahasim, norma e inflacionit në vitin 2023 ishte 5.9%, ndërsa në vitin 2022 ishte 6.9%. Si rezultat i sulmit rus në Ukrainë në shkurt 2022 çmimet e produkteve të energjisë u rritën ndjeshëm. Edhe në vitin 2021 inflacioni ishte dukshëm më i lartë, me një normë mesatare prej 3.1%.

    Inflacioni mbi 2%

    Ekonomistët presin që inflacioni të mbetet mbi nivelin e 2% gjatë vitit 2025. Disa ekspertë shohin më pak hapësirë ​​për Bankën Qendrore Evropiane (BQE) për të ulur normat e interesit. Megjithatë, asnjë ekspert nuk pret një valë të re rritjesh të çmimeve, si ato në 2022 dhe 2023, kur norma e inflacionit në ekonominë më të madhe të Evropës arriti në pothuajse 9%. Në vend të kësaj, norma vjetore e inflacionit për vitin 2025 pritet të jetë në nivelin e vitit 2024, e disa ekspertë thonë se ajo mund të jetë rreth 2.1%.

    Normat më të larta të inflacionit ulin fuqinë blerëse të konsumatorëve. Inflacioni anulon edhe efektin e rritjes së të ardhurave. Në dhjetor më së shumti janë rritur shërbimet me rreth 4.1%. Ushqimet janë rritur mesatarisht me rreth 2%. Ndërsa, çmimet e karburanteve kanë rënë me 1.7%. Pavarësisht krizës, shumë ekonomistë mendojnë se gjendja do të stabilizohet në masë në vitin 2025./DW