Etiketë: Gjykata

  • Informacioni i rremë se ‘është dënuar Granit Plava’, ai ende është në gjykim

    Rreth një javë pasi ishte ngritur aktakuza ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tomë Dodajt, në rrjetin social Tiktok  (arkiva) qarkulloi një video me mbishkrimin “Flet i denuari qe e beri vrasjen e Liridones qe kishte paguar Naim Murseli per vrasjen e gruas”.

    Informacioni se Granit Plava është “i dënuar” në lidhje me këtë rast, është i pasaktë, pasi Plava ende nuk është shpallur fajtor dhe nuk është dënuar nga Gjykata për vrasjen e Ademajt.

    Më 27.01.2025 ishte caktuar data e nisjes së gjykimit ndaj të akuzuarve. Kjo konsiderohej seanca e parë për këtë gjykim, në të cilin parashihej që të bëhej leximi i aktakuzës dhe deklarimi se a ndjehen apo jo fajtor të akuzuarit për veprat që rëndojnë mbi ta.

    Mirëpo, për shkak të mungesës së shkresave të lëndës për palët e akuzuara, është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar. Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për datën 31.01.2025.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë më 15.01.2025, ndaj katër personave që dyshohen se lidhen me vrasjen e Liridona Ademajt.

    Çka thotë aktakuza për vrasjen e Liridona Ademajt?

    Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla e Tom Dodaj janë katër persona, të cilët tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – incident ky që u regjistrua më 29.11.2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

    KALLXO.com ka arritur që të sigurojë Aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurorja, Javorka Prlinçeviq. Kjo e fundit në një Konferencë që u thirr nga kryeprokurori Zejnullah Gashi, tha se vonesa e Aktakuzës është si shkak i disa dokumenteve dhe kërkesave që ka kërkuar nga Suedia, për të zbardhur motivin që  çoi në vrasjen e Liridona Ademajt.

    Prokurorja e rastit ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – siç përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.

    Gjithmonë sipas Aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitonte dobi financiare.

    Këtë plan Dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me djalin e tezës së tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryente vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.

    Sipas Dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blejnë një armë të tipit ‘Zastava” me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.

    Në të njëjtën ditë, Dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin me të cilin paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar të cilin e kanë inskenuar që të dukej si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.

    Në Dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës, më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli, Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale të “vrasjes së rëndë”.

    I pandehuri i dytë Granit Plava, sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, akuzohet se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E për të gjithë këtë rast, Plava do të kompensohej me një shumë prej 30 mijë euro.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.

    Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e tashmë të akuzuarit  Granit Plava, në fshatin Cermjan të Gjakovës. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.

    Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.

    I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, djali i tezës së Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.

    Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale të vrasjes së rëndë. E i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë, të cilët planifikuan vrasjen.

  • Gjykata vërteton diskriminimin në pagë të aktorit të Teatrit Kombëtar

    Gjykata Themelore në Prishtinë (GJTHP), Departamenti i përgjithshëm ka vërtetuar diskriminimin në pagë nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndaj aktorit Naim Berisha, anëtar i Trupës Rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës, për periudhën 01.07.2011 deri 30.04.2015.

    Përmes Aktgjykimit të datës 19.12.2024, GJTHP e ka aprovuar në tërësi si të themeltë Kërkesëpadinë e aktorit Naim Berisha kundër MKRS-së – duke e detyruar këtë të fundit që t’ia paguajë aktorit Berisha diferencën e ndryshimit në pagë për periudhën kohore 01.07.2011 – 30.04.2015.

    Aktgjykimi i datës 19.12.2024 i GJTHP-së vjen pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese – KI137/23, të datës 18. 01.2024, publikuar më 20.02. 2024, përmes së cilës konstatohet se tre Aktgjykimet paraprake të Gjykatës së rregullt – përfshirë Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë (2015), Gjykatës së Apelit (2019) dhe Gjykatës Supreme (2022) – nëpërmjet të cilëve i ishte refuzuar Kërkesëpadia aktorit Berisha, ishin nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën, provat dhe Ligjet e aplikueshme në Kosovë.

    Kushtetuesja, më 19.01. 2024, konstatoi se Aktgjykimi i Supremes ka pasur shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të paraparë me Nenin 31, Paragrafi 1 të Kushtetutës në ndërlidhje me të drejtën për një proces të rregullt të paraparë me Nenin 6, Paragrafi 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Vendimi i Kushtetueses bëri që rasti i Berishës të rigjykohet.

    Aktgjykimi i Gjykatës

    Më 19.12.2024, GJTHP e ka vërtetuar diskriminimin në pagë për periudhën 4 vjeçare (2011-2015) të aktorit Berisha nga MKRS-ja – duke e obliguar këtë të fundit të paguajë diferencën në pagë, diferencën e kontributit pensional, tatimit dhe kamatën ligjore.

    Më 2012 Berisha kishte ushtruar padi në Gjykatë për diskriminim në pagë, në raport me kolegët e tij.

    Sipas Vendimit të GJTHP-së, MKRS me mospagesën e njëjtë të Berishës në raport me kolegët e tij, ka shkelur të drejtat e tij që kanë të bëjë me kushtet e punësimit dhe pagesës – duke bërë diskriminim të drejtpërdrejtë, përkatësisht duke shkelur Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi.

    “Përfundimisht, Gjykata vlerëson se e paditura (MKRS) me rastin e mospagesës së njëjtë të paditësit, sikurse kolegët e tij për punën e njëjtë ka bërë diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj tij – duke e trajtuar në mënyrë më pak të favorshme sesa janë trajtuar të punësuarit e tjerë në pozitat e përmendura.” – thuhet në Aktgjykim.

    Po sipas këtij Aktgjykimi, meqë Gjykata gjeti se e paditura (MKRS) me veprimet e saj ka bërë diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj paditësit (Naim Berisha) vendosi të detyrojë të paditurën (MKRS) që paditësit t’ia kompensojë shumën e caktuar sipas Aktgjykimit.

    Rruga e gjatë për drejtësi e aktorit Naim Berisha

    Aktori Berisha tha për KALLXO.com se fatura që i është dashur të paguajë për shkak të përcaktimit të tij për mbrojtje të të drejtave të punëtorëve dhe ligjshmërisë në Teatrin Kombëtar ka qenë shumë e shtrenjtë.

    Diskriminimi në pagë ka thënë ai është vetëm njëri ndër sulmet që atij i janë bërë gjatë kësaj qëndrese për drejtësi.

    “Gjykata më në fund pas 14 vjetëve aprovoi padinë dhe konfirmoi diskriminimin. Kërkimi i drejtësisë në Gjykatë ishte i rëndë, po aq sa diskriminimi. Kjo lëndë është refuzuar fillimisht nga tre instancat e Gjykatës së rregullt – përfshirë Gjykatën Themelore, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Supreme.” – tha Berisha për KALLXO.com.

    Berisha ka thënë se vetëm pas aprovimit nga Gjykata Kushtetuese dhe shkeljeve që kjo Gjykatë konstatoi, ky rast arriti të marrë rrugën drejt zgjidhjes, i cili pas shqyrtimit të dytë nga Gjykata Supreme u aprovua për të arritur në këtë epilog ku jemi tani, ku Gjykata e faktit, respektivisht Gjykata Themelore në Prishtinë, aprovon padinë – duke e vërtetuar diskriminimin.

    “Vlen të përmendet se nga Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Ministria e Kulturës nëpërmjet gradimeve të paligjshme vazhdoj të jem i diskriminuar, në kundërshtim me përvojën dhe përgatitjen akademike. Madje, TKK  ka mbi një vjet që nuk e zbaton Vendimin e Komisionit të Ankesave të MKRS-së, nëpërmjet të cilit vërtetohet se unë në kundërshtim me përvojën, rrethanat dhe përgatitjen akademike jam kategorizuar në kategori jomeritore.” – ka thënë Berisha.

    Ndërsa MKRS nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com – lidhur me Aktgjykimin e GJTHP-së.

    Përgjegjësia për gradimin e aktorëve në TKK bie mbi Këshillin Drejtues të tij. Ky i fundit nuk është përgjigjur në interesimin e KALLXO.com – lidhur me pretendimet e Berishës se ende vazhdon të jetë diskriminuar si aktor i TKK-së, përkatësisht moszbatimin e Vendimit të Komisionit të Ankesave.

    Më 2011 Qeveria miratoi Rregulloren për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore. Miratimi i saj i hapi rrugë legalizimit të vendeve të punës edhe të aktorëve të TKK-së. Por, pavarësisht shkollimit superior, përvojës dhe vlerësimeve të larta për interpretim në skenë nga kritika, Berisha diskriminohet në pagë në raport me kolegët e tij, i cili për punën e njëjtë për katër vjet me radhë u pagua dukshëm më pak (gjysmë page), se sa kolegët e tij me të njëjtin status, me të njëjtën përvojë pune dhe me të njëjtën përgatitje akademike.

     

     

  • Shkup, Gjykata Penale liron të akuzuarit për ngjarjet e dhunshme të vitit 2017 në parlament

    Gjykata Penale në Shkup i liroi të enjten katër të akuzuarit për organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlamentin e vendit në vitin 2017, pasi prokuroria dhe Gjykata e Apelit kërkuan që ata të përfshiheshin në Ligjin e Amnistisë.

    Ngjarja ishte cilësuar atëherë si përpjekje terroriste për rrënimin e rendit shtetëror, ndërsa katër të akuzuarit, njëkohësisht zyrtarë të lartë të kohës së VMRO-DPMNE-së, sipas akuzës kishin mobilizuar persona për t’u futur me forcë në parlament dhe për të ushtruar dhunë.

    Katër të akuzuarit kryesorë për organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlamentin e Maqedonisë së Veriut më 27 prill të vitit 2017, ish-Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristevski dhe Mile Janakievski dhe ish-drejtori i shërbimit sekret, Vladimir Atanasovski u lanë të lirë sot nga Gjykata Penale.

    Rasti i tyre përfshihet në Ligjin e Amnistisë të miratuar në vitin 2018, ndonëse ata akuzoheshin për veprën “rrezikim terrorist ndaj rendit shtetëror”.

    Procesi gjyqësor zgjati gjashtë vjet; në gjykimin e parë të vitit 2021 Trajko Veljanovski u dënua me 6 vjet e gjysmë heqje lirie dhe tre të tjerët me nga gjashtë vjet burg, por Gjykata e Apelit vitin e kaluar e ktheu rastin për rigjykim në shkallën e parë.

    Gjykatësi Ilija Tërpkov tha se “shkatërrimi i Parlamentit paraqet shkatërrimin e shtetit”. “Personalisht por dhe si juri e gjykatës vlerësojmë se qëllimi i ligjvënësve me Ligjin për Amnistinë nuk ishte bërë për të falur organizatorët, por gjithnjë ka një ‘por’ dhe Prokuroria e Përgjithshme si dhe Gjykata e Apelit vendosën që tre të akuzuarit nuk kanë vepruar në kundërshti me autorizimin e tyre”, u shpreh gjykatësi Tërpkov.

    “Mund të shkoni. Jeni të lirë!”- iu drejtua gjykatësi të akuzuarve, ndërsa shtoi se “shkatërrimi i parlamentit dhe rrahja e deputetëve nuk është një akt patriotizmi”. Në një mesazh për të akuzuarit tjerë gjykatësi u shpreh: “Uleni kokën dhe kërkoni falje nga shteti, siç bënë këta këtu dhe mos lejoni që dikush t’ju manipulojë”.

    Katër të akuzuarit, njëkohësisht zyrtarë të lartë të kohës së VMRO-DPMNE-së akuzoheshin se më 27 prill të vitit 2017 kishin organizuar hyrjen e grupeve në parlament dhe se angazhonin persona për të ushtruar dhunë. “Nga selia e VMRO-së, Janakievski dhe Ristovski vazhdimisht mobilizonin anëtarë të partisë nga Shkupi dhe qytete ë tjera për t’u futur me forcë në parlament”, sipas akuzës.

    Njëri nga mbrojtësit e të akuzuarve theksoi se bëhej fjalë për një proces të montuar politik me qëllim të lirimit të organizatorëve të vërtetë të ngjarjeve.

    “Edhe më parë, por edhe tani i bëjmë thirrje prokurorit të përgjithshëm që të hetojë se kush janë organizatorët e vërtetë”, tha avokati Jordan Apostollski.

    Megjithatë, edhe avokatët pajtohen se ligji nuk amniston organizatorët e vërtetë të ngjarjeve të dhunshme në parlament.

    Grupet dhe individët e dhunshëm sulmuan fizikisht deputetët e Lidhjes Social Demokrate dhe Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët, teksa ky i fundit e pësoi më rëndë.

    Ngjarjeve iu parapriu revolta e nxitur në parlament nga ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së, kur Talat Xhaferi i Bashkimit Demokatik për Integrim u zgjodh për kryetar të parlamentit.

    Aleanca për Shqiptarët ka theksuar më parë se me ardhjen e VMRO-së në pushtet, u inkurajuan të gjitha elementet antishqiptare brenda shtetit, në gjyqësor dhe prokurori. “Falja e pjesëmarësve të kësaj ngjarjeje është vetëm inkurajim për ata që cënuan rendin kushtetues të shtetit; ushqen nacionalizmin dhe legalizon terrorizmin si formë të veprimit”, qenë shprehur para pak javësh përfaqësuesit e lartë të Aleancës për Shqiptarët./VOA