Etiketë: ibrahim rugova

  • Ambasada amerikane kujton presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën

    Ambasada amerikane në Kosovë ka përkujtuar presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, në 19-vjetorin e vdekjes së tij. 

    Përmes një shkrimi, Ambasada ka thënë se trashëgimia dhe vizioni i Rugovës vazhdojnë të jenë frymëzim në Kosovë dhe në botë. 

    “Dje, e Ngarkuara me Punë Anu Prattipati iu bashkua Presidentes Vjosa Osmani për të nderuar Dr. Ibrahim Rugova në 19-vjetorin e vdekjes së tij. Trashëgimia dhe vizioni i tij vazhdojnë të jenë frymëzim këtu në Kosovë dhe në mbarë botën”- shkruan Ambasada amerikane në Kosovë.

    Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës.

    Ai vdiq më 21.01.2006 pas një sëmundjeje të rëndë.

  • Presidenca e Kosovës e riparon veturën që i shpëtoi jetën presidentit Rugova nga eksplozivi

    Para 20 vjetësh përdorej nga presidenti Ibrahim Rugova. 20 vjet më vonë, vetura e presidentit historik të Kosovës u pa përsëri në rrugë më 21.01.2025, pasi presidentja Vjosa Osmani vendosi ta riparojë atë.

    Osmani me këtë veturë udhëtoi për homazhe te varri i presidentit Rugova në 19-vjetorin e vdekjes së tij.

    Nga kabineti i presidentes Vjosa Osmani për KALLXO.com thanë se vetura do të përdoret vetëm për raste solemne dhe do të ruhet në garazhin e Presidencës së Kosovës.

    Riparimi i veturës, që është prodhim amerikan, Zyrës së Presidencës i ka kushtuar 16 mijë e 700 euro. Përveç në pjesët motorike, sikurse servisimi i motorit është riparuar edhe pjesa e jashtme e veturës dhe janë ndërruar xhamat që ishin të thyer.

    Po ashtu është ndërhyrë edhe në pjesën e brendshme të veturës, ku është bërë riparimi i enterierit dhe është ndërhyrë edhe në mekanizmin e ulëseve.

    Pikërisht falë kësaj veture të fuqishme e modifikuar në nivelin më të lartë të blindimit, ish-presidenti Rugova i shpëtoi një atentati.

    Më 15 mars të vitit 2005, teksa eskorta e ish-presidentit Rugova po lëvizte në këtë rrugë që tash quhet “Agim Ramadani” u bë atentat ndaj tij.

    Kur vetura në të cilën ndodhej Rugova erdhi pikërisht në atë vend, ndodhi një shpërthim. Eksplozivi dyshohet se ishte vendosur në disa kontejnerë.

    Rugova i shpëtoi atentatit dhe më pas u takua në Prishtinë me ish-Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Europian, Javier Solana.

    Vetura e ish-presidentit Rugova e cila u përdor të martën për homazhe nga presidentja Vjosa Osmani, do qëndrojë e ekspozuar në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë, deri më 23.01.2025.

    Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës. Ai vdiq më 21.01.2006 pas një sëmundje të rëndë.

  • Kryeministri Kurti për presidentin Rugova: I ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore

    Në 19-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar duke e cilësuar si një njeri paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë.

    Sipas Kurtit, Rugova luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në fillim të viteve 1990.

    “Në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008”- tha Kurti.

    Kurti tha se Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, duke theksuar se është shtuar edhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman për presidentin Rugova.

    “Në muajt e fundit, korpusit të botimeve për Presidentin Ibrahim Rugova, u është shtuar dhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman për Presidentin Rugova. I përgatitur për botim nga studiuesi Bejtullah Destani, ky libër mund të merret si një hyrje e mirë për t’u njohur me profilin politik të Presidentit Rugova, parë nga perspektiva e raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe si një mënyrë për ta kujtuar atë në këtë përvjetor të vdekjes së tij”- tha Kurti.

    I pari i Qeverisë shtoi se këto botime u bënë në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për presidentin Ibrahim Rugova në 19-vjetorin e vdekjes së tij.