Etiketë: IPK

  • IPK nis hetime për një rast të shkrepjes aksidentale të armës së zjarrit të një zyrtari policor në Mitrovicë të Jugut

    Inspektorati Policor i Kosovës njofton se ka nisur hetimet për një rast të shkrepjes aksidentale të armës të një zyrtari policor.

    Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, ka konfirmuar për KALLXO.com se rasti ka ndodhur në një pompë të derivateve në afërsi të Mitrovicës së Jugut, të martën, më 28.01.2025. 

    Beka tha se për këtë rast nuk ka ndonjë të lënduar, por se janë shkaktuar vetëm dëme materiale. 

    “Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim më prokurorin kompetent kurse veprimet tjera do të ndërmirren konform autorizimeve ligjore të Inspektoratit Policor”- theksoi Beka. 

    Për rastin ai tha se IPK është njoftuar nga Policia.

  • Çka dihet deri më tani për aksidentin e trafikut me tre të vdekur?

    Në rrugën rajonale Pejë – Mitrovicë mbrëmjen e së dielës, më 26.01.2025, ndodhi një aksident trafiku me fatalitet. 3 persona vdiqën e disa të tjerë u lënduan rëndë.

    Gjurmët e aksidentit me fatalitet vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes, në segmentin e rrugës Pejë-Mitrovicë, në fshatin Çubrel të Skenderajt.

    Derisa ekipi i KALLXO.com më 27.01.2025 ishte në vendin ku ndodhi aksidenti, një patrullë e Policisë mori nga vendi i ngjarjes targën e automjetit zyrtar dhe disa gjësende të tjera.

    Në aksidentin ku vdiqën 3 persona të një familjeje, e mbetën të lënduar edhe 5 persona, katër prej tyre zyrtarë policorë, ishin të përfshira një veturë e Policisë së Kosovës dhe një veturë civile.

    Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës, dyshohet se drejtuesi i automjetit të Policisë nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dhe ka dalë në korsinë tjetër, teksa dyshohet se e ka goditur veturën civile.

    “Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes duke ju bashkëngjitur edhe ekipeve tjera policore dhe prokurorisë në këqyrjen e vendit të ngjarjes. Aksidenti raportohet të ketë ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë në fshatin Çubrel në ora 18:40. Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet  se aksidenti ka ndodhur si rezultat   i  mos përshtatjes së shpejtësisë së  lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili  ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile. Si pasojë e aksidentit tre persona (të cilët kanë qenë në veturën civile) një mashkull dhe dy femra fatkeqësisht kanë ndërruar jetë.”- thuhet mes tjerash në komunikatën e Inspektoratit të Policisë.

    Derisa, IPK-ja, flet për dyshime se aksidentin e shkaktoi zyrtari policor, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, rreth 200 metra larg vendit të ngjarjes ku ndodhi aksidenti, shenja e komunikacionit tregon se shpejtësia maksimale e lejuar në këtë pjesë të rrugës është 50km/h.

    Policit i cili dyshohet se ishte duke vozitur veturën zyrtare i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Siç mëson KALLXO.com, dy zyrtarë policorë janë duke u trajtuar në Kliniken e Ortopedisë. Për shkak të lëndimeve në tru, një tjetër zyrtar policor, pas operacionit po trajtohet në Klinikë e Neurokirurgjisë.

    Sipas Policisë, nga janari i vitit 2024 deri më 27 janar të vitit 2025, në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, kanë ndodhur 27 aksidente, një prej tyre me fatalitet.

    KALLXO.com në anën tjetër mëson se zyrtarët policorë janë të Njësisë Speciale Kufitare nga Peja dhe të njëjtit ishin duke shkuar në punë në Mitrovicë.

  • Shkak i aksidentit në Çubrel dyshohet se ishte mospërshtatja e shpejtësisë së veturës së Policisë

    Aksidenti i cili shënoi tre viktima, më 26.01.2025, i cili u regjistrua në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë në fshatin Çubrel, në ora 18:40 po dyshohet se u shkaktua nga mospërshtatja e shpejtësisë së veturës së Policisë.

    Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se rreth orës 19:00 janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku, ku ishte përfshirë një automjet zyrtar i Policisë dhe një veturë civile.

    Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke iu bashkëngjitur edhe ekipeve të tjera policore dhe Prokurorisë në këqyrjen e vendit të ngjarjes.

    “Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të Policisë, i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

    Si pasojë e aksidentit tre persona të cilët kanë qenë në veturën civile, një burrë dhe dy gra, kanë vdekur.

    Trupat e pajetë të tre viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër zyrtarë policorë dhe një qytetar nga vetura civile, të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

    “Si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të Policisë në momentin e aksidentit, përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Prokurorin kompetent.” – thuhet tutje në njoftimin e IPK-së.

    KALLXO.com raportoi në lidhje me aksidentin që u shënua mbrëmë, më 26.01.2025.

    https://kallxo.com/lajm/aksidenti-me-tre-te-vdekur-ne-cubrel-te-skenderjat-kater-police-dhe-nje-qytetar-me-lendime-te-renda/