Etiketë: koreja e veriut

  • SC Gjilani aranzhon ndeshje miqësore me ekipin kombëtar të Koresë së Veriut

    Klubi i futbollit SC Gjilani ka njoftuar se gjatë janarit të këtij viti do të zhvillojë një ndeshje miqësore me ekipin kombëtar të Koresë së Veriut.

    Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, në të cilën janë zbuluar kundërshtarët në ndeshjet miqësore, të cilat SC Gjilani do t’i zhvillojë në kuadër të fazës përgatitore në Turqi, para fillimit të stinorit pranveror.

    Sipas njoftimit, SC Gjilani do t’i zhvillojë gjithsej katër ndeshje miqësore.

    Më 18.01.2025 do të luajë kundër FC Kaysar dhe më 22.01.2025 do të luajë kundër FC Elimai, të dy këto ekipe nga superliga e Kazakistanit.

    Më pas, më 25.01.2025 do të luajë kundër FC Krumovgrad nga Bulgaria.

    Dhe më 28.01.2025 do të luajë kundër Kombëtares A të Koresë së Veriut.

    Në një përgjigje për KALLXO.com, Drlion Sylejmani, zëdhënës i SC Gjilanit, ka thënë se miqësorja me ekipin e Koresë së Veriut është aranzhuar përmes një agjencie.

    “Zakonisht në fazë përgatitore kur të vijmë, merret një kompani, një agjenci që na gjen kundërshtarët për ndeshjet miqësore” – ka thënë Sylejmani përmes telefonit.

    Ai ka thënë se edhe në të kaluarën ekipi i Gjilanit ka zhvilluar ndeshje miqësore me ekipet, shtetet e të cilave nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

    Aktualisht SC Gjilani gjendet në vendin e gjashtë të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, me 21 pikë të tubuara pas 18 ndeshjeve.

    Lider i Superligës është ekipi tjetër nga Gjilani, KF Drita me 40 pikë, 7 më shumë se vendi i dytë, KF Ballkani.

  • Koreja e Veriut lëshon raketa me rreze të shkurtër

    Koreja e Veriut lëshoi disa raketa balistike me rreze të shkurtër nga bregu i saj lindor të martën, tha ushtria e Koresë së Jugut, duke shënuar një tjetër demonstrim fuqie, disa ditë para rikthimit në detyrë të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

    Raketat udhëtuan rreth 250 km pas ngritjes rreth orës 09:30 të mëngjesit nga Kanggye, në Provincën Jagang, afër kufirit të vendit me Kinën, tha Këshilli i Përbashkët i Shefave të Shtabit të Seulit (JCS).

    “Ne e dënojmë fuqishëm këtë lëshim si një provokim të qartë që kërcënon seriozisht paqen dhe stabilitetin në gadishullin korean.” – tha JCS, duke e paralajmëruar Korenë e Veriut për “keqinterpretimin” e situatës dhe duke premtuar se do të “përgjigjen me forcë” ndaj çdo provokimi të mëtejshëm.

    Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Choi Sang-mok e dënoi gjithashtu lëshimin si një shkelje të Rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe tha se Seuli do të përgjigjet ashpër ndaj provokimeve të Koresë së Veriut.

    Zyra Presidenciale e Seulit tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare mbajti një takim për të shqyrtuar situatën dhe premtoi një qëndrim të palëkundëshëm.

    Komanda Indo-Pacifike e SHBA-së e dënoi këtë testim, duke i kërkuar Pjongjangut të heqë dorë nga veprime të mëtejshme të paligjshme dhe destabilizuese.

    Sekretari i Kabinetit të Japonisë, Yoshimasa Hayashi tha se ishte në dijeni të testit të raketave dhe se Tokio po merrte të gjitha masat e mundshme për të përgjigjur përmes bashkëpunimit të ngushtë me Uashingtonin dhe Seulin – përfshirë ndarjen në kohë reale të të dhënave të paralajmërimeve për raketa.

    Lëshimi ndodhi rreth një javë pas lëshimit nga Koreja e Veriut të një rakete balistike hipersonike me rreze të mesme, që pretendoi se ishte një raketë e re, e cila ishte testi i parë i raketave që nga 5 nëntori.

    Lëshimi i fundit i raketave gjithashtu ndodhi gjatë një vizite në Seul të ministrit të Jashtëm të Japonisë, Takeshi Iwaya.

    Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Tae-yul dhe Iwaya e dënuan zhvillimin e armëve dhe raketave të Koresë së Veriut të hënën dhe premtuan të forcojnë lidhjet e sigurisë pas bisedimeve në Seul.

    Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, gjatë vizitës në Seul javën e kaluar, bëri gjithashtu thirrje për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe trilateral – përfshirë Tokion, për të kundërshtuar më mirë kërcënimet në rritje ushtarake të Pjongjangut.

    Lëshimi i të martës ndodhi disa ditë para inagurimit të presidentit amerikan, Trump, i cili zhvilloi Samite me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë mandatit të tij të parë dhe e vlerësoi marrëdhënien e tij personale me të.

    Ligjvënësit e Koresë së Jugut, pas një informimi nga Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare, thanë të hënën se testet e armëve të fundit të Pjongjangut ishin pjesërisht të synuara për “të shfaqur asetet e tij ndaj SHBA-së dhe për të tërhequr vëmendjen e Trump”, pas premtimit të “kundërveprimit më të ashpër kundër SHBA-së”, në një takim kyç politik në fund të vitit të kaluar./REL

  • Ukraina thotë se po merr informacione ‘të dobishme’ nga ushtarët e kapur koreano-veriorë

    Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës (HUR) tha se dy ushtarët koreanoveriorë, të cilët u kapën teksa po luftonin për Rusinë, po vazhdojnë të merren në pyetje.

    Kievi ka thënë se është i gatshëm t’i këmbejë ata me ushtarët ukrainas të cilët mbahen nga Moska – nëse udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un mund të organizojë një këmbim të tillë.

    Duke folur me Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë më 13 janar, Yevhen Yerin, përfaqësues i HUR-it, tha se kapja gjallë e ushtarëve të Koresë së Veriut – hera e parë që Ukraina njofton për një gjë të tillë që kur ushtarët koreanoveriorë hynë në luftë për të mbështetur Rusinë – i ofrojnë Kievit “shumë mundësi të dobishme”.

    “Informacioni që mund të mbledhim nga këta individë është i rëndësishëm jo vetëm për inteligjencën operacionale, por edhe si mjet politik për të zbuluar pjesëmarrjen e Ushtrisë së Koresë së Veriut në veprimet ushtarake të Rusisë.” – tha ai.

    Kapja e dy ushtarëve të plagosur, që u bë publike më 11 janar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ende nuk është konfirmuar as nga Moska e as nga Pheniani.

    Vjeshtën e kaluar, Koreja e Veriut dërgoi afër 11.000 trupa në rajonin Kursk për të mbështetur forcat ruse atje. Moska ka rimarrë afër 40% të territorit, por trupat ukrainase ende kontrollojnë mbi 500 kilometra katrorë në Kursk dhe trupat e Phenianit raportohet se po përjetojnë humbje masive.

    Yerin tha se duket se ushtarët koranoveriorë po integrohen në shumë pjesë të betejës së Rusisë në rajonin e Kurskut.

    “Ata përdoren kryesisht si mish për top. Megjithatë, në mesin e tyre ka edhe specialistë të ndryshëm të cilët merren me çështje të ndryshme, por në përgjithësi ata janë pjesë e këmbësorisë.” – tha ai duke iu referuar ushtarëve të cilët luftojnë në mbështetje të Rusisë.

    Më herët gjatë 13 janarit, Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare të Koresë së Jugut tha se më shumë se 300 ushtarë koreanoveriorë janë vrarë në rajonin rus të Kurskut, ndërkaq afër 2.700 të tjerë janë plagosur.

    Shërbimi i Sigurisë të Ukrainës (SUB) tha se një i burgosur, i cili u tha se ka lindur më 2005, pretendoi se besonte se po shkonte “për t’u trajnuar, jo për të luftuar kundër Ukrainës”.

    Tjetri ishte detyruar të shkruante përgjigjet e tij sepse ka lëndime në nofull, tha SBU-ja. Ky ushtar tha se ka lindur më 1999 dhe ishte snajperist në Ushtrinë e Koresë së Veriut.

    Një nga ushtarët e kapur pretendohet se ka thënë se preferon të qëndrojë në Ukrainë sesa të kthehet në Korenë e Veriut, për shkak të frikës se do të “ndëshkohet ashpër” nga Qeveria e tij – duke thënë se me gjasë ai përballet me ekzekutim apo burgim afatgjatë.

    “Pjesëmarrja e Koresë së Veriut nuk ka rëndësi vetëm në fushëbetejë, por ka edhe implikime të mëdha diplomatike.” – tha Yerin.

    Zelensky e ka akuzuar publikisht Rusinë dhe Korenë e Veriut, se po tentojnë të fshehin prova të dislokimit të ushtarëve – duke u dhënë dokumente të falsifikuara ushtarëve të Koresë së Veriut, për t’i paraqitur ata si qytetarë rusë./REL