Etiketë: Kosovë

  • Ajri i ndotur në Kosovë – IKSHKP me rekomandime

    Kosova, e veçanërisht Prishtina, është duke u përballur me nivele të larta të ndotjes së ajrit – ndotje kjo e cila po konsiderohet rrezik për shëndetin e qytetarëve, e sidomos për grupet e ndjeshme.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) duke dhënë disa informata mbi ndotjen e ajrit ka bërë të ditur se, ditët e ftohta dhe rëniet e temperaturave mund ta vështirësojnë më shumë situatën, si pasojë e ngrohjes me lëndë djegëse të dëmshme.

    Për zvogëlimin e rrezikut nga ajri i ndotur IKSHPK ka rekomanduar që të reduktohen daljet në qytet, me theks të veçantë në mëngjes dhe mbrëmje, e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të Sistemit kardiovaskular dhe respirator: fëmijët dhe shtatzënat.

    Instituti rekomandon që të qëndrohet në shtëpi dhe të mos hapen dritaret, ndërsa për personat që pashmangshëm duhet të dalin të përdorin maska mbrojtëse apo të mbulojnë gojën e hundën me shallë.

    “Të reduktohet pirja e duhanit jashtë, ku ka qarkullim të njerëzve, e domosdoshmërisht të ndalohet hapësirave të mbyllura – sikur e përcakton edhe vetë Ligji dhe në hapësira të banimit, punës, shkollave dhe spitaleve.” – ka rekomanduar, ndër të tjera, IKSHPK më 23.01.2025.

    Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), të publikuara nga IKSHPK, tregojnë se mbi 500 mijë vdekje të parakohshme ndodhin çdo vit, si pasojë e ndotjes së ajrit në botë, ndërsa 9 nga 19 njerëz thithin ajër që tejkalon kufijtë e Udhëzuesit të OBSH-së.

  • Moti gjatë së shtunës

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar mot të ftohët dhe me reshje borë për sot, më 11.01.2025.

    “Moti parashikohet i vranët, me reshje bore. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3°C deri -1°C, ndërsa maksimalet e ditës priten të jenë ndërmjet 0°C dhe 2°C. Do të fryjë erë nga veriu dhe veriperëndimi me shpejtësi 1- 11 m/s” – thuhet në njoftim.

    Ndërsa, për pjesëmarrësit në komunikacion, IHK ka një këshillë.

    “Ju këshillohet të tregoni kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe të përshtatni automjetet me kushtet atmosferike. Java e ardhshme parashihet me temperatura tipike dimërore!” – thuhet në njoftim.

  • Policia harton plan operativ për mbarëvajtje të procesit zgjedhor më 9 shkurt

    Policia e Kosovës ka hartuar urdhrin operativ policor dhe ka bërë të gjitha planifikimet lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen me datën 09.02.2025.

    Policia ka bërë të ditur se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor “është paraparë të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin  njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e datës 10.01.2025.

    Më tej, organet e rendit njoftojnë se ky plan operativ ka paraparë katër faza:

    1. Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese;

    2. Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore;

    3.  Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z);

    4.  Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

    “Faza e parë  tani veçse është realizuar, përderisa tani jemi në fillim të zbatimit të fazës së dytë, për të vazhduar sipas planit me fazat e tjera, deri në përfundim të procesit zgjedhor”- njofton më tej policia.

    Sipas planifikimeve policore, qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është:

    • Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.
    • Sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore.
    • Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
    • Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

    “Policia e Kosovës, bazuar në memorandumin e bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, ka caktuar zyrtarë/hetues në të gjitha drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit”- theksohet në njoftim.

    Po ashtu, sipas njoftimit, janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

    Për fund, policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

    Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.

    https://kallxo.com/lajm/numrat-e-partive-politike-per-zgjedhjet-e-9-shkurtit/