Etiketë: lufta në Ukrainë

  • Putin thotë se është i gatshëm të bisedojë me Trumpin për Ukrainën

    Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se është i gatshëm për bisedime me homologun e tij amerikan, Donald Trump, për Ukrainën, duke e quajtur atë udhëheqës “të mençur” i cili do të mund ta kishte parandaluar nisjen e konfliktit më 2022.

    Kievi reagoi menjëherë, duke paralajmëruar kundër përjashtimit të tij nga negociatat.

    Udhëheqësi rus nuk tha se kur këto bisedime do të mbaheshin dhe Kremlini ka thënë më herët se po pret për “sinjale” nga Uashingtoni, pavarësisht se Trump një ditë më herët paralajmëroi se është i gatshëm të takohet “menjëherë” me Putinin.

    “Ne gjithmonë kemi thënë, dhe unë dua ta theksoj sërish, se ne jemi të gatshëm për këto negociata sa i përket çështjes ukrainase”, tha Putin për një gazetar të televizionit shtetëror rus.

    Duke e lavdëruar Trumpin dhe duke e quajtur njeri “të mençur” dhe “pragmatik”, Putin po ashtu përsëriti pretendimin e pabazuar të presidentit amerikan se kishte fituar zgjedhjet presidenciale amerikane kundër Joe Biden më 2020.

    Pothuajse tre vjet më parë nisja e konfliktit në Ukrainë bëri që raportet mes dy fuqive bërthamore të ishin në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.

    Trump, që u inaugurua të hënën, e ka quajtur konfliktin “qesharak” dhe e ka kërcënuar Rusinë me sanksione ekonomike nëse nuk pajtohet të ndalë luftën.

    Ai po ashtu ka thënë se nëse ulen çmimet e naftës, atëherë lufta do të përfundonte shpejt, pasi Rusia përdor të ardhurat nga nafta për të financuar luftën e saj kundër Ukrainës.

    Asnjëra palë nuk duket se po jep shenja për uljen e armiqësive që nga inaugurimi i Trumpit, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte thënë se do t’i jepte fund luftës brenda “24 orëve” pasi të merrte detyrën e presidentit.

    Pas deklaratave të Putinit, Kievi reagoi të premten dhe tha se nuk duhet të përjashtohet nga bisedimet.

    “Ai [Putini] dëshiron të negociojë për fatin e Evropës, pa Evropën. Ai dëshiron bisedime për Ukrainën, pa Ukrainën”, tha, Andriy Yermak, shefi i zyrës së presidentit të Ukrainës.

    “Kjo nuk do të ndodhë. Putin duhet t’i kthehet realitetit apo do të bëjë kthim prapa. Kjo nuk ndodh në botën moderne”, tha ai./REL

  • Shqipëria dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje në fushën e sigurisë

    Shqipëria dhe Ukraina e kanë nënshkruar një marrëveshje afatgjate në fushën e sigurisë të martën në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës.

    Lajmi u bë i ditur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    “Në Davos, me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme në fushën e sigurisë”, tha Rama në Facebook, duke mos dhënë më shumë hollësi.

    Por, Zelensky tha se Ukraina dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshje “afatgjate për bashkëpunim dhe mbështetje mes dy vendeve tona”.

    “Shqipëria i ka dhënë ndihmë ushtarake dhe humanitare Ukrainës prej se nisi pushtimi i plotë dhe do të vazhdojë ta mbështetë atë gjatë periudhës 10-vjeçare të marrëveshjes. Po ashtu, Shqipëria do të kontribuojë edhe në koalicionin e avionëve luftarakë”, tha Zelensky në X.

    Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, e ka dënuar agresionin rus dhe ka vendosur sanksione kundër Moskës për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës, që nisi në shkurt 2022.

    Po ashtu, Tirana ka ofruar edhe ndihmë tjetër, përfshirë edhe strehimin e shtetasve ukrainas.

    Në fillim të vitit të kaluar, Tirana ishte nikoqire e një samiti për Ukrainën, i bashkoi liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe atë të Moldavisë.

    Në këtë samit, që u mbajt me ftesë të kryeministrit Rama, mori pjesë presidenti Zelensky.

    Shqipëria dhe Ukraina kanë vendosur raporte diplomatike më 1993, dhe ato janë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria veçse ka hapur kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim.

    Në fillim të këtij muaji, Shqipëria e inauguroi objektin e Ambasadës së saj në Kiev të Ukrainës.

    Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, tha se ky objekt nuk do të ishte vetëm një urë bashkëpunimi mes shteteve, por edhe dëshmi për qëndrueshmërinë dhe angazhimin e përbashkët drejt një të ardhmeje në paqe dhe një Evrope “të bashkuar, të fortë dhe të begatë”.

    Ambasada, e hapur në fund të vitit 2024, pësoi dëme materiale disa javë më parë si pasojë e sulmeve me raketa ruse./ REL

  • Trump zotohet përsëri se do t’i japë fund luftës në Ukrainë

    Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë përsëri se do t’i bëjë Ukrainën dhe Rusinë t’i japin fund luftës gati trivjeçare.

    Ai theksoi gjithashtu se do t’i kërkojë talibanëve t’ia kthejnë SHBA-së pajisjet e saj ushtarake, në vlerë miliarda dollarë, të cilat ishin lënë pas në Afganistan në vitin 2021.

    “Unë do t’i japë fund luftës në Ukrainë, do ta ndalë këtë rrëmujë në Lindjen e Mesme dhe do ta parandalojë Luftën e Tretë Botërore.” – tha Trump në palestrën Capital Arena, në Uashington, të dielën, një ditë para se ta bëjë betimin si President.

    Ai nuk shpjegoi se si do t’i arrinte këto.

    Analistët thonë se do të jetë e vështirë përfundimi i luftës në Ukrainë së shpejti, sepse presidenti rus Vladimir Putin beson se ai po fiton dhe nuk është i nxitur për ta ndalur luftën.

    Gjatë këtij tubimi, Trump bëri një përmbledhje të synimeve që ai pretendon se do t’i përmbushë gjatë katër vjetëve të ardhshme, brenda dhe jashtë vendit – duke përfshirë forcimin e Ushtrisë.

    Trump do të betohet si Presidenti i 47, më 20 janar, në mesditë. Ceremonia do të mbahet brenda ndërtesës së Kongresit për herë të parë pas 40 vjetësh – për shkak të motit të acartë.

    Gjatë fjalimit të tij, Trump pretendoi se Shtetet e Bashkuara po u japin talibanëve në Afganistan “miliarda dollarë në vit” dhe se ai do ta ndalojë këtë nëse grupi ekstremist nuk i kthen miliarda dollarë në pajisje amerikane.

    “Dhe, unë them, nëse do të paguajmë miliarda dollarë në vit, duhet t’u themi atyre se nuk do t’ua japim paratë, nëse nuk na i kthejnë pajisjet tona ushtarake.” – tha Trump.

    Shtetet e Bashkuara lanë në Afganistan pajisje ushtarake të vlefshme rreth 7 miliardë dollarë, kur u tërhoqën në gusht të vitit 2021 – pasi talibanët rimorën kontrollin e kryeqytetit, Kabul.

    Rimarrja e pushtetit nga talibanët ka çuar në një rënie drastike ekonomike, ku më shumë se gjysma e afro 24 milionë banorëve të vendit kanë nevojë për ndihmë humanitare, si ushqim – sipas USAID-it, Agjencisë amerikane për zhvillim.

    Shtetet e Bashkuara ia kanë ndarë më shumë se 2.1 miliardë dollarë ndihmë humanitare Afganistanit, që nga marrja e pushtetit nga talibanët – sipas USAID-it.

    Që kur morën pushtetin, talibanët janë dënuar nga liderët perëndimorë, Organizatat Ndërkombëtare dhe aktivistët për shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut – veçanërisht kundër grave dhe vajzave./REL