Etiketë: Marrje ryshfeti

  • Arrestimi i inspektorëve për marrje ryshfeti – deklarohet Administrata Tatimore e Kosovës

    Pas arrestimit të tre inspektorëve nën dyshime për marrje ryshfeti në rajonin e Gjakovës, Administrata Tatimore e Kosovës ka thënë për KALLXO.com se nuk ka pranuar shkresë zyrtare as nga Policia e Kosovës e as nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.

    Valentina Bytyqi, zëdhënëse e ATK-së në një përgjigje për KALLXO.com, konfirmoi se për bastisjen është informuar vetëm Drejtori Regjional i Administratës Tatimore përmes telefonit.

    “As Policia e as Prokuroria nuk kemi pranuar shkresë zyrtare për arrestimet. Njoftimin nëpërmjet telefonit për bastisjet dhe ndalimin policor e ka pranuar Drejtori Regjional.” – tha zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi.

    Mes të tjerash, Bytyqi tha se Administrata Tatimore e Kosovës ka bashkëpunuar gjithmonë me organet kompetente, për t’i luftuar dukuritë negative.

    “ATK në momentin që pranon njoftim zyrtar apo kërkesë nga organi kompetent do të marrë vendim, sipas legjislacionit në fuqi.” – thuhet në përgjigjen e ATK-së, për KALLXO.com.

    https://kallxo.com/lajm/tre-te-arrestuarit-per-ryshfet-jane-inspektore-te-atk-se/

  • Arrestimet për marrje ryshfeti – flet Prokuroria e Gjakovës

    Prokuroria Themelore në Gjakovë për KALLXO.com ka njoftuar për aksionin që rezultoi me tre persona të arrestuar, nën dyshime për marrje ryshfeti.

    Sipas Prokurorisë, pas pranimit të informatës, ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë edhe masat e fshehta hetimore.

    “Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore – Gjakovë, pas pranimit  të informatës se 3 (tre) të dyshuarit, në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve, ku me këto veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale ”marrja e ryshfetit’’, Neni 421 i KPRK-së, ka ndërmarrë veprime hetimore – duke zbatuar edhe masat të fshehta hetimore, ndaj të njëjtëve.” – sqaroi Prokuroria e Gjakovës.

    Kurse, me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Gjakovës, janë kryer edhe bastisje në disa lokacione.

    “Ndërsa, më 20.01.2025, me urdhëresë të Gjykatës Themelore – Gjakovë, është kryer bastisje në 3 (tri) lokacione të ndryshme dhe, me vendim  të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar: 3 (tre) persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ”marrja e ryshfetit’’, Neni 421 i KPRK-së.” – tha në mes të tjerash për KALLXO.com Drin Domi, zëdhënës në Prokurorinë në Gjakovë.

    https://kallxo.com/lajm/aksioni-i-krimeve-ekonomike-tre-te-arrestuar-ne-gjakove-per-marrje-ryshfeti/

  • Rasti “Brezovica”, dëshmitari bashkëpunues i Prokurorisë u përgjigjet pyetjeve të mbrojtësve të të akuzuarve

    Seanca për rastin “Brezovica” në Gjykatën e Pejës më 13.01.2025 ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues të Prokurorisë, Alban Çuka.

    Të akuzuar në këtë rast janë Bratisllav Nikoliq, Dimitrije Raçiçeviq, Dragomir Millosavleviq, Hysni Bajrami, Sasha Millosavleviq, Arben Çitaku, Bedri Halimi, Husein Ajdini, Sasha Spasiq dhe Jardan Kostiq.

    Në lidhje me rastin “Brezovica”, Prokuroria e Ferizajt pretendon se janë keqpërdorur pozitat, ka pasur ushtrim ndikimi, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, me qëllim të lëshimit të lejeve ndërtimore në zonën e Brezovicës.

    Dëshminë e tij dëshmitari Alban Çuka e kishte filluar më 06.11.2024 dhe e kishte vazhduar më 08.01.2025, më 09.01.2025 dhe më 10.01.2025.

    Në këtë seancë Çuka ka vazhduar të japë dëshminë e tij duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtësve të të akuzuarve.

    Në seancën e datës 06.11.2024 me të filluar dëgjimi i dëshmitarit, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj-Mekaj, kishte njoftuar mediat se dëshmia e dëshmitarit nuk mund të bëhet publike deri në përfundim të dëgjimit edhe të dëshmitarëve të tjerë.

    Arsyeja pse u mor vendimi për të mos e bërë publike dëshminë e këtij dëshmitari sipas gjyqtares ishte për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit të deklarimit të dëshmitarit dhe për të mos pasur ndikim te dëshmitarët e tjerë që pritet të dëshmojnë në këtë rast.

    Çuka është dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë.

    Dëshmitari Alban Çuka kërkoi nga gjykata që seanca e nesërme të anulohet për shkak se i njëjti kishte probleme shëndetësore.

    “E lus gjykatën që për nesër ta anuloj seancën për shkak se kam probleme shëndetësore” – tha Çuka

    Andaj gjykata mori aktvendim që seanca e nesërme të anulohet ndërsa e radhës u caktua për muajin shkurt 2025.

    Më 04.11.2024 dhe 05.11.2024 prokurori, avokatët dhe të akuzuarit kanë dhënë fjalën hyrëse lidhur me këtë rast.

    Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq nga 21 janari 2016 e deri më 10 shtator 2018 ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe i ka mundësuar një investitori marrjen e lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 200 mijë euro për 19 leje ndërtimore, për një shtëpi vikendi dhe një pëlqim rrugor dhe 100 mijë euro për lejen ndërtimore për objektin e hotelerisë “Rimida”.

    Ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës akuzohet edhe në disa dispozitiva të tjerë të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Në pikën dytë të aktakuzës i njëjti akuzohet se nga 30 janari i vitit 2015 e deri më 27 maj 2019 përsëri sipas Prokurorisë ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të pasurisë për vete duke i mundësuar një personi tjetër përfitimin e lejes ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për të cilin shërbim ka marrë 140 mijë euro për 14 leje ndërtimore dhe për shtëpi vikendi.

    60 mijë euro të tjera akuzohet nga Prokuroria se i ka marrë ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës për lëshimin e 5 lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme për ndërtimin e shtëpive të vikendit. Këto objekte ishin ndërtuar në zonën e tretë të mbrojtur të Parkut “Sharri”.

    Në pikën katër të aktakuzës thuhet se nga 23 nëntor 2018 deri më 6 gusht 2019 ish- kryetari i Komunës së Shtërpcës kishte marrë 40 mijë euro për lëshimin e 6 lejeve ndërtimore për shtëpi vikendi.

    Aktakuza kësisoj vazhdon për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës edhe në pikën 5, 6, 7, 8, 9.

    Në po këtë aktakuzë Bratisllav Nikoliq akuzohet edhe për marrje ryshfeti e ushtrim ndikimi.

    Në këtë aktakuzë të përfshirë janë edhe Dimitrije Reqiçeviq – si drejtor i Urbanizimit, inspektorët komunalë të ndërtimit Hysni Bajrami dhe Dragomir Millosavleviq dhe Arben  Çitaku si ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Mustafë Hyseni si shef i Departamentit për Mbrojte dhe Mjedis të Ujërave, Husen Ajdini si investitor, Raif Bajrami si shef i Inspeksionit të Shtërpcës dhe të akuzuarit Sasha Spasiq, Bedri Halimi i akuzuar në cilësinë e kryeinspektorit, Sasha Millosavleviq si shef i Drejtorisë së Kadastrës.

    Të lartcekurit akuzohen për vepra penale si marrje ryshfeti, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe për vepra si armëmbajtje pa leje.

    Më 17.09.2023 prokurori që po përfaqëson këtë rast, Rasim Maloku, kishte ndarë detaje ekskluzive për KALLXO.com lidhur me hetimin e këtij rasti.