Etiketë: MASHTI

  • “Democracy plus” i kërkon Ministrisë së Arsimit anulimin e dy aktiviteteve të prokurimit

    Organizata “Democracy Plus” (D+) i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, Inovacionit (MASHTI) dhe Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr) në kuadër të MASHTI-t që të anulojë dy aktivitete të prokurimit për shërbime konsulente sepse, sipas saj, bien në kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren nr. 002/2024 për prokurim publik.

    “D+” ka bërë të ditur përmes një njoftimi se MASHTI në dhjetor 2024 ka iniciuar tender për angazhimin e një (1) kontraktori në Divizionin e burimeve njerëzore me vlerë të parashikuar 14,400 euro me kohëzgjatje 10 muaj. Ndërsa, AAAPARr, po ashtu në dhjetor 2024, ka iniciuar tender për angazhimin e tetë konsulentëve të jashtëm për nevoja të saj me vlerë të parashikuar 33,600 euro me kohëzgjatje 12 muaj.

    Rregullorja e Prokurimit Publik, shton me tej ‘D +”, përcakton që angazhimi i konsulentëve bëhet vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

    “Vlen të ceket se institucionet janë duke rekrutuar staf të rregullt përmes procedurave të jashtme ashtu siç kërkon Ligji për zyrtarët publikë dhe kjo mund të vërtetohet përmes Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ)”- thuhet në reagimin  e “Democracy Plus”.

    Rregullorja për Prokurimin Publik përcakton që kontraktimi i konsulentëve duhet të bëhet për nevoja specifike që stafi ekzistues i institucionit nuk mund t’i mbulojë.

    “Megjithatë, MAShTI dhe AAAPARr kanë zgjedhur të angazhojnë konsulentë për shërbime të përditshme administrative. Këto përfshijnë, ndër të tjera, këshilla për zbatimin e legjislacionit dhe menaxhimin e burimeve njerëzore në MAShTI, si dhe zbatimin e programeve mësimore dhe metodologjive të reja në përputhje me standardet dhe ligjet për arsimin në AAAPARr”- thuhet më tej në reagim.

    Po sipas, “D +”, MASHTI dhe AAAPARr duhet të anulojnë këto dy aktivitete të prokurimit dhe të nisin procedura të rregullta të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe jo përmes legjislacionit të prokurimit publik.

    “D +” thotë se shpenzimi i rreth 50,000 eurove në angazhimin e nëntë personave për një periudhë 10 dhe 12-mujore është keqmenaxhim i parasë publike dhe nuk ofron qëndrueshmëri në angazhim të personelit për kryerjen e punëve në Ministri dhe Agjenci.

  • Dalin komunikimet e MASHTI-t për Shkollën në Pozhoran që e anuloi përurimin e saj

    Tri javë më parë ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci e anuloi përurimin e Shkollës Fillore e të Mesme të Ulët “Halil Alidema” në Pozhoran të Vitisë, më 08.01.2025.

    Ndonëse, në njoftimin e tyre për media Ministria e Arsimit nuk e arsyetoi anulimin e përurimit, KALLXO.com e vizitoi Shkollën “Halil Alidema” dhe pa se nuk kishte përfunduar pranimi teknik dhe kishte ende punë për t’u kryer brenda e jashtë objektit.

    Atë ditë, në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Arsimit tha se investitor i Shkollës “Halil Alidema” në Pozhoran është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe kanë pasur informacione se “çdo gjë është gati” në lidhje me këtë Shkollë.

    Më 22.01.2025, KALLXO.com ka siguruar komunikimin mes Ministrisë së Arsimit dhe MPB-së në lidhje me punimet në Shkollën “Halil Alidema” në Pozhoran. 

    KALLXO.com ka siguruar edhe një Kërkesë të Drejtorisë së Arsimit në Viti adresuar Ministrisë së Arsimit që ta furnizojë Shkollën “Halil Alidema” me inventar. Kërkesa ishte dërguar edhe përmes email-it në Ministri, më 31.12.2024 – një javë para se Nagavci ta planifikonte përurimin e Shkollës.

    Në komunikimin e MPB-së me Ministrinë e Arsimit, më 29.07.2024, të cilin e posedon KALLXO.com, MPB kishte thënë se punimet do të vazhdonin në Shkollën “Halil Alidema”, pasi ato kishin filluar pas një Kontrate të fazës së dytë, të lidhur në muajin shkurt 2024.

    “Shkolla Fillore në Pozharan – Janë ndërprerë punimet nga OE (Operatori Ekonomik) dhe MPB ka ndërprerë Kontratën e I – rë dhe pas prerjes së punimeve është përgatitur specifikacioni teknik në bazë të cilës është proceduar në prokurim dhe është lidhur Kontrata e Fazës së II – të, më 13.02.2024. Punimet kanë filluar për Fazën e II – të nga data 29/07/2024 dhe do të vazhdojnë punimet.” – thuhet në përgjigjen e MPB-së për Ministrinë e Arsimit, më 29.07.2024.

    Ndërsa Kërkesa e DKA-së – Viti duket se ka ngjallur keqkuptim te Ministria e Arsimit, pasi ata thonë se Komuna e Vitisë u kishte përmendur se Shkolla “Halil Alidema” “së shpejti” do të lëshohet në përdorim. Mirëpo, në këtë Kërkesë Komuna nuk është se ka përmendur ndonjë datë të caktuar të lëshimit të Shkollës në përdorim.

    “Siç e dini kjo Shkollë është në përfundim të punimeve dhe sipas planifikimeve së shpejti do të lëshohet në përdorim, prandaj furnizimi me inventar, përkatësisht të furnizojë këtë institucion shkollor me 10 tabela shkrimi.” – thuhet në Kërkesën e drejtoreshës së Arsimit në Viti, Arta Ajeti, më 30.12.2024.

    Kërkesa e DKA-së – Viti është protokoluar në Ministri të Arsimit, më 08.01.2025, pikërisht në ditën kur ministrja Nagavci kishte planifikuar ta përuronte Shkollën “Halil Alidema”, por që e anuloi.

    KALLXO.com e ka pyetur Ajetin në lidhje me Kërkesën për inventar për Shkollën “Halil Alidema” në Pozhoran adresuar Ministrisë së Arsimit dhe ajo tha se kanë bërë Kërkesa të vazhdueshme për furnizim me banka, karrige, tavolina e tabela të shkrimit për Shkollën.

    Ajeti ka thënë se Kërkesën e kanë dërguar në Ministri edhe në formë elektronike (email) dhe një kopje fizike të saj përmes arkivit në MASHTI. 

    KALLXO.com e ka siguruar email-in e DKA-së – Viti që përmban Kërkesën për inventar, i cili është dërguar te sekretarja e përgjithshme në Ministri të Arsimit, Fadile Dyla dhe udhëheqësi i Divizionit për Planifikim dhe Standarde të Hapësirave Arsimore në Ministri të Arsimit, Isuf Gashi.

    Tutje, Ajeti ka shtuar se nxënësit e Shkollës “Halil Alidema” e kanë nisur Gjysmëvjetorin e dytë, më 08.01.2025, në Shkollën “Kongresi i Manastirit” në Pozhoran, derisa kanë përfunduar punimet në Shkollën “Halil Alidema”, më 16.01.2025.

    “MASHTI ka bërë furnizimin e Shkollës me inventar shkollor – duke përfshirë edhe tabela shkrimi – mirëpo gjatë kompletimit me inventar të objektit shkollor kemi parë të nevojshme furnizimin edhe me 10 tabela shkrimi.” – është përgjigjur Ajeti, më 24.01.2025.

    Sipas Ajetit Komuna e Vitisë nuk e ka konsideruar në këtë kohë përurimin e Shkollës “Halil Alidema”, për shkak të fushatës zgjedhore, që të mos përdoret për qëllim të përfitimit elektoral dhe për këtë e kanë njoftuar edhe Ministrinë e Arsimit.

    “Duke u mbështetur në kërkesat e Këshillit të Prindërve të Shkollës “Halil Alidema”, Këshillit të Fshatit Pozhoran, se tanimë janë krijuar kushtet për vendosjen e një busti të patriotit dhe atdhetarit Halil Alidema – emër që mban edhe kjo Shkollë, përmes shkresave të tyre ata kanë kërkuar që të organizohet eventi në të ardhmen, ku do të përurohej edhe busti, edhe Shkolla. Pikërisht, në Ditën e Shkollës, më 19.05.2025, me këtë është njoftuar edhe MASHTI-i.” – ka njoftuar Ajeti.

    Përveç përurimit të Shkollës “Halil Alidema”, Nagavci kishte planifikuar edhe prerjen e shiritit për Çerdhen në Dobresh, që po ashtu u anulua.

    Nga viti 2019, KALLXO.com kishte raportuar për ndërtimin e Shkollës “Halil Alidema” në Pozhoran. Në atë kohë, Ministria e Administratës Publike kishte njoftuar se ndërtimet nuk priteshin të përfundojnë deri kah mesi i vitit të ardhshëm (2020).

    Tërmeti që e goditi Shqipërinë më 26.11.2019 u ndie edhe në Kosovë dhe Shkolla e Pozharanit, në të cilën mësonin mbi 480 nxënës, pësoi dëmtime.

    KALLXO.com kishte raportuar më 23.10.2020 se kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti kishte premtuar ndërtimin e Shkollës “Halil Alidema” në Pozhoran, që nga viti 2016.

    Ne debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës, Haliti kishte arsyetuar mospërfundimin e punimeve për objektin e ri të kësaj Shkolle, i cili nuk ishte funksionalizuar as në vitin 2020.

    “Ka Shkollë të re. Shkolla e re vetëm pritet të finalizohet. Buxhet i madh ka qenë për Komunën e Vitisë. Ministria e Arsimit ka qenë investitor dhe ia ka bartur Ministrisë së Administratës Publike. Ende nuk është kryer. Plani dinamik është tejkalu.” – kishte deklaruar Haliti, më 23.10.2020.

  • Me 10 ditë të humbura e mungesë të karrigeve fillon Gjysmëvjetori i dytë në dy Shkollat e mesme në Ferizaj

    Pasi u bën dy javë që ka filluar Gjysmëvjetori i dytë për nxënësit në Kosovë, për ata të Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj ka filluar të mërkurën, më 22.01.2025. 

    Drejtoresha e Gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj, Hajrije Nebihu e ka konfirmuar fillimin e Gjysmëvjetorit të dytë në objektin e ri, që është ndërtuar për këtë Gjimnaz dhe për Shkollën e Mjekësisë “Elena Gjika” te Salla e Sporteve “Bill Clinton”.

    Nxënësit e të dy Shkollave të mesme në Ferizaj nuk e filluan Gjysmëvjetorin e dytë, më 08.01.2025, pasi u dolën disa probleme me objektin e ri të ndërtuar për to.

    Dy ditë më parë, drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani njoftoi për KALLXO.com se është shtyrë fillimi i Gjysmëvjetorit të dytë deri më 22.01.2025, për nxënësit e dy Shkollave të mesme, për shkak se nuk ishte ngrohur në tërësi ambienti i objektit të ri të këtyre Shkollave.

    Në mesin e problemeve që kishte përmendur Llabjani se pse nuk kishte filluar me kohë Gjysmëvjetori i dytë ishte edhe furnizimi me banka shkollore dhe karrige të objektit të ri, të ndërtuar për të dy Shkollat e mesme, që është pritur të bëhet nga Ministria e Arsimit.

    Furnizimi me banka shkollore i objektit të ri u bë në muajin tetor të vitit 2024 – sipas Ministrisë së Arsimit, në një përgjigje të tyre të datës 15.01.2025, por furnizimin me karrige kanë thënë se do ta bëjnë deri në fund të muajit janar 2025.

    E, drejtoresha Nebihu tha se kanë mungesë të karrigeve në objektin e ri të ndërtuar për Gjimnazin “Shaban Hashani” dhe Shkollën e Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, edhe pse i kanë bartur karriget e vjetra të objektit të ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi”, në të cilin kishin mësuar më parë nxënësit e dy Shkollave.

    Nebihu e ka pohuar se është ngrohur ambienti në objektin e ri.

    “Bankat i kemi të reja, karrige kemi mungesë, d.m.th se kemi pasë edhe atje mungesë të vjetrave. Si dhe, nëpër shkollat e tjera kapak kemi marrë të vjetra. I kemi kompletu.” – tha Nebihu, më 22.01.2025.

    Sa i përket zëvendësimit të orëve mësimore të humbura, Nebihu tha se nuk e kanë diskutuar ende me Drejtorinë e Arsimit se si t’i zëvendësojnë. 

    Sipas Nebihut, bashkë me Shkollën e Mjekësisë “Elena Gjika” e kanë ndarë objektin e ri nga kati i parë tek i treti. Edhe për nxënësit e Shkollës së Mjekësisë, Nebihu tha se e kanë filluar Gjysmëvjetorin, më 22.01.2025.

    Nebihu ka thënë se rreth 1,900 nxënës janë gjithsej në objektin e ri – duke llogaritur 1,100 nxënës të Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe 800 nxënës të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika”. 

    Për mungesën e karrigeve, drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani përmes telefonit tha se Ministria e Arsimit u ka thënë se brenda kësaj jave pritet të furnizohet me karrige objekti i ri.

    “Ka mungesë pak të karrigeve të klasës në një shkollë: asaj të Gjimnazit. Kemi arritë pak m’i furnizu me disa karrige, që kemi mund m’i gjetë nëpër shkolla, po jo mjaftueshëm. E, pastaj ju bjen pakëz me lëviz (me karrige), po sido që të jetë me mundësitë tona, ato që i kemi pasë, ne si DKA (Drejtori Komunale e Arsimit), i kemi ofru.” – ka thënë Llabjani, më 22.01.2025.

    Llabjani tha se nëse Ministria e Arsimit nuk i sjell karriget këtë javë, të hënën, më 27.01.2025, do t’i njoftojë se kanë filluar procesin mësimor dhe se kanë mungesë të karrigeve.

    Kurse, për zëvendësimin e orëve mësimore, Llabjani tha se nuk është që ka arritur të bisedojë me Drejtoritë e të dy Shkollave të mesme, por e ka analizuar propozimin që do t’ua rekomandojë atyre.

    Llabjani planifikon që zëvendësimi i orëve mësimore nga nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” të ndodhë ndonjë ditë të shtunë apo në pushimin pranveror.

    “Besoj që nuk ka alternativa shumë. Pos kësaj, që e kam mendu unë me bë. Alternativa mundet me qenë pushimi pranveror, pak ma, si me thënë më specifik… Sido që të jetë, ditët do të kompensohen, nëse jo edhe gjatë pushimit pranveror, atëherë në fund të përfundimit të vitit shkollor.” – ka shtuar Llabjani.

    KALLXO.com është duke raportuar nga data 13.01.2025, për mosfillimin me kohë të Gjysmëvjetorit të dytë nga nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe ata të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.

    Kryetari i Këshillit të Prindërve të Gjimnazit “Shaban Hashani”, Besim Jashari kishte thënë se mësimi nuk ka filluar për shkak se janë kthyer disa karrige, që nuk kanë qenë të cilësisë së mirë e që i janë kushtuar objektit të ri të ndërtuar për Gjimnazin.

    Për cilësinë e karrigeve ka folur edhe Llabjani – duke thënë se Ministria e Arsimit i kishte vonuar karriget, pasi nuk ishin ndarë të kënaqur me cilësinë e tyre.

    E, Ministria tha se afati i Kontratës ekzistuese ka qenë deri në fund të muajit tetor dhe për shkak të importit të artikujve – karrigeve, Kompania furnizuese nuk ka arritur të kryejë furnizimet brenda afatit ligjor të Kontratës.

    “Objekti i ri i Shkollës do të vazhdojë të furnizohet me karrige me Kontratën e re të lidhur nga AQP – furnizuesi i së cilës është në proces të sigurimit të artikujve për furnizim dhe pritet që deri në fund të muajit janar të kryhen furnizimet.” – ka thënë Ministria e Arsimit në përgjigjet e saj, më 15.01.2025.

    Për objektin e ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, prindi Jashari ka thënë se nuk ka objekt më të papërshtatshëm për të qëndruar në të e lëre më të zhvillohet mësim aty.

    Sipas Jasharit, nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” një orë mësimi e kanë zhvilluar 30 minuta në objektin e vjetër të ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, për shkak të kushteve të saj.

    KALLXO.com e kishte vizituar Gjimnazin “Shaban Hashani” në tetor të vitit 2023. Në atë kohë, muret në pamjen e jashtme të Shkollës ishin të dëmtuara, dritaret në klasa e tualetet në gjendje jo të mirë.