Etiketë: Mjegulla

  • Ngrohtë por me mjegull – parashikimi i motit për javën që vjen

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës parasheh se gjatë javës që vjen (27-31.01.2025) pritet të rriten temperaturat në vend.

    Kushte për mjegull pritet të ketë në mëngjes, gjë e cila sipas IHMK-së mund të ndikojë në cilësinë e ajrit por që moti në përgjithësi do jetë më i ngrohtë se këtë javë.

    Cilësia e ajrit, përveç të mërkurën, pritet të jetë e dobët. Për këtë arsye IHMK rekomandon që personat me probleme të frymëmarrjet, fëmijët, të moshuarit, personat me sëmundje kronike të kufizojnë daljet gjaë orëve me mjegull dhe të shmangin zonat urbane.

    Të hënën pritet mot me diell e vranësira të shpërndara dhe me temperatura minimale mes -1 dhe 1 gradë Celsius kurse maksimalet mes 12 dhe 15.

    Të martën pritet po ashtu me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale mes 0 dhe 3 gradë Celsius kurse me ato maksimale mes 13 dhe 16.

    E mërkurja pritet të jetë me shi dhe vranësira e me temperatura minimale 3 deri në 5 gradë Celsius dhe me maksimale 9 deri në 11.

    Mot i vranët pritet të enjten dhe me intervle të shkurtëra me diell. Minimalet priten mes 2 dhe 4 gradë Celsius kurse temperaturat maksimale mes 10 dhe 12.

    Vranësirat dhe periudhat e shkurtëra me diell priten edhe të premten. Në mëngjes parashihet të ketë kushte për mjegull. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3 gradë Celsius kurse maksimalet nga 10 në 12.

  • Smogu shkakton kaos në trafikun e Delhit

    Mjegulla e dendur dhe cilësia e përkeqësuar e ajrit kanë shkaktuar kaos në kryeqytetin e Indisë, Delhi.

    Dukshmëria në shumë rajone është raportuar të jetë zero në orët e para të së premtes, më 10.01.2025, duke shkaktuar ndryshim të orareve të fluturimeve, trenave dhe trafikut rrugor – raporton BBC.

    Më shumë se 150 fluturime janë shtyrë dhe shumë trena janë nisur me vonesa të mëdha, për shkak të kushteve të liga të motit – raportojnë mediat vendase.

    Ky është një problem që përsëritet çdo dimër herë pas here në Indinë veriore, ku temperaturat e ulëta ndërmjet dhjetorit dhe janarit, u bëjnë presion ndotësve që të mbesin afër sipërfaqes tokësore – duke ndikuar dukshmërinë, duke vështirësuar udhëtimin dhe duke bërë më të rrezikshëm ajrin.

    Indeksi i cilësisë së ajrit në Delhi ishte mbi 400 në disa rajone – ka bërë të ditur uebfaqja shtetërore “Safar”. Kjo është 25-fish më shumë se kufiri i përcaktuar i sigurisë, i përcaktuar prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

    Autoritetet në Kryeqytet kanë thënë se kanë marrë masa për kontrollin e ndotjes, që përfshijnë ndalimin e aktiviteteve të shkatërrimit e ndërtimit, si dhe që mësimi në shkolla të mbahet online.

    Xhirimet e fotografitë nga Delhi dhe qytetet përreth kanë treguar se një batanije mjegulle ka mbuluar rrugët dhe ndërtesat.

    Aeroporti i Delit ka lëshuar një vërejtje këshilluese për pasagjerët për ndryshime itineraresh, për shkak të dukshmërisë së ulët.

    “Ndërsa uljet dhe ngritjet vazhdojnë në Aeroportin e Delhit, fluturimet që nuk janë në përputhje me standardet CAT III mund të preken.” – thuhet në paralajmërim. CAT III është një sistem i cili lejon aeroplanët të ulen gjatë kushteve të shikueshmërisë së dobët.

    Sipas faqes së internetit të gjurmimit të fluturimeve “flightradar24” ngritjet në Aeroportin e Delhit janë vonuar me më shumë se 30 minuta dhe mbërritjet deri  në 20 minuta.

    Disa pasagjerë u ankuan në rrjetet sociale për kaos në Aeroport.

    Ndërkohë, 26 trena për në qytet po vonohen për shkak të mjegullës – kanë njoftuar Hekurudhat e Indisë.

    Departamenti i Motit i Indisë ka parashikuar reshje të pakta gjatë fundjavës, të cilat pritet të përmirësojnë kushtet e dukshmërisë.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Situata me fluturimet – deklarohet Aeroporti i Prishtinës

    Në ditët e para të vitit, për shkak të dendësisë së mjegullës në Kosovë ishin anuluar disa fluturime nga Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”. Ndërsa, gjatë ditës së premte, më 03.01.2025, nuk është anuluar asnjë fluturim – thonë nga Aeroporti për KALLXO.com.

    Valentina Gara, zëdhënëse e Aeroportit, u përgjigj shkurt në pyetjet e parashtruara për këtë çështje – duke thënë se “fluturimet janë duke u realizuar sipas planit dhe nuk ka anulime.”

    Edhe në bazë të uebfaqes së Aeroportit, ku njoftohet për fluturimet gjatë ditës, nuk është parë që është shtyrë ose anuluar ndonjë fluturim deri në orët e para të mesditës së 03.01.2025.

    Në dy ditët paraprake, për po të njëjtën arsye, ishin anuluar afër 50 fluturime, kurse në disa të tjera ka pasur vonesa.

    Instituti Hidrometeorologjik paralajmëroi se më 03.01.2025 është parashikuar mëngjesi të jetë me ngrica dhe kushte për mjegull.

    Ndërkaq, për pasdite dhe mbrëmje nuk është njoftuar nëse do të ketë mjegull, veçse vranësira të intensifikuara dhe reshje bore.

    Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të enjten, më 02.01.2025, ka thënë se devijimet apo anulimet e fluturimeve për shkak të mjegullës kanë ndodhur meqë pilotët nuk kanë qenë të certifikuar për Sistemin e Avancuar të Aterrimit “ILS CAT IIIb”. Me këtë Sistem është i pajisur Aeroporti i Prishtinës.

    “Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij Sistemi kanë aterruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.” – ka shkruar Aliu në Facebook.

    Aliu tha se Sistemi i Avancuar i Aterimit i instaluar në Aeroportin e Prishtinës mundëson aterrime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash.

    Një situatë e tillë ka ndodhur pikërisht në kohën kur në Kosovë është i pranishëm një fluks i madh i vajtje-ardhjeve të mërgimtarëve, për pushime dimërore dhe për festat e fundvitit.

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se qytetarët po presin më shumë se një orë në pika kufitare për të dalë nga Kosova, ndërsa janë krijuar edhe kolona të automjeteve deri në 600 metra.

    Të dhënat e fundit të kësaj Qendre tregojnë se kolonat te pika kufitare me Serbinë, te Dheu i Bardhë, arrijnë deri në 400 metra, ndërsa mbi një orë (100 minuta) janë pritjet për të dalë nga Kosova, në këtë pikë kufitare.

    Në Merdarë, qytetarët po presin deri në një orë, kurse deri në 200 metra është kolona e krijuar në dalje.

    Ndërsa në Jarinje, qytetarët po presin deri në 15 minuta për hyrje, kurse deri në 20 minuta për të dalë nga Kosova. Kolona për hyrje-dalje në këtë pikë: 15 deri në 20 metra.

    Në Muçibabë, pritjet për të dalë nga Kosova shkojnë deri në 15 minuta, kurse 100 metra është krijuar kolona e automjeteve në këtë pikë kufitare.

    Në pika të tjera kufitare – sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar – vonesat janë nga 3 deri në 5 minuta, ndërsa nuk raportohet për kolona të automjeteve.