Etiketë: OVL UÇK

  • Fushata e Koalicionit për Familjen takohen me Kryetarin e OVL-UÇK-së

    Më 28.01.2025, drejtuesit e Koalicionit për Familjen janë takuar me kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

    Eman Rrahmani, Selim Pacolli, Ferid Agani dhe Fatmir Smajli janë takuar edhe me ish-pjesëtarin e UÇK-së, Fatmir Sopi.

    Sipas njoftimit, gjatë takimit, u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me të drejtat dhe sfidat me të cilat përballen veteranët – duke përfshirë përmirësimin e kushteve sociale, shëndetësore, si dhe mbrojtjen e dinjitetit të tyre.

    Ndërsa thuhet se liderët e Koalicionit theksuan angazhimin e tyre të fortë për mbështetje konkrete dhe intensivimin e Dialogut, me qëllim që të zgjidhen problemet që prekin kategoritë e dala nga lufta.

    “Ata u shprehën të vendosur për të punuar së bashku për të siguruar një mbështetje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për ish-luftëtarët – duke përmirësuar kushtet e jetesës dhe duke ruajtur nderin dhe dinjitetin e tyre.” – thuhet në njoftim.

    Ndërsa tutje thuhet se ky takim është një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe veteranëve, me qëllim krijimin e mundësive të reja për përmirësimin e jetës së tyre dhe të ardhmes së vendit.

    Koalicioni për Familjen po e vazhdon garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • OVL e UÇK-së zgjodhi Kryesinë e re

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka njoftuar se ka zgjedhur Kryesinë e re të kësaj organizate sot më 25.01.2025.

    Përmes një njoftimi në Facebook, OVL e UÇK-së ka publikuar emrat e anëtarëve.

    “Të vetëdijshëm për punën dhe detyrat që presin kryesinë e OVL–UÇK-së, të gjithë u zotuan për angazhimin, bashkëpunimin për mbrojtje të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani kur lufta e drejtë e UÇK-së po përballet më procese gjyqësore të padrejta, çdo herë misioni i OVL–UÇK-së do jetë mbrojtja dhe lufta kundër Gjykatës Speciale dhe këtyre gjyqeve të montuara, të padrejta dhe politike”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim bëhet e ditur se anëtarë të kryesisë së re janë:

    Fatmir Sopi, Gazmend Syla, Rafet Llapashtica, Fetah Bekolli, Jetullah Geci, Ali Mejzinolli, Istref Asllani, Shkumbin Demaliaj, Hajdin Balaj, Avdyl Krasniqi, Ilmi Ramusholli, Enver Hajdari, Destan Zekolli, Emin Lati, Alban Asllani, Salih Krasniqi, Rafet Ibishi, Bajram Mehmetaj, Muhamet Aliu, Arben Bazaj, Isuf Mazreku, Orhan Bislimaj, Bujar Haradinaj dhe Ramadan Gashi.

    Ndërsa kryetari i kësaj shoqate ditë më parë është zgjedhur Hysni Gucati.

  • Hysni Gucati zgjidhet kryetar i OVL-UÇK-së

    Hyseni Gucati është zgjedhur kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 18.01.2025.

    Gucati ka marrë besimin e anëtarëve të OVL – UÇK-së për ta drejtuar këtë organizatë përsëri për një mandat të ri 4-vjeçar.

    Kandidatë për kryetar të kësaj organizate ishin Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

    Gucati gjatë fjalimit tha se kandidaturën e tij për kryetar e shpalli për të vazhduar përkushtimin tij në mbrojtje të vlerave të luftës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai u zotua se do të kryejë punën me dinjitetin në mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së dhe veteranëve të luftës.

    Gucati kishte ndërprerë drejtimin e OVL-së pas arrestimit të tij nga Gjykata Speciale më 25.09.2020 në Prishtinë bashkë me Nasim Haradinajn.

    Krerët e OVL-UÇK-së Gucati dhe Haradinaj më 18.05.2022, u dënuan me nga 4 vjet e tre muaj burgim dhe 100 euro gjobë.

    Ata u gjetën fajtorë se mes datave 7 dhe 25.09.2020, shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike lidhur me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

    Pas arrestimit të tyre, drejtimin e OVL-UÇK-së e ka marrë Faton Klinaku si ushtrues detyre i kryetarit.