Etiketë: Palestina

  • Mijëra palestinezë nisin të kthehen në veri të Gazës

    Dhjetëra-mijëra palestinezë janë nisur të hënën në rrugën kryesore që çon në veri të Gazës, pasi Hamasi është pajtuar që t’i dorëzojë tri pengje izraelite këtë javë dhe pasi forcat ushtarake izraelite kanë nisur të tërhiqen prej korridorit kryesor të enklavës.

    Hamasi – grup palestinez që udhëheq Gazën – është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Një turmë e madhe njerëzish, disa duke mbajtur foshnje apo gjësende të domosdoshme nëpër duar, janë nisur në këmbë drejt veriut të Gazës.

    “Më duket sikur të kem lindur sërish dhe të jemi fitimtarë sërish.” – ka thënë një nënë palestineze për Agjencinë e lajmeve Reuters.

    Dëshmitarët kanë thënë se banorët e parë kanë mbërritur në qytetin e Gazës herët në mëngjes.

    Më vonë janë hapur edhe tri pikëkalime tjera, duke mundësuar edhe qarkullimin e makinave.

    “Zemra po më rrah fort. Kam menduar që nuk do të kthehem më kurrë.” – ka thënë Osama, 50 vjeç, shërbyes publik dhe baba i pesë fëmijëve, teksa ka arritur në qytetin e Gazës.

    “Pavarësisht se a do të ketë sukses armëpushimi, ne nuk do të largohemi më kurrë nga qyteti i Gazës dhe veriu, edhe nëse Izraeli sjell tanke për secilin prej nesh, nuk do të ketë më zhvendosje”.

    Duke pasur parasysh faktin se banorët e Gazës janë shpërngulur disa herë përgjatë 15 muajve të luftës, turma njerëzish janë larguar me gëzim prej tendave dhe kampeve kur kanë marrë vesh lajmin që pikëkalimet do të hapen.

    “Nuk kam fjetur, i kam bërë gati të gjitha gjërat për t’u nisur qysh në agim.” – ka thënë Ghada, nënë e pesë fëmijëve.

    “Të paktën jemi duke shkuar në shtëpi, tani mund të them se lufta ka përfunduar dhe shpresoj të jetë gjithçka qetë.” – ka thënë ajo për Reuters.

    Sipas Marrëveshjes për armëpushim, banorët e veriut të Gazës do të duhej të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre në fundjavë.

    Mirëpo Izraeli ka thënë se Hamasi e ka prishur Marrëveshjen, meqë nuk e ka liruar gruan e marrë peng, Arbel Yehud.

    Të dielën vonë ndërmjetësuesit e Katarit e kanë zgjidhur këtë mosmarrëveshje dhe Hamasi është pajtuar që ta lirojë Yehudin bashkë me ushtaren Agam Berger dhe një peng tjetër të enjten – dy ditë para lirimit të tri pengjeve të tjera.

    Izraeli më pas e ka dhënë dritën e gjelbër, që banorët e veriut të Gazës të mund të kthehen në vendbanimet e tyre prej të hënës.

    Rreth 650.000 njerëz janë zhvendosur nga veriu i Gazës përgjatë luftës, e cila është nxitur nga sulmet e Hamasit në jug të Izraelit, më 7 tetor 2023 – duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 të tjerë.

    Më shumë se 47.000 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gazë – sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

    Një pjesë e mirë e Gazës është shkatërruar nga luftimet dhe autoritetet nën dirigjim të Hamasit. Kanë thënë se banorët e kthyer në veri të Gazës do të kenë nevojë për mijëra tenda dhe qendra strehimi – teksa tentojnë t’i rikthehen normalitetit.

    Sipas Marrëveshjes së armëpushimit, vetëm personat e paarmatosur do të mund të kthehen në zonën veriore. Makinat do të kontrollohen në hollësi, nëse kanë ndonjë armë apo lëndë shpërthyese./REL.

  • Raportohet se Izraeli nuk lejon mijëra palestinezë që të kthehen në veri të Gazës

    Izraeli bllokoi mijëra palestinezë që të ktheheshin në veri të Gazës, ndërsa akuzoi Hamasin se nuk ka respektuar marrëveshjen sa përket rendit të pengjeve që duheshin liruar. Autoritetet lokale thanë të dielën se forcat izraelite qëlluan mbi turma duke vrarë 2 persona dhe duke plagosur shtatë të tjerë.

    Sipas marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas, Izraeli të shtunën do duhej të fillonte t’i lejonte palestinezët të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazën veriore, në këmbë përmes të ashtuquajturit korridori Netzarim që përshkon mes për mes Gazën. Izraeli vendosi të mos e bëjë një gjë të tillë derisa Hamasi të lirojë një peng për të cilin Izraeli tha se supozohej të ishte liruar të shtunën. Hamasi nga ana e tij akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes.

    Në një tjetër zhvillim, Presidenti Donald Trump sugjeroi që pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës duhet të zhvendoset përkohësisht diku tjetër, përfshirë në Egjipt dhe Jordani në mënyrë që të bëhet e mundur siç u shpreh ai “pastrimi” i të gjithë rajonit të shkatërruar nga lufta.

    Më herët, Egjipti, Jordania dhe vetë palestinezët kanë refuzuar një ide të tillë, pasi druhen se Izraeli mund të mos lejojë më kurrë kthimin e të zhvendosurve në Gazë./VOA

  • Hamasi liron 4 ushtare izraelite në këmbim të 200 të burgosurve palestinezë

    Hamasi ia dorëzoi të shtunën Izraelit katër ushtaret izraelite të mbajtura rob në Gazë. Ndërkohë, Izraeli i liroi 200 të burgosur ose të paraburgosur palestinezë siç është paraparë në marrëveshjen e tyre për armëpushim në Rripin e Gazës.

    Militantët e Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – së pari i parakaluan ato nëpër “Sheshin Palestinez” në qendër të qytetit Gaza, para se t’i dorëzonin te Kryqi i Kuq, i cili i dërgoi ato më pas në Izrael.

    Disa orë pasi Hamasi i liroi katër pengjet izraelite, Izraeli njoftoi se i liroi 200 të burgosur palestinezë. Ata përfshijnë 120 persona që kishin vuajtur dënime të përjetshme pasi ishin dënuar për sulme vdekjeprurëse kundër izraelitëve. Rreth 70 prej tyre u liruan në Egjipt, sipas televizionit shtetëror egjiptian, Qahera TV.

    Egjipti shërbeu si ndërmjetës kyç në bisedimet mbi njëvjeçare që çuan në marrëveshjen e armëpushimit. Njerëzit mblidhen pranë një autobusi që transporton të burgosur palestinezë të liruar nga një burg izraelit, si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë midis Hamasit dhe Izraelit, në Bregun Perëndimor, 25 janar 2025.

    Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, e publikoi më vonë një video që shfaqte pengjet e liruara duke u mirëpritur në një bazë ushtarake izraelite.

    Më vonë, zyra e Netanyahu tha se Arbel Yehoud, një penge civile e mbajtur nga Hamasi, duhej të ishte liruar të shtunën. Ajo deklaroi se Izraeli nuk do t’i lejojë palestinezët të fillojnë të kthehen në veri të Gazës, siç pritej të ndodhte të dielën, derisa ajo të lirohet.

    Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se grupi ka njoftuar ndërmjetësit se Yehoud do të lirohet javën e ardhshme.

    Mbështetësit e pengjeve izraelite reagojnë ndaj lajmeve mbi negociatat për armëpushimin në Gazë, gjatë një proteste për të kërkuar marrëveshje për kthimin e çdo pengu në shtëpi, në Tel Aviv, Izrael, 15 janar 2025.

    SHIKONI EDHE:

    Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshje për armëpushim dhe pengje

    Armëpushimi mes Hamasit dhe Izraelit ka synon t’i japë fund luftës më vdekjeprurëse dhe shkatërruese që është zhvilluar ndonjëherë midis tyre. Marrëveshja e brishtë nuk është shkelur deri më tani, dhe ka bërë që të ndalen sulmet ajrore dhe raketore dhe ka mundësuar hyrjen e më shumë ndihmave në territorin e vogël bregdetar.

    Tri pengje të mbajtura nga militantët u liruan në këmbim të 90 të burgosurve palestinezë, të gjithë gra dhe fëmijë, fundjavën e kaluar kur hyri në fuqi armëpushimi.

    Kush janë ushtaret dhe të burgosurit që po lirohen?

    Katër ushtaret izraelite, Karina Ariev, 20 vjeçe, Daniella Gilboa, 20 vjeçe, Naama Levy, 20 vjeçe dhe Albag, 19 vjeçe, u u zunë rob gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi luftën.

    Në këmbim të tyre, Izraeli duhej t’i lironte 200 të burgosur, përfshirë 121 që po vuanin dënime të përjetshme, sipas një liste të publikuar nga Hamasi.

    Ndër militantët më famëkeq që po lirohen janë Mohammad Odeh, 52 vjeç, dhe Ëael Qassim, 54 vjeç, të dy nga Jerusalemi Lindor. Ata akuzohen për kryerjen e një sërë sulmesh vdekjeprurëse të Hamasit kundër izraelitëve, përfshirë një sulm me bombë në një mensë në Universitetin Hebraik të Jerusalemit në vitin 2002, ku u vranë nëntë persona, përfshirë pesë shtetas amerikanë.

    Një e burgosur palestineze përqafohet nga një grua tjetër pasi u lirua nga një burg izraelit si pjesë e një shkëmbimi pengjesh dhe të burgosurish dhe një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë, më 20 janar 2025.

    SHIKONI EDHE:

    Izraeli i liron 90 të burgosur palestinezë, pasi Hamasi i ktheu 3 pengje

    Katër ushtaret e liruara u kapën në bazën Nahal Oz pranë kufirit me Gazën, kur militantët palestinezë e pushtuan atë, duke vrarë më shumë se 60 ushtarë atje.

    Çfarë pritet tjetër gjatë armëpushimit?

    Pritej që Izraeli të fillonte të tërhiqej nga korridori i Netzarimit – një rrugë lindje-perëndim që ndan Gazën në dy pjesë – dhe t’i lejonte palestinezët e zhvendosur në jug të ktheheshin në shtëpitë e tyre të mëparshme në veri, për herë të parë që nga fillimi i luftës.

    Por, kjo duket se është pezulluar deri në lirimin e Yehoud.

    Ministria e Brendshme e drejtuar nga Hamasi tha më herët se palestinezët e zhvendosur do të lejohen të kthehen në veri të Gazës duke filluar nga e diela. Ministria, e cila mbikëqyr forcat e policisë, tha se palestinezët do të mund të lëvizin midis jugut dhe veriut të Gazës në këmbë përmes rrugës bregdetare Rashid.

    Është e paqartë se çfarë do të ndodhë pas fazës së parë gjashtëjavore të marrëveshjes, por ka shumë shpresa se ajo do të çojë në përfundimin e luftës që ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, ka zhvendosur pjesën më të madhe të popullsisë dhe ka lënë qindra mijëra njerëz pa ushqim.

    Lufta filloi kur militantët e Hamasit thyen barrierat kufitare në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe morën peng rreth 250 të tjerë.

    Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor nëntorin e vitit 2023. Izraeli beson se të paktën një e treta e më shumë se 90 pengjeve që po mbahen ende në Gazë, u vranë në sulmin fillestar ose vdiqën në robëri./REL