Etiketë: pdk

  • Bedri Hamza në Gjakovë: Nëse dikush e humb vendin e punës, do të marrë 80% të pagës për 6 muaj

    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, më 31.01.2025 ka mbajtur tubim me qytetarë në Gjakovë.

    Hamza ka thënë se qytetarët kanë vendosur për një qeveri që investon në Gjakovë.

    Ai ka thënë se nëse dikush e humb vendin e punës, do të marrë 80% të pagës së fundit për 6 muaj.

    “Qëllimi jonë është që t’i mbrojmë të punësuarit, që të kenë paga të dinjitetshme, të jetojnë dinjitetshëm me familjet e tyre dhe t’ju garantojmë të drejtat përmes themelimit të Gjykatës së Punës dhe themelimit të Fondit për Papunësinë. Në rast se dikush e humb vendin e punës, atëherë do të marrë 80% të pagës së fundit për 6 muaj” – ka thënë Hamza.

    Ai tutje është zotuar për përfundimin e rrugës Dollc – Gjakovë dhe projekte tjera.

    “Në Rrafshin e Dukagjinit, në Gjakovë, do të ketë investime. Do të përfundohet shpejt kjo rrugë që s’po dihet kur do të mbarojë, Dollc-Gjakovë. Do të ndërtohen rrugë dhe do të lidhen qytetet me rrugë me katër korsi: Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren dhe shumë projekte të tjera transformuese për Gjakovën dhe gjithë Kosovën”- ka thënë Hamza.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

     

  • Hamza në Mitrovicë zotohet për forcim të aleancave me SHBA-në dhe BE-në

    Kandidati  i Partisë Demokratike e Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, më 30.01.2025 e ka vazhduar fushatën elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit me një tubim në Mitrovicë.

    Ai para qytetarëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të këtij subjekti politik, tha se me PDK-në në Qeveri janë ndërtuar autostrada, është zhvilluar ekonomia e janë hapur vende të reja pune.

    Hamza është zotuar për forcim të aleancave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europën.

    “Me ju, jo vetëm që do ta çojmë amanetin në vend, por do ta ndërtojmë të ardhmen që meritojmë. Një të ardhme të sigurt për fëmijët tanë, mirëqenie për prindërit tanë dhe paga të dinjitetshme për krejt qytetarët. Do ta gjallërojmë ekonominë dhe do ta forcojmë aleancën me SHBA-të dhe Evropën. Për ne, për çdo qytetar, për Kosovën, koha është tash”- theksoi ai.

    “Do ta kemi një standard të ri në politikë, një qeveri të re. Një qeveri që punon dhe që mban fjalën. Prandaj, qysh në muajt e parë të qeverisjes, do t’i rrisim pagat në sektorin publik për 50 për qind”- tha Hamza.

    Ai ka premtuar rrugë te reja e moderne. Ndërsa, ka thënë se do ta riformojnë sistemin arsimor, duke premtuar investime në universitete.

    Kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, para pjesëmarrësve tha se Bedri Hamza është patriot që e mban fjalën.

    “Mitrovica do të jetë më e fortë me Bedri Hamzën. Ne jemi sonte këtu sepse besojmë në Kosovë ma të mirë, mundet e do të bëjë më shumë për secilin prej jush. Ky është misioni ynë. Patriot që e mban fjalën që e jep”- theksoi Krasniqi.

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është formuar pak muaj pas çlirimit të vendit më 1999.

    Nga viti 2004 deri më 2007, PDK ishte në opozitë. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, PDK-ja konfirmohet si forca e parë politike në vend, dhe prej 9 janarit 2008, deri në vitin 2014 ish-kryetari Hashim Thaçi ishte kryeministër i Kosovës.

    PDK, me koalicione të ndryshme, ka marrë pjesë në Qeveri deri më 2019.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • A planifikon PDK-ja ta përfshijë terapinë hormonale në Listën e Barnave Esenciale nëse vjen në pushtet?

    Partia Demokratike e Kosovës nuk ka ndonjë premtim konkret në lidhje me përfshirjen e terapisë hormonale në kuadër të Listës së Barnave Esenciale, por nuk e përjashton mundësinë që ta bëjë këtë gjë nëse vjen në pushtet.

    Në lidhje me këtë çështje, që në fakt është edhe kërkesë e komunitetit LGBTQ+, kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, në “Debat Përnime”, ka kërkuar përgjigje të drejtpërdrejt nga kandidatët për deputetë nga PDK-ja, Pleurat Sejdiu, Fatbardh Rexha, Mimoza Ahmetaj dhe Eliza Hoxha.

    Kësaj pyetje i është përgjigjur Fatbardh Rexha duke thënë se qasja e PDK-së është që të bëhet një vlerësim periodik për nevojat për barna, duke marr parasysh të gjitha të drejtat e të gjitha kategorive që jetojnë në Kosovë.

    “Vlerësimi për Listën Esenciale, qoftë me shërbime, qoftë me barna bëhet në bazë të performancave mjekësore dhe nevojave apo indikacioneve shëndetësore që duhet të bëhen në drejtim të ruajtjes dhe avancimit të shëndeti në përgjithësi”- u përgjigj Rexha ne debatin e transmetuar më 22.01.2025.

    Mirëpo, në programin zgjedhor të PDK-së të publikuar në ueb-faqen e kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, nuk është publikuar ndonjë premtim specifik që ka të bëj me komunitetin LGBTQ+.

    Terapia hormonale për individë të komunitetit LGBTQ+, sidomos për individë transgjinorë ose jo-binarë, është një proces që përfshin përdorimin e hormoneve për të rregulluar karakteristikat fizike të një personi në përputhje me identitetin e tij gjinor. Qëllimi është të ofrojë një përvojë më të përputhshme me gjininë me të cilën një person identifikohet, sipas Asociacionit Botëror Profesional për Shëndetin e Transgjinorëve.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025, datë kjo e dekretuar nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.