Etiketë: Qeveria

  • FSK-së i jepen në shfrytëzim 100 hektarë të Agjencisë së Pyjeve

    Qeveria e Kosovës ka vendosur që 100 hektarë pronë të Agjencisë së Pyjeve t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Vendimi u mor në mbledhjen e mbajtur më 31.01.2025.

    Prona është në lokacionin e Batllavës, Komuna e Podujevës, te vendi i quajtur Lumi i Surdullit dhe e evidentuar si pronë shoqërore.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo pronë do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve operacionale të Ushtrisë.

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në anën tjetër ka thënë se prona kërkohet me qëllim të arritjes së objektivave për investime afatgjata për interesa të veçanta në infrastrukturë.

    “Sipërfaqja e pronës që FSK merr në shfrytëzim është 100 mijë m2 apo 100 hektarë. Duke pasur parasysh rëndësinë që ka kjo pronë për zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale të Ushtrisë, kërkoj aprovimin nga ju për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone për Ministrinë e Mbrojtjes.” – ka thënë Maqedonci në mbledhjen e Qeverisë.

    Ky Vendim u miratua me vota unanime në Qeveri.

    Në vitin e fundit të mandatit katërvjeçar “Qeveria Kurti 2” i ka ndarë 202.8 milionë euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të Ligjit për Buxhetin. Këto mjete u planifikuan për t’u shpenzuar për vitin 2025, me qëllim që Ushtria t’i kryejë detyrat me efikasitet të plotë.

  • Anton Ahmeti emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave

    Qeveria e Kosovës e ka miratuar propozimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati për emërimin e Anton Ahmetit në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave.

    Ministri Murati foli për procesin e këtij emërimi.

    “Procesi ka qenë i stërzgjatur edhe për shkak të Ankesave. Tash, pas Ankesave kemi mundësi të lëvizim tutje për emërimin e Arton Ahmetit Sekretar në Ministri.” – deklaroi Murati.

    Emërimi i Ahmetit Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave u mor gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur të premten, më 31.01.2025.

     

  • Qeveria e Kosovës ndan gjysmëmilioni euro për palestinezët në Gazë

    Qeveria e Kosovës, gjatë mbledhjes së mbajtur më 31.01.2025, ka miratuar ndarjen e 500 mijë eurove për Gazën.

    Kjo ndarje e mjeteve u bë me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se populli palestinez ka nevojë për mbështetje humanitare, si pasojë e luftës atje.

    “Qeveria do të ndajë gjysmëmilioni euro për ndihmë humanitare për qytetarët në Gazë. Në mënyrë që të mbijetojnë dhe të rindërtojnë vendin e tyre, ata kanë nevojë për ndihmë nga vendet e tjera.” – deklaroi Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë.

    Kryeministri Kurti bëri thirrje që armëpushimi aktual në Gazë të shfrytëzohet për arritje të paqes së qëndrueshme.

    Gëzimi i mijëra familjeve palestineze që u kthyen në shtëpi në Gazën veriore, pas armëpushimit me Izraelin, po kthehet në dëshpërim, teksa po përballen me realitetin e shtëpive të ftohta, të pabanueshme, të bombarduara, si dhe me mungesa të ashpra të ushqimeve – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

    Shumë prej tyre, sipas kësaj Agjencie, kanë nisur të ankohen për mungesën e ujit të rrjedhshëm – duke u detyruar të presin në radhë për orë të tëra për të mbushur enët plastike, sa për pirje a pastrim. Me shumicën e shtëpive që tani janë kthyer me rrënoja, aq sa syri mund të shohë, të kthyerit kanë pastruar çdo send të dobishëm që ka mbetur nga pronat e tyre, për të ngritur tenda të improvizuara.

    Marrëveshja për paqe mes Izraelit dhe Hamasit është arritur më 15.01.2025. Kjo Marrëveshje përfshin edhe lirimin e pengjeve të  marra nga Hamasi dhe lirimin e shumë të burgosurve palestinezë të cilët mbahen në burgjet izraelite.

    Më  07.01. 2023, Hamasi ndërmori një sulm vdekjeprurës në Izrael, duke vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen 250 persona.

    Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të ashpra, duke shkaktuar mbi 46.000 palestinezë të vrarë dhe shkatërrime të madha në Gazë.