Etiketë: shqipëria

  • Ekstradohen nga Shqipëria dy persona, njëri dyshohet për kultivim të bimëve narkotike

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 27.01.2025 janë ekstraduar nga Shqipëria dy persona të dyshuar për dy raste të ndryshme.

    Ata kanë qenë të kërkuar nga autoritetet e Kosovës.

    Sipas njoftimit, njëri prej të ekstraduarve, shtetas i Shqipërisë, dyshohet për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Sferkë të Komunës së Pejës.

    Ndërsa, për personin tjetër Policia nuk ka dhënë detaje se për çka dyshohet. I njëjti është pranuar nga Njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Vërmicë.

  • Shqipëria dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje në fushën e sigurisë

    Shqipëria dhe Ukraina e kanë nënshkruar një marrëveshje afatgjate në fushën e sigurisë të martën në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës.

    Lajmi u bë i ditur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    “Në Davos, me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme në fushën e sigurisë”, tha Rama në Facebook, duke mos dhënë më shumë hollësi.

    Por, Zelensky tha se Ukraina dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshje “afatgjate për bashkëpunim dhe mbështetje mes dy vendeve tona”.

    “Shqipëria i ka dhënë ndihmë ushtarake dhe humanitare Ukrainës prej se nisi pushtimi i plotë dhe do të vazhdojë ta mbështetë atë gjatë periudhës 10-vjeçare të marrëveshjes. Po ashtu, Shqipëria do të kontribuojë edhe në koalicionin e avionëve luftarakë”, tha Zelensky në X.

    Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, e ka dënuar agresionin rus dhe ka vendosur sanksione kundër Moskës për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës, që nisi në shkurt 2022.

    Po ashtu, Tirana ka ofruar edhe ndihmë tjetër, përfshirë edhe strehimin e shtetasve ukrainas.

    Në fillim të vitit të kaluar, Tirana ishte nikoqire e një samiti për Ukrainën, i bashkoi liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe atë të Moldavisë.

    Në këtë samit, që u mbajt me ftesë të kryeministrit Rama, mori pjesë presidenti Zelensky.

    Shqipëria dhe Ukraina kanë vendosur raporte diplomatike më 1993, dhe ato janë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria veçse ka hapur kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim.

    Në fillim të këtij muaji, Shqipëria e inauguroi objektin e Ambasadës së saj në Kiev të Ukrainës.

    Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, tha se ky objekt nuk do të ishte vetëm një urë bashkëpunimi mes shteteve, por edhe dëshmi për qëndrueshmërinë dhe angazhimin e përbashkët drejt një të ardhmeje në paqe dhe një Evrope “të bashkuar, të fortë dhe të begatë”.

    Ambasada, e hapur në fund të vitit 2024, pësoi dëme materiale disa javë më parë si pasojë e sulmeve me raketa ruse./ REL

  • Shqipëria inauguron ambasadën e saj në Kiev

    Shqipëria ka inauguruar më 18.01.2025 objektin e ambasadës së saj në Kiev të Ukrainës. Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, tha se ky objekt nuk do të jetë vetëm një urë bashkëpunimi mes shteteve, por edhe dëshmi për qëndrueshmërinë dhe angazhimin e përbashkët drejt një të ardhmeje në paqe dhe një Evrope “të bashkuar, të fortë dhe të begatë”.

    Ambasada, e hapur në fund të vitit 2024, pësoi dëme materiale disa javë më parë si pasojë e sulmeve me raketa ruse.

    I pranishëm në ceremoninë e inaguruimit ishte edhe kryediplomati ukrainas, Andrii Sybiha.

    Gjatë vizitës së tij të parë në Kiev, Hasani u takua edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Në takim ata nënshkruan edhe një memorandum bashkëpunimi, që ka në fokus bashkëpunimin për integrimin evropian. Zyrtarët shtetërorë po ashtu këmbyen dokumentet e ratifikimit të Marrëveshjes të Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes dy vendeve.

    “Këta hapa paraqesin përparim të madh në forcimin e raporteve mes dy shteteve tona dhe riafirmojnë përkushtimin tonë për një partneritet afatgjatë. Shqipëria qëndron me Ukrainën në rrugën e saj drejt paqes, sigurisë dhe të ardhmes evropiane”, tha kryediplomati Hasani.

    Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, ka dënuar agresionin rus dhe ka vendosur sanksione kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Po ashtu, Tirana ka ofruar ndihmë tjetër, përfshirë edhe strehimin e shtetasve ukrainas.

    Të dyja shtetet, po ashtu, janë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria veçse ka hapur kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim./REL