Etiketë: Sibel halimi

  • LDK premton se do të plotësojë kërkesën e komunitetit LGBTQ+ për terapi hormonale

    Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sibel Halimi, në kuadër të emisionit “Debat Përnime”, ka folur për qasjen që LDK-ja do ta ketë ndaj komunitetit LGBTQ+, në rast se rikthehet në pushtet.

    Lidhur më këtë, ajo ka thënë se “të drejtat e njeriut janë pjesë fundamentale për funksionimin e shoqërisë kosovare”.

    Sipas saj, të drejtat e njeriut duhet të respektohen ashtu siç janë të përfshira edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe në mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, duke garantuar mbrojtje për të gjitha kategoritë shoqërore.

    “Ne ose jemi shoqëri e hapur ose nuk jemi shoqëri e hapur. Ne nuk mund të konsiderojmë që jemi pro një grupi shoqëror dhe nuk jemi pro një grupi tjetër. Kështu që mendoj që të drejtat e njeriut janë të përfshira në Kushtetutën e Kosovës edhe në mekanizmat ndërkombëtarë që ua garanton të gjitha kategorive shoqërore jetën dhe mbrojtjen e tyre”- ishte përgjigjia e kandidiatës Sibel Halimi, më 12.01.2025 në “Debat Përnime”

    Ndërsa, kandidati tjetër për deputet nga po e njëjta parti, Ardian Shala, nuk e ka përjashtuar mundësinë që pjesë e Listës se Barnave Esenciale të jetë edhe terapia hormonale, e cila ka qenë kërkesë e komunitetit LGBT+ më herët.

    “Dhe pse jo, të përfshijmë edhe shumë kategori të tjera që i përmendet: terapia hormonale, sepse kjo ka qenë diskutim i madh edhe më herët dhe ne do të bëjmë çmos që këtyre njerëzve që kanë nevojë të jashtëzakonshme t’ua sigurojmë terapinë e duhur. Pra me pagesë, me mbulim nga shteti” – tha Shala.

    Terapia hormonale për individë të komunitetit LGBTQ+, sidomos për individë transgjinorë ose jo-binarë, është një proces që përfshin përdorimin e hormoneve për të rregulluar karakteristikat fizike të një personi në përputhje me identitetin e tij gjinor. Qëllimi është të ofrojë një përvojë më të përputhshme me gjininë me të cilën një person identifikohet, sipas Asociacionit Botëror Profesional për Shëndetin e Transgjinorëve.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 09.02.2025, datë kjo e dekretuar nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

  • Fuqizimi i grave, Jaha: LDK-ja veçse e ka bërë hapin e parë

    Fatlume Jaha, kandidate për deputete nga LDK-ja, ka folur për fuqizimin e gruas gjatë emisionit “DebatPërnime”, më 12.01.2025.

    Ajo tha se nuk ka formë më të mirë për t’i fuqizuar gratë se sa t’i fuqizosh ato në aspektin ekonomik.

    E, sipas saj, LDK-ja veçse ka filluar ta bëjë këtë gjë.

    “Konsideroj se LDK veçse e ka bërë hapin e parë për ta bërë këtë [fuqizimin e gruas] përmes shkollës tërëditore, sepse e ka bërë një lehtësi shumë të madhe për nënat.” – tha ajo.

    Ndërsa, kandidatja tjetër për deputete, Sibel Halimi, e cila njëherësh është drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, duke folur në nivel të konstatimeve tha se deri më tani nuk kanë parë asgjë konkrete nga partia në pushtet për ta parandaluar vrasjen e grave.

    Halimi tha që është ithtare e përfshirjes së një lënde specifike në sistemin parauniversitar, e cila do të bënte me njohuritë mbi gjininë. Po ashtu, ajo premtoi që gratë do t’i përfshijnë në tregun e punës, do t’u ofrojnë politika miqësore, do të përfshijnë Ligjin e Prindërimit dhe ta zhdukin hendekun mes sferës publike dhe private për jetën e grave në Kosovë.

    “Në këtë Sistem të Drejtësisë që është jashtëzakonisht i brishtë, me një diskurs publik i cili denigron të gjitha hallkat e funksionimit të Sistemit të Drejtësisë, natyrisht që gratë ndihen të pambrojtura dhe janë në një pozitë, ku më nuk u besojnë as institucioneve të sigurisë.” – tha Halimi.

    Se a do t’i largojnë nga puna policët e Kosovës që i kanë rrahur bashkëshortet, Halimi tha se “jo vetëm nëse ndodhë akti i dhunës, por edhe në qoftë se përdoret gjuhë denigruese apo atakim emocional do të merren masa”.

    “DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    “Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”. 

    Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/ldk-premton-ne-debat-pernime-reforma-ne-drejtesi-dhe-investime-kapitale-miliardeshe/

  • Sibel Halimi (LDK): Do të ndërtojmë Teatrin Kombëtar

    Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Sibel Halimi ka folur në “DebatPërnime” për projektet që i kanë paraparë për fushën e kulturës me Programin e tyre zgjedhor.

    Ajo tha se LDK planifikon të bëjë investime kapitale, që brenda një mandati 4 vjeçar “t’i rehatojë” institucionet e Kulturës.

    Në kuadër të këtij Programi, sipas saj, përfshihet edhe ndërtimi Teatrit Kombëtar.

    Derisa foli për këtë plan, Halimi përmendi grevën e aktorëve të Teatrit Kombëtar, duke thënë se ata po trajtohen jodinjitetshëm.

    “Derisa ne po qëndrojmë këtu, aktorët e Teatrit Kombëtar po qëndrojnë në grevë, pikërisht për shkak të mostrajtimit të dinjitetshëm nga  Ministria e Kulturës.” – është shprehur ajo,

    “DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht, deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025.

    Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    “Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”. 

    https://kallxo.com/gjate/ldk-premton-ne-debat-pernime-reforma-ne-drejtesi-dhe-investime-kapitale-miliardeshe/