Etiketë: Skenderaj

  • Dyshohet se sulmoi zyrtarët policorë, arrestohet një person në Skenderaj

    Policia e Kosovës ka raportuar se një person në gjendje jo të mirë ka sulmuar zyrtarët policorë në Skenderaj, më 28.01.2025.

    Madje, njëri nga policët ka kërkuar edhe tretman mjekësor.

    Sipas Policisë rasti ka ndodhur kur i njëjti ka tentuar ta dëmtojë varrin e babait të tij.

    “Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar me të meta psikike ka tentuar të dëmtojë varrin e babait të tij, si dhe i njëjti ka sulmuar zyrtarët policorë, ku njëri ka kërkuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje.” – tha Policia në Raportin 24-orësh.

  • Kurti në Drenas: Ju kërkojmë falje që u vonuam sepse në Skenderaj na pritën me fishekzjarre, entuziazëm shtesë për fitoren e 9 shkurtit

    Pas tubimit që u shoqërua me protesta nga disa qytetarë në Skenderaj, Lëvizja Vetëvendosje më 27.01.2025 e ka vazhduar fushatën në Drenas.

    Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, e nisi fjalimin në Drenas duke thënë se në Skenderaj ka pasur pjesëmarrje me të madhe sesa ka pritur.

    “Ne ju kërkojmë falje që u vonuam sonte meqë në Skenderaj pati pjesëmarrje më të madhe në tubim sesa që e kishim menduar. Na pritën edhe me fishekzjarre e me petarda. Entuziazëm shtesë për fitoren e 9 shkurtit”- u shpreh Kurti.

    Ai tutje ka folur për të arriturat e Qeverisë së drejtuar prej tij, duke thënë se janë duke i eliminuar politikanët himni i të cilëve “nuk është rreth flamurit të përbashkuar, por rreth korrupsionit të përbashkuar”.

    Sipas Kurtit, opozitarët po i ndan paraja.

    “Rritjen ekonomike që reflektohet në 50 për qind bruto produkt vendor. Rekord të investimeve kapitale ka pasur vitin e kaluar. Mbështetja jonë është reflektuar edhe në Drenas. I kemi izoluar dy ndërtesa shumëbanesore sociale, ndërsa i kemi rinovuar nëntë shkolla. Rreth 2,500 nëna lehona kanë fituar shtesa. Pensionistët e Drenasit kanë përfituar 20% rritje nga janari”- ka thënë ai.

    Lëvizja Vetëvendosje ka nisur sot, më 27.01.2025, në ora 18:00, një tubim zgjedhor në Skenderaj.

    Disa qytetarë janë mbledhur në qendër të Skenderajt dhe kanë protestuar kundër tubimit të LVV-së dhe pranisë së kryeministrit Albin Kurti.

    Ata kanë thirrur “Thaçi, Thaçi”, “PDK, PDK”, “Sami Lushtaku”, si dhe kanë hedhur mjete piroteknike drejt vendit ku po mbahej tubimi zgjedhor i LVV-së.

    Përmes një postimi në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se “në tokën e heroizmit e të krenarisë, aty ku shumëçka flet për luftën dhe sakrificën, mbështetës si asnjëherë më parë u mblodhën për ta pritur Kryeministrin Albin Kurti”.

     

  • Tubimi i Vetëvendosjes në Skenderaj, reagon Hajrulla Çeku

    Lëvizja Vetëvendosje ka nisur sot, më 27.01.2025, në ora 18:00, një tubim zgjedhor në Skenderaj.

    Disa qytetarë janë mbledhur në qendër të Skenderajt dhe kanë protestuar kundër tubimit të LVV-së dhe pranisë së kryeministrit Albin Kurti.

    Ata kanë thirrur “Thaçi, Thaçi”, “PDK, PDK”, “Sami Lushtaku”, si dhe kanë hedhur mjete piroteknike drejt vendit ku po mbahej tubimi zgjedhor i LVV-së.

    Ndaj veprimeve të këtyre personave ka reaguar ministri i Kulturës, njëherazi kandidat i LVV-së për deputet, Hajrulla Çeku.

    Ai i ka quajtur ata “qyqanë të orkestruar nga partia”.

    “Disa qyqanë të orkestruar nga partia paskan tentu me e pengu tubimin e Vetëvendosjes në Skenderaj. Për çudi, komuna paralele e Serbisë atje nuk ju bënte fort përshtypje. Harroni që na ndalni. Po thyejmë bastione një nga një, cep më cep. Dje në Deçan, sot në Drenicë, e çdo ditë deri në 500 mijë zemrat e 9 shkurtit. Politika primitive nuk kalon.”- ka thënë ai.

    KALLXO.com ka kërkuar informacione nga zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, i cili ka thënë se tubimi po mbahet.

    “Po, po mbahet dhe nuk ka kush e ndalon LVV-në me mbajtë tubime. Askund, cep më cep të vendit”- u përgjigj ai.

    Lidhur me këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Policia e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.