Etiketë: SPAK

  • Tiranë, SPAK-u kërkon konfiskimin e pasurive të Ervis Martinajt

    Duke e cilësuar si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkoi sot Gjykatës së Posaçme të konfiskojë pasuritë e Ervis Martinajt, të sekuestruara dy vjet më parë.

    Në fillim të vitit 2023 Prokuroria e Posaçme nisi hetimin pasuror ndaj Martinajt, si i dyshuar për “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, si dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Indrit Dokle, kryer në bashkëpunim të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal.

    Prokuroria ka renditur 31 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të Martinajt nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me të, duke i quajtur si të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe të dyshuara se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me ta.

    Në listën e pronave janë përfshirë 3 subjekte si dhe 8 shoqëri dhe aksione në to, pesë automjete, një llogari bankare, 567 metër katrorë apartamente në Vlorë, Kurbin e Tiranë dhe një vilë në periferi të kryeqytetit, 4 hektarë toka në Sarandë, Kurbin e Tiranë, mbi 1 hektarë ullishte në Dhërmi e Tiranë si dhe njësi shitore 137 metër katrorë në kryeqytet.

    Ervis Martinaj është zhdukur prej disa kohësh, ndërsa dyshohet se është një figurë e njohur e krimit të organizuar, ndaj është lëshuar një urdhër arresti për të.

    Emri i tij ka dalë edhe në hetimet e disa vrasjeve dhe përpjekjeve për vrasje, ku dyshohet të jetë përfshirë Martinaj, hetime gjatë të cilave Prokuroria e Posaçme arrestoi korrikun e vitit të kaluar ish drejtuesin e Prokurorisë së Kukësit Xhevair Lita, ish drejtorin e Forcës Operacionale të Policisë Oltion Bistri, sipërmarrësin Pëllumb Gjoka, ish shefa e punonjës policie dhe emra të njohur të botës së krimit./VOA

  • AAK në “Debat Përnime”: Kosova s’ka nevojë për SPAK, e kemi Prokurorinë Speciale

    Në emisionin “Debat Përnime”, në të cilin është diskutuar për programin zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pjesë e diskutimeve ishte nevoja për një “reformim rrënjësor” të sistemit të drejtësisë.

    Kreshnik Gashi, kryeredaktor në KALLXO.com ka ballafaquar kandidatët e AAK-së me objektivat e tyre programore në këtë fushë.

    “Pse po doni me e fuqizu Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, një mekanizëm i cili është totalisht jofunksional edhe mbi bazën e ligjore në hetimin e pasurisë, dhe në anën tjetër mos me e fuqizu Prokurorinë e Shtetit, e cila i ka kompetencat për me i hetu- prej deklarimit, prej shpëlarjes së parave, prej krimit të organizuar, prej korrupsionit dhe elementeve të tjera. A po tentohet që sërish me u investu edhe katër vite të tjera në diçka që është mekanizëm i Kuvendit, i cili nuk ka përgjegjësi të mëdha në hetim të korrupsionit, por në parandalim, e me u shmangë investimi aty ku duhet- në krijimin e një SPAK-u të Kosovës” – pyetur Gashi.

    Përgjigje për këtë çështje ka dhënë kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, duke thënë se Kosova nuk ka nevojë për një SPAK, pasi të njëjtin funksion e ka Prokuroria Speciale.

    “ Shqipëria, SPAK-un e ka themeluar jo për qef. E ka themeluar sepse e ka pasë parakusht themelor për më ecë përpara. Dhe, unë mendoj që SPAK-u është mrekullia që i ka ndodhë Shqipërisë, por nuk mendoj që këtu duhet të vijë një SPAKë, për shkak se ne e kemi SPAK-un. SPAK-u i Kosovës është Prokuroria Speciale”, ka deklaruar Tahiri.

    Madje, ai foli edhe për ngjashmëritë që kanë në përmbajtjen ligjore këto dy institucione.

    “Nëse i lexoni detyrat që i ka SPAK-u dhe i lexoni detyrat që i ka Prokuroria Speciale nuk dallojnë shumë. Ajo që ne duam është që ta rrisim integritetin e gjykimit, guximin dhe njëkohësisht përformancën, por jo duke marrur një model i cili për mendimin tim nuk i takon…”- ka deklaruar ai.

    Njëjtë mendon edhe kandidati tjetër për deputet, Arton Demhasaj. Prokuroria Speciale, sipas tij, është një lloj SPAK-u, vetëm se duhet të investohet në aspektin financiar dhe në kuadro profesionale.

    “Në momentin që ne investojmë me bazë ligjore, por edhe në aspektin financiar, por edhe me resurse njerëzore, Prokuroria Speciale është një lloj SPAK-u. Specialja i ka këto kompetenca, veç duhet me mbështet me financa, me burime njerëzore dhe profesionale. E ata pastaj e kryejnë punën si SPAK-u në Shqipëri”- tha Demhasaj.

    Si të nevojshëm, ai e sheh edhe rishikimin e sistemit prokurorial.

    “Së pari duhet me ndodhë një lloj rishikimi i sistemit prokurorial që me ardhë deri tek ajo që me pasë një profilizim të qartë të sistemit prokurorial. Specialja mos me pasë kompetenca për me hetu gjithçka, por me qenë e profilizuar”- tha Demhasaj.

    Për më shumë kilikoni në link:

  • Drejtësia në fokus: Kërkohet gjykimi i të akuzuarve për ndikim në çështjen ‘Toyota Auris’

    SPAK ka përfunduar hetimet ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka dhe tre të pandehurve të tjerë të akuzuar për korrupsion e ndikim të paligjshëm tek funksionarët e drejtësisë për lehtësimin e akuzave në 4 çështje që kishin të bënin me dosjen e njohur si “Toyota Auris” dhe 4 çështje të tjera penale, ndërkohë që është veçuar hetimi për prokurorët e gjyqtarët që përmenden në bisedat dhe komunikimet e të akuzuarve për veprime korruptive.

    Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,  njoftoi të shtunën më 4 janar përfundimin e hetimeve paraprake ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Vlorës  dhe tre të pandehurve të tjerë të akuzuar për ushtrim ndikimi në katër çështje penale që lidhen me dosjen e “Toyota Auris”, një hetim pasuror të Suel Çelës dhe tre çështje të tjera. Dosja penale në ngarkim të Zarkës, ish-oficeres së policisë gjyqësore , avokatit Radovan Çela dhe biznesmenit Astrit Vladi është dërguar në gjykatë për tu kaluar për gjykim, ndërkohë që është ndarë çështja për të hetuar në vijim prokurorët, gjyqtarët apo funksionarët e drejtësisë që dyshohet se lehtësuan akuzat për këto dosje. Hetimet për këtë çështje u nisën bazuar në të dhënat e administruara nga aplikacionet .

    Sipas prokurorisë, është provuar fakti se katër të pandehurit në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë; kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë; kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë; si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.

    Në kohën e kryerjes së veprimeve të kundraligjshme, Zarka ka qenë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Vlorës, e pandehura Eriona Daupaj ka qënë në funksionin e oficeres së policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krime të Rënda dhe më pas në SPAK, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qenë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasve  e personave të tjerë.

    Sipas SPAK, prokurori Zarka dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme – çështje të cilat lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si  apo kultivimi i narkotikëve.

    Interesi kryesor lidhej me çështjen penale të njohur publikisht si “Toyota Auris”, e cila u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove të thata të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga .

    Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan fillimisht Klevi Cani, Edi Lika dhe  dhe u akuzuan kushërinjtë Elvis Vladi dhe Alfred Vladi. Astrit Vladi është vëllai i Elvis Vladit.

    Hetimet e atëhershme dështuan të provonin se trafiku i parave përmes makinave të përdorura ishte pjesë e një skeme të pastrimit të parave. Një investigim i mëparshëm i  gjeti se si prokuroria dhe më pas gjykata pranuan si provë alibinë e të akuzuarve – duke e çuar çështjen përfundimisht në gjykatë për veprën penale të “modeklarimit të të hollave në kufi”.

    Sipas SPAK, prokurori Zarka në bashkëpunim me Erjona Dautin, Astrit Vladin dhe Radovan Çelën kanë ushtruar ndikim të paligjshëm përgjatë viteve 2018-2020 për katër çështje penale që lidheshin me të pandehurit Elvis Vladi, Alfred Vladi dhe Alban Mollaymeri.

    Një tjetër çështje ku dyshohet se është ushtruar ndikim lidhet me hetimin pasuror ndaj Suel Çelës në shkurt 2020 nga  – një personazh i akuzuar për përfshirje në krim të organizuar në Elbasan dhe i shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasje.

    Tre çështjet e tjera penale ku dyshohet se është ushtruar ndikim i paligjshëm u hetuan nga Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Vlorës.

    Aurel Zarka akuzohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm 3 herë, nga të cilët 2 herë në bashkëpunim. Po ashtu, ai akuzohet se ka kryer korrupsion aktiv e pasiv. Ish-oficerja e policisë gjyqësore, Eriona Daupaj akuzohet se ka kryer ushtrim ndikimi 4 herë, nga të cilët në 2 raste e ka realizuar në bashkëpunim. Ajo akuzohet dhe për zbulim të akteve e të dhënave sekrete dhe korrupsion pasiv në 2 raste.

    Avokati Radovan Çela akuzohet për ushtrim ndikimi të paligjshëm në 5 raste, kur 4 herë ka vepruar në bashkëpunim, ndërsa Astrit Vladi akuzohet se ka kryer 4 herë ushtrim ndikimi të paligjshëm në bashkëpunim dhe korrupsion aktiv.

    Në njoftim thuhet se më 26 dhjetor, prokurorët kanë vendosur ndarjen e çështjes penale dhe vijimin e hetimeve lidhur me prokurorët, gjyqtarët e funksionarët e tjerë të drejtësisë që përmenden në bisedat e të pandehurve. Sipas prokurorisë, veçimi i akteve ka të bëjë me një sërë komunikimesh të kryera nga të pandehurit për rrethanat e çështjeve ku kanë ndikuar, si edhe në lidhje me biseda që kanë të bëjnë me fakte dhe rrethana të tjera që kanë dalë gjatë veprimeve hetimore.

    Konkretisht, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat e kryera nga të pandehurit dhe personat e tjerë, në përmbajtjen e të cilave përmenden prokurorë, gjyqtarë e funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë, për të cilët pretendohet se kanë kërkuar apo kanë marrë përfitime të parregullta.

    Nga bisedat dhe komunikimet e administruara janë konstatuar të dhëna se edhe persona të tjerë mundet të kenë kryer ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj prokurorëve, gjyqtarëve apo funksionarëve të organeve të tjera të drejtësisë. Po ashtu, janë ngritur dyshimet se mundet të jenë kryer veprime që përmbajnë elementë të veprave të tjera penale./Reporter.al.