Etiketë: Sulmi

  • I dyshuari duke ikur godet veturën e Policisë në Gjilan, lëndohen katër policë

    Policia e Kosovës e ka arrestuar një person i cili nuk është ndalur në Pikën e Kontrollit Policor dhe në ikje e sipër ka goditur disa herë makinën e Policisë.

    Sipas Policisë, për pasojë janë lënduar katër policë në Gjilan.

    “I dyshuari gjatë ikjes disa herë ka goditur veturën zyrtare të Policisë, e cila ishte në ndjekje të tij, me ç’rast kanë pësuar lëndime trupore katër zyrtarë policorë, të cilët ndodheshin në veturë. Lidhur me rastin personi i dyshuar është ndaluar nga Njësia policore dhe i njëjti është futur nën kontroll.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

    Po, sipas njoftimit, zyrtarët policorë dhe dy personat që ishin në veturë kanë pranuar trajtim mjekësor.

    Sipas Policisë, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

     

     

  • Policia suedeze arreston burrin i cili mësyu Ambasadën ruse në Stokholm

    Policia suedeze ka bërë të ditur të martën, më 28.01.2025, se ka arrestuar një burrë i cili po mundohej të hynte me forcë me një makinë nëpër portat e Ambasadës ruse në Stokholm, mëngjesin e sotëm – raporton Agjencia e lajmeve Reuters.

    Policia ka bërë të ditur se burri 45 vjeç ka dështuar në përpjekjen e tij dhe se është arrestuar nga autoritetet e rendit. Ai është arrestuar si i dyshuar për “shkelje të rëndë”. Policia nuk ka dhënë më shumë hollësi për identitetin e burrit.

    Një zëdhënës policie ka bërë të ditur se nuk ka indikacione të menjëhershme për motivin e mësymjes dhe se në makinë nuk kishte asgjë të dyshimtë.

    Reutersi nuk ka pasur mundësi që të merrte menjëherë një deklaratë prej Ambasadës ruse në Suedi.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Detaje nga Policia: Përveç nxënësve, qeni sulmoi edhe disa policë – arrestohet pronari

    Disa nxënës dhe disa zyrtarë policorë kanë marrë lëndime, pasi janë sulmuar nga një qen i cili kishte hyrë brenda objektit të shkollës “17 shkurti” në Shirokë të Suharekës.

    Policia ka dhënë detaje për ngjarjen duke njoftuar se rasti është raportuar, më 22.01.2025, rreth orës 09:50 minuta.

    Dy nxënës kanë marrë lëndime nga sulmi i qenit dhe janë duke marrë trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Një nxënëse e lindur në vitin 2017 ka lëndime më serioze në kokë nga kafshimi i qenit – thekson Policia për KALLXO.com.

    Ndërkaq, sipas PK-së, dy nxënës kanë marrë lëndime të lehta gjatë ikjes.

    “Patrullat policore i janë përgjigjur rastit me urgjencë. Kur kanë arritur në shkollë kanë vërejtur një qen brenda shkollës, i cili kishte sulmuar nxënësit e shkollës dhe paraqiste rrezik potencial ende. Qeni ka sulmuar edhe policët, mirëpo në shpejtësi është asgjësuar – duke e mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm.” – ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.

    Tutje, ai njoftoi se Policia ka ndihmuar nxënësit të dërgohen në urgjencë për mjekim e ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, në lidhje me rastin në fjalë.

    Për ngjarjen është njoftuar Prokurori kompetent, Hetimet Rajonale në Prizren, IPK-ja si dhe është identifikuar pronari i qenit dhe i njëjti është arrestuar.

    Rasti është iniciuar, si: “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    Policia shton se Njësitet përkatëse policore janë duke hetuar rastin.