Etiketë: Ujdia

  • Dita e dytë e armëpushimit, lirohen 90 të burgosur palestinezë

    Armëpushimi i brishtë ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit” ka hyrë në ditën e dytë – ka konfirmuar për BBC-në të hënën, më 20.01.2025, një qytetar nga Gaza – duke thënë se për herë të parë prej nisjes së luftës ka bërë gjumë të mirë “sepse jam ndier i sigurt”.

    Ndërkohë, 90 të burgosur palestinezë janë liruar gjatë natës si pjesë e fazës së parë të armëpushimit – ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues Izraelit. Shumica prej të liruarve janë gra dhe fëmijë.

    Më herët u liruan tri gra izraelite, përfshirë njërën me shtetësi të dyfishtë britanike e izraelite, nga “Hamasi”. Ato janë trajtuar tashmë në Spitalin izraelit në Tel-Aviv dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

    Ka pasur ritakime emocionale në të dy anët: palestinezët janë pritur me përqafime dhe brohoritje prej familjeve të tyre, derisa Emily Damari, e cila ishte peng në duar të “Hamasit” ka shpërndarë një xhirim të momentit prekës të takimit me familjen e saj.

    Armëpushimi në Gazë është fuqizuar pas një vonese të minutave të fundit, por gëzimi ka mbetur në hije pasi palestinezët janë kthyer në shtëpitë e tyre të shkatërruara dhe ende nuk ka qartësi se çfarë do të sjellë e ardhmja – raportojnë korrespodentët e BBC-së.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Ministri i Mbrojtjes kërcënon Netanyahun me dorëheqje shkaku i ujdisë së armëpushimit në Gazë

    Ministri i së djathtës ekstreme i Mbrojtjes i Izraelit, Itamar Ben-Gvir ka kërcënuar të martën, më 14.01.2025, se do të japë dorëheqje nga Kabineti i Qeverisë së Benjamin Netanyahu – nëse Kryeministri pajtohet që të ketë marrëveshje armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve izraelite nga Gaza, në kohën kur po zhvillohen negociatat në Katar – raporton Reuters.

    Ben-Gvir, largimi i të cilit nuk do ta rrëzonte Qeverinë e Netanyahut, i ka bërë thirrje ministrit të Financave, Bezazel Smotrich që t’i bashkohen në përpjekjen e tij të fundit për ta pamundësuar arritjen e Marrëveshjes, të cilën e ka quajtur si kapitullim të rrezikshëm para ‘Hamasit’.

    “Kjo lëvizje është mundësia jonë e vetme për ta parandaluar ekzekutimin (e Marrëveshjes) dhe ia parandalon Izraelit dorëzimin para ‘Hamasit’ pas më shumë se një viti të luftës së përgjakshme, ku 400 ushtarë të IDF-së (Forcave Izraelite të Mbrojtjes) kanë rënë në Rripin e Gazës dhe për të siguruar se vdekjet e tyre nuk do të shkojnë huq.” – ka shkruar Ben-Gvir në X.

    Smotrich ka thënë të hënën, më 13.01.2025, se kundërshton ujdinë, por nuk ka kërcënuar se do ta prishë koalicionin me Netanyahun. Shumica e Ministrave pritet ta mbështesin një ujdi armëpushimi të ndarë në faza, që përfshin ndaljen e luftimeve dhe lirimin e pengjeve.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • “Trillim të kulluar” e quan TikTok-u Raportin se po i shitet Elon Muskut

    TikTok-u e ka quajtur “trillim të kulluar” një Raport se Kina po shqyrton që të lejojë shitjen e operacioneve amerikane të kompanisë së mediave sociale Elon Muskut – raporton të martën, më 14.01.2025, televizioni britanik BBC.

    Komentet e firmës janë kundërpërgjigje ndaj një Raporti të “Bloombergut”, se zyrtarët kinezë po peshojnë një opsion që do të mund të hapte rrugën që biznesi i tyre në Amerikë t’i shitet personit më të pasur në botë – nëse Gjykata Supreme amerikane e mban në fuqi ndalimin e aplikacionit.

    Gjyqtarët e Supremes pritet të nxjerrin një verdikt për një Ligj që ia përcakton 19 janarin si ultimatum për TikTok-un, që ose t’i shesë operacionet amerikane, ose të përballet me ndalesën në këtë vend.

    TikTok-u ka thënë vazhdimisht se nuk do t’i shesë operacionet amerikane.

    “Nuk mund të pritet prej nesh që të komentojmë një trillim të kulluar.” – ka deklaruar një zëdhënës i TikTok-ut për BBC-në.

    “Bloomberg” raportoi, duke cituar njerëz të informuar me çështjen, se një skenar i mundshëm po shqyrtohet prej zyrtarëve kinezë, që do të rezultonte me marrjen e kontrollit të operacioneve amerikane të TikTok-ut nga media sociale e Elon Muskut, X.

    X-i nuk ka dashur që menjëherë ta komentojë Raportin, pavarësisht kërkesës së BBC-së.

    Musku është aleat i ngushtë i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili pritet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar. Trumpi e ka inkurajuar muajin e kaluar Gjykatën Supreme që ta shtyjë verdiktin, derisa ta marrë Presidencën që t’ia mundësojë që të gjejë një “zgjidhje politike”.

    Avokati i tij ka dorëzuar një shkresë në Gjykatë, duke theksuar se Trumpi “kundërshton ndalimin e TikTok-ut” dhe “kërkon aftësinë për të zgjidhur çështjen nëpërmjet mjeteve politike kur ta marrë detyrën”.

    Kjo ndodhi një javë pasi Trumpi e takoi shefin ekzekutiv të TikTok-ut, Shou Zi Chew, në pronën e tij Mar-a-Lago në Floridë.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com