Etiketë: ushtria

  • Dronë, helikopterë e “mbrojtje të mençur”: Planet e partive për sektorin e Sigurisë dhe Mbrojtjes

    Dronë e antidronë, helikopterë e municione, ngritje kazermash e “mbrojtje të mençur”, trajnime, digjitalizim e Vetting. Kush më shumë e kush më pak, secila prej partive dhe secili Koalicion që garon në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, premton investime në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    Gjatë fushatës zgjedhore që ka filluar më 11.01.2025, Lëvizja Vetëvendosje e cila po synon të fitojë Zgjedhjet dhe ta mbajë pushtetin edhe për një mandat katërvjecar ka premtuar për Policinë dhe institucionet e Sigurisë pajisje të specializuara dhe bashkëkohore, armatim adekuat, si dhe shkollim dhe trajnim të duhur.

    “Do të avancojmë Njësinë e Dronëve dhe Antidronëve për të forcuar mbikëqyrjen dhe gatishmërinë për t’u përballur me format e reja të rreziqeve të sigurisë – duke ndihmuar në hetime, mbrojtje dhe mbikëqyrje të kufirit, si dhe në rritjen e sigurisë publike në përgjithësi.” – thuhet në Programin e kësaj partie.

    Kufijtë sipas LVV-së do të jenë të sigurt dhe do të menaxhohen me teknologjitë më të avancuara. Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit thuhet se do të modernizohet për të garantuar siguri dhe për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve e për të parandaluar aktivitetet kriminale.

    Për t’i përmbushur objektivat në këtë sektor, LVV premton një buxhet prej mbi 1 miliard eurosh në katër vjetët e ardhshme për Ushtrinë.

    Kjo parti zotohet edhe për funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimin e industrisë ushtarake të Kosovës.

    Dronët ushtarakë ‘Made in Kosova’ janë premtim tjetër i LVV-së.

    1 mijë gra e vajza synohen që të rekrutohen si ushtarake.

    Një Njësi e Përbashkët me Forcat Ushtarake të Shqipërisë është synim tjetër i kësaj partie, e cila po ashtu synon fuqizimin e Ushtrisë me blerje të armatimit, stërvitjes dhe edukimit brenda vendit në bashkëpunim me vendet partnere.

    Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse do të zbatohet sipas tyre në tërë vendin, si dhe rezervistët do të kenë armatim dhe trajnim adekuat në rast të mobilizimit.

    Zotimet për digjitalizim të sektorit të Sigurisë

    Partia Demokratike e Kosovës e cila në këto Zgjedhje garon me Bedri Hamzën si kandidat për Kryeministër premton një kornizë gjithëpërfshirëse sigurie, që integron mbrojtjen kombëtare, sigurinë publike dhe parimet e sigurisë njerëzore.

    “Duke përqafuar teknologjitë më të fundit dhe strategjitë vizionare, ne do t’i adresojmë kërcënimet dhe sfidat e reja me masa inovative dhe adaptive që garantojnë sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve. Do ta digjitalizojmë mbarë sektorin e Sigurisë kombëtare dhe Mbrojtjes – duke integruar edhe Inteligjencën Artificiale për t’i rritur kapacitetet për vlerësimin e kërcënimeve në kohë reale dhe planifikimin efikas.” – thuhet në mes të tjerash në Programin zgjedhor të kësaj partie.

    Për planet e PDK-së për investime në Siguri dhe Mbrojtje ka folur në “Debat Përnime” Besa Kabashi-Ramaj.

    “Ne e parashohim që për ngritje të nivelit të mbrojtjes nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme të krijojmë pesë Regjimente, siç kemi planifikuar me partnerët tanë strategjikë SHBA-në dhe NATO-n.” – ka thënë ajo.

    Në lidhje me emergjencat civile, Kabashi-Ramaj ka thënë se PDK parasheh edhe ngritjen e Njësitit të Helikopterëve.

    PDK premton po ashtu investime dhe modernizime në infrastrukturën ushtarake, si dhe ngritjen e Gardës Kombëtare me strukturat e parapara dhe sigurimin e gatishmërisë së tyre.

    “Garda Kombëtare do të rritë gatishmërinë civile të Kosovës, duke bashkuar sektorët ushtarakë dhe civilë për t’iu përgjigjur më mirë kërcënimeve të jashtme dhe emergjencave të brendshme.” – thuhet tutje në këtë Program.

    Sigurim të plotë shëndetësor dhe jetësor për anëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë, AKI-së dhe zjarrfikësve është zotimi tjetër i dhënë nga PDK.

    “Do ta rrisim sigurinë publike, duke ristrukturuar Policinë bazuar në të dhënat e popullsisë dhe krimit, si dhe duke investuar në iniciativa për ngritjen e kapaciteteve. Nëpërmjet policimit në komunitet do të ndërtojmë besim dhe do ta nxisim ndërveprimin e rregullt midis Policisë dhe komuniteteve – duke inkurajuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit.” – premton PDK-ja.

    “Mbrojtja e mençur”

    Lidhja Demokratike e Kosovës në anën tjetër synon rritjen e partneritetit me NATO-n.

    Buxhetin për Ushtrinë e Kosovës LDK e planifikon përmes rritjes së tij në 2% të Bruto Produktit Vendor.

    Kjo parti planifikon edhe ristrukturimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Përbërja e Forcës në planin tonë parashihet të jetë me 6000 pjesëtarë aktivë (sot janë 4000 sosh), 3000 rezervë aktive dhe 20000 rezervë e përgjithshme.” – thuhet në Programin zgjedhor të LDK-së.

    Në kuadër të këtij Programi parashihet edhe edukimi dhe stërvitja e nxënësve të Shkollave të Mesme në fushën e Mbrojtjes.

    LDK premton ndërtimin e katër kazermave ushtarake për FSK-në.

    “Do të riorganizohen Kazermat aktuale, duke ia përshtatur misionit të FSK-së dhe do të rrisim numrin e Kazermave për 4 sosh në regjione të ndryshme të Kosovës. Në Prizren (ish-Kazerma e kontingjentit Gjerman të KFOR-it); në Gjinoc të Suharekës (Kazerma aktuale e KFOR-it); në Gjakovë (Aeroporti i Gjakovës) dhe në Podujevë. Shuma e gjithmbarshme e investimeve në këtë projekt, pra në përditësimin e Kazermave të tanishme dhe në ndërtimin e 4 Kazermave të reja do të jetë rreth 60 milionë euro.” – premton LDK.

    Krahas kësaj LDK planifikon edhe ndërtim të vendbanimeve për personelin ushtarak – duke ndërtuar lagje ushtarake, që do të jetë në shërbim të personelit ushtarak dhe familjeve të tyre.

    LDK parasheh Programe që pas pensionimit të pjesëtarëve të FSK-së, ata të integrohen në jetën civile.

    “Këtë do ta arrijë përmes: a) profilizimit dhe trajnimit të pjesëtarëve të FSK-së në fusha të veçanta dhe zhvillimin e tyre në fushat respektive gjatë karrierës ushtarake; b) ndryshimet ligjore që u mundësojnë pjesëtarëve të FSK-së angazhimin në të gjitha fushat e jetës publike – përfshirë edhe në FSK-në (si civil), e sidomos në fushën akademike dhe doktrinore edhe pas pensionimit.” – thuhet tutje në Programin e LDK-së.

    Kjo parti parasheh edhe konceptin “Smart Defence” që parasheh ndihmë reciproke në mes të aleatëve dhe partnerëve në shumë drejtime të fushës së Sigurisë dhe Mbrojtjes.

    “Në marrëveshje me fqinjët e me shtetet mike do të zhvillojmë projekte ‘Smart Defence’. Me Shqipërinë mundet me u arrit Marrëveshja që certifikimi i pilotëve për helikopterë të bëhet në Qendrën e saj simulative. Kurse, mirëmbajtja e automjeteve taktike të prodhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëhet në Kosovë. Me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, me Kroacinë munden me u arritë Marrëveshje të përbashkëta për kontrollin e hapësirës ajrore.” – ka thënë Anton Quni në “Debat Përnime”.

    LDK parasheh edhe ngritjen e kapaciteteve për operacione ndërkombëtare – duke krijuar një Njësi Batalion të kombinuar për këto operacione. Kjo Njësi pritet të ketë jetëgjatësi 4-vjeçare, me rotacion. Ky aktivitet sipas LDK-së ka vlerësim fillestar prej rreth 12 milionë eurosh.

    “Direkt në NATO”

    Koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët si premtim kryesor për mbrojtjen e kanë anëtarësimin direkt në NATO.

    Ky anëtarësim pritet të bëhet përmes tri aspekteve kryesore: atij politik, ushtarak dhe ekonomik.

    “Politik: Forcimi i marrëdhënieve me institucionet euroatlantike; përmbushja e obligimeve në Dialog; konsolidimi i demokracisë në Kosovë; përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët. Ushtarak: Ngritja e kapaciteteve luftarake të Ushtrisë së Kosovës; zhvillimi i industrisë mbrojtëse; prodhimi i municioneve dhe pajisjeve të tjera ushtarake; përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe mbrojtëse civile; rritja e kontributit të Kosovës në angazhimet e NATO-s. Ekonomik: Aktivizimi i resurseve të Kosovës për partneritet ekonomik me vendet e Aleancës.” – thuhet mes të tjerash në Programin e këtij Koalicioni.

    Sipas këtij Koalicioni anëtarësimi do të sjellë edhe zhvillim ekonomik, duke rritur vlerën e resurseve dhe potencialeve të vendit, si dhe do të inkurajojë investitorët e brendshëm dhe të jashtëm.

    “Ne e kemi në Programin tonë edhe sloganin i cili është ‘Direkt në NATO’. Dhe, qëllimisht e kemi bërë këtë, sepse konsiderojmë që pa siguri nuk ka asnjë zhvillim tjetër, që mund të jetë efikas për qytetarët e Kosovës dhe për vendin tonë.” – ka thënë në “Debat Përnime”, kandidati për Deputet nga AAK-ja, Ahmet Isufi.

    Koalicioni për Familjen në anën tjetër premton modernizimin e institucioneve të Sigurisë, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës dhe punës për të gjithë ata që kontribuojnë në fushën e Sigurisë.

    Ky Koalicion thotë se fokus do të ketë në intensifikimin e bashkëpunimit mes institucioneve të Sigurisë për të rritur kapacitetet e tyre.

    “Mbikëqyrja, ndërkaq, do të jetë sistematike dhe rigoroze, duke iu dhënë përparësi trajnimeve të rregullta e të avancuara, përmes bashkëpunimit e binjakëzimit me forcat policore dhe institucione të tjera të Sigurisë të shteteve të zhvilluara, që kanë standarde të larta dhe praktika të suksesshme.” – thuhet mes të tjerash në Programin e këtij Koalicioni.

    Reformimi i Policisë

    Koalicioni për Familjen premton edhe reformimin e Policisë së Kosovës.

    “Reforma në Policinë e Kosovës do të fillojë prej Vetting-ut, përkatësisht hetimit të së kaluarës për të gjithë pa përjashtim. Sipas Ligjit dihet se cilat pozita duhet t’i nënshtrohen këtij procesi. Dhe, në të njëjtën kohë, sigurimi jetësor. Ligji është në proces, andaj edhe këtë çështje do ta adresojmë dhe do angazhohemi që ky Ligj të kalojë.” – ka deklaruar në “Debat Përnime” kandidati për Deputet nga Koalicioni për Familjen, Bejtush Gashi.

    Programi i këtij Koalicioni sa i përket Policisë përfshin rritjen e pagave, përmirësimin e kushteve të punës, digjitalizimin e shërbimeve dhe zhvillimin e strukturave organizative për një reagim më të shpejtë dhe efikas.

    FSK-ja sipas Koalicionit për Familjen po ashtu do të transformohet përmes trajnimeve dhe investimeve në pajisje dhe në infrastrukturë.

    Gjithashtu parashihet rritja e integritetit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Kjo përmes garantimit të buxhetit dhe zhvillimit të kapaciteteve teknologjike për të luftuar kërcënimet kibernetike e terroriste.

    Tutje, ky Koalicion parasheh edhe zhvillimin e industrisë private të Sigurisë.

    “Kjo do të përfshijë licensimin e Kompanive të Sigurisë private dhe krijimin e kuadrit ligjor që do të sigurojë që këto Kompani të operojnë në përputhje me standardet etike e profesionale.” – thuhet tutje.

    Koalicioni për Familjen parasheh edhe krijimin e ekipeve të specializuara për siguri që monitorojnë dhe menaxhojnë rreziqet në kohë reale, si dhe investime në infrastrukturë të re dhe rezistente.

    Strategjia e Sigurisë

    Përmirësimi i sigurisë dhe mbrojtjes së vendit parashihet edhe në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027.

    Në këtë Strategji parashihet riorganizimi i Policisë së Kosovës.

    “Do të rishikojë organizimin e saj të brendshëm, për të shfrytëzuar burimet njerëzore në mënyrë sa më efikase për të kryer detyrat e rregullta, të veçanta dhe të specializuara policore. Do të themelohet Policia Rezervë, e cila do të mund të angazhohet për ta ndihmuar Policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, në rrethana të jashtëzakonshme ose urgjente. Në Policinë e Kosovës do të investohet vazhdimisht në ngritjen dhe në zhvillimin e kapaciteteve, në furnizimin me pajisje të nevojshme për të kryer detyrat e saj operacionale, si dhe në kontrollimin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.” – thuhet mes të tjerash në këtë Strategji.

    Në këtë Strategji flitet edhe për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, për synimin drejt anëtarësimit në NATO.

    “FSK vazhdon të ngritë dhe të zhvillojë aftësitë dhe kapacitetet luftarake për mbrojtjen e territorit, të mirëmbajë dhe të zhvillojë kapacitetet për mbështetje ushtarake për autoritetet civile, si dhe të kontribuojë në siguri përmes pjesëmarrjes në misione ushtarake jashtë vendit. FSK-ja zhvillon doktrinën, standardet dhe kapacitetet në linjë me ato të NATO-së dhe do të shtojë aktivitetet trajnuese dhe stërvitjet e përbashkëta me vendet e NATO-së, me qëllim të aftësimit për ndërveprim me forcat e armatosura të tyre.” – thuhet në Strategji.

    Në Strategji përmendet edhe synimi i Kosovës që të rritë buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor.

    “Republika e Kosovës do të vlerësojë mundësinë për zhvillimin e modeleve të përshtatshme të forcave rezerviste, si dhe atë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, sipas praktikave bashkëkohore të shteteve perëndimore, në përputhje me rrethanat, kushtet dhe burimet vendore.” – thuhet po ashtu në këtë Strategji.

    Sipas Ligjit të Buxhetit Policia e Kosovës për vitin 2025 ka buxhet prej 152 milionë e 624 mijë e 469 euro.

    Bazuar në të njëjtin Ligj, buxheti për vitin 2025 për Forcën e Sigurisë së Kosovës është 202 milionë e 828 mijë e 715 euro, kurse i përgjithshmi për Ministrinë e Mbrojtjes ku hyn edhe FSK-ja është 207 milionë e 875 mijë e 243.

  • Lagje për ushtarakët, njësi të helikopterëve dhe “Smart Defence”: Zotimet e LDK-së për mbrojtjen

    Tre kandidatë të LDK-së për deputetë të Kosovës, me përvojë në fushën e mbrojtjes, janë zotuar se nëse partia e tyre arrin të marr shumicën e votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, si Qeveri do të ndërtojnë lagje për ushtarakët pranë kazermave ekzistuese dhe do të vënë ‘themelet’ e “Smart Defence”. 

    Kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me përvojë në fushën e mbrojtjes, në emër të partisë së tyre janë zotuar se do të koncentrohen në përvetësimin e “Smart Defence” (Mbrojtjes së mençur), ndërtimin e lagjeve për ushtarakët në vlerë 60 milionë euro, futjen e mësimit bazik ushtarak si lëndë në shkollat e mesme dhe ndërtimin e njësitit të helikopterëve në Policinë e Kosovës që përllogaritet të ketë një kosto prej 21 milionë euro.

    Këto zotime janë vetëm disa prej atyre që i kanë shpalosur Anton Quni, Fadil Hadërgjonaj dhe Nuredin Ibishi në “Debat Përnime”, më 18.01.2025, në lidhje me sektorin e mbrojtjes, nëse arrihet qëllimi i tyre që LDK-ja të qeverisë në mandatin e ardhshëm.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025. Kandidatë për kryeministër janë Albin Kurti nga Vetëvendosje (LVV), Lumir Abdixhiku (LDK), Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Ramush Haradinaj nga Koalicioni AAK-Nisma.

    Fabrikë e municionit apo Smart Defence?

    Anton Quni, i cili nën qeverisjen e LDK-së ka qenë ministër i Mbrojtjes, thotë që Kosova nuk ka kapacitete për momentin për të ngritur një Fabrikë të municionit, për ç’gj Qeveria Kurti ka nënshkruar marrëveshje me Turqinë, por beson që rruga e duhur është që të fokusohen në industrinë e “Smart Defense”, ashtu siç i kanë disa shtete perëndimore.

    Quni nuk e përjashton mundësinë për Fabrikën e municionit, për thotë se nëse marrin drejtimin e Qeverisë do të rishikojnë marrëveshjen e nënshkruar, infrastrukturën ligjore dhe mundësisë financiare. Ai beson që Kosova duhet të përvetësojë praktika të shteteve të zhvilluara të cilat bëjnë organizime të përballueshme për buxhetin që të zhvillojnë disa drejtime ushtarake që janë në shërbim jo vetëm të një shteti, por të disa shteteve, duke marr si shembull modelin “Smart Defence”.

    “Në marrëveshje me fqinjët e me shtetet mike të zhvillojmë projekte ‘Smart Defence’. Me Shqipërinë mundet me u arrit marrëveshja që certifikimi i pilotëve për helikopterë të bëhet në qendrën e saj simulative. Kurse mirëmbajtja e automjeteve taktike të prodhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëhet në Kosovë. Me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, me Kroacinë munden me u arritë marrëveshje të përbashkëta për kontrollin e hapësirës ajrore”- tha ai.

    Kandidati për deputet nga LDK, Anton Quni. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Në programin e LDK-së shkruan se aplikimi i “Smart Defence” në Ballkanin Perëndimor mund të bëhet në kuadër të iniciativës Adriatik 5+, apo ndonjë iniciative të ngjashme dhe se është i aplikueshëm lehtë në mes të shteteve partnere rajonale me synime të përbashkëta.

    Ndërsa, në lidhje me prodhimin të municionit, ai tha se është një fushë që e kanë studiuar me operatorët ekonomikë që merren me distribuimin dhe shitblerjen e teknologjisë ushtarake (të cilëve nuk ua përmendi emrat), se sa është profitabile për një operator që të ngrisë kapacitetet për të prodhuar për institucionet e mbrojtjes, dhe se sipas tyre, për momentin nuk mund të arrihet një gjë e tillë.

    Sipas tij, nuk mjafton vetëm konsumi brenda Kosovës, por secili operatori dëshiron të hyjë në konkurrencë me kompanitë që tanimë kanë emër, brend e kredibilitet.

    Në analizën e Qunit, vetëm për një vijë të prodhimit të kalibrit më të vogël për pistoletë kostoja mund të arrijë deri në 250 milionë euro.

    “Për një kalibër, më të voglin- për pistoletë 9mm, vetëm montimi i komponentës, që do të thotë gëzhoja, mbushja dhe predha, 1 trakë e montimit të këtyre komponentëve kushton miliona euro”-  tha Quni.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 16.12.2024, ka nënshkruar Kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), me të cilin, sipas shefit të Qeverisë, po vendosen themelet e industrisë së mbrojtjes. Ai kishte thënë se me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore.

    Kurse, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci pati thënë se për hapjen e fabrikës së municionit kanë pranuar një Raport fizibiliteti nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.

    Duke folur për municionin, Quni përmendi edhe kërcënimet që vijnë nga Serbia ndaj Kosovës. Ai tha se Kosovës i duhet të jetë mirë e përgatitur ushtarakisht, sepse të kesh Serbinë fqinje është sikurse ta kesh Rusinë.

    “Përveç që Serbia e ka një industri të fuqishme ushtarake, [në këtë shtet] janë autonom, kanë burime të qëndrueshme, e tash po ju kthehen mundësive që nga bota perëndimore të furnizohen me teknologjinë e sofistikuar, si në rastin e fundit që u kontraktuan aeroplanët me shtetin e Francës”- tha ai.

    Lagje ushtarake dhe mësim bazik për ushtrinë

    Fadil Hadërgjonaj, i njohur si komandant “Bjeshka”, ish-komandanti i Batalionit 2, Brigada 138, i cili së fundmi i ka hyrë rrugës politike dhe për këtë ka zgjedhur LDK-në, tha se në programin e tyre kanë paraparë ngritjen e lagjeve ushtarake të cilat duhet të jenë në shërbim të kazermave.

    “Lagje moderne ku personeli i FSK-së do të jetë afër aty te kazerma, familja e tij do të jetë afër”- tha Hadërgjonaj, duke shtuar se këto lagje ndër të tjera do të kenë kapacitete kulturore dhe artistike.

    Ai zotohet se me realizimin e këtij plani nuk do të kenë nevojë për transportin e ushtarëve, që sipas tij është i kushtueshëm.

    Për ndërtimin e këtyre lagjeve ushtarake, Hadërgjonaj thotë se i kanë paraparë 60 milionë euro.

    “Vitin e parë do të bëhet studimi i hapësirave, krijimi i planeve për ndërtimin e lagjeve edhe plotësimi i dokumenteve administrative dhe çdo gjë që është e domosdoshme bazuar në ligjet e Kosovës”- tha ai.

    Kandidati për deputet nga LDK, Fadil Hadërgjonaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Një përqindje të madhe të këtyre lagjeve, ai thotë se do ta përfundojnë gjatë mandatit të parë.

    Ndërsa për buxhetin e Forcës të Sigurisë të Kosovës (FSK), ai tha se e kanë synim që ta bëjnë 2 për qind të GDP-së, shifër kjo që është standard i të gjitha shteteve të NATO-s.

    Hadërgjonaj tha se buxheti do të do të investohet në kushte të shërbimit, menaxhimit të drejtë të burimeve njerëzore, që nga edukimi, arsimimi, stërvitja, zhvillimi në karrierë, kushtet, pagat, standardi i jetesës, furnizimi me pajisje në sisteme të caktuara të armatimit, infrastrukturë dhe për të gjitha nevojat e një force kredibile.

    “Një nga hapat e parë që do duhej marrë është rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë dhe nxjerrja e konkludimeve dhe përfundimeve se çka duhet dhe si duhet të vazhdojmë në ndërtimin e Forcës”- tha ai.

    Një tjetër segment që preku Hadërgjonaj ishte edhe edukimi ushtarak në shkollat e mesme të Kosovës.

    Ai tha se në kuadër të programit kanë parashikuar që duhet të fillohet edukimi dhe arsimimi në çështjet bazike ushtarake që nga shkolla e mesme, përkatësisht nga klasat 11 dhe 12.

    “Gjatë edukimit dhe vlerësimi mund t’i identifikojmë më të mirët dhe ata që kanë pasion më të theksuar, që pas shkollës së mesme të jenë pjesë e FSK-së. Të dalluarit të bëhen edhe pjesë e Akademive Ushtarake”- tha ai, duke u zotuar se do t’i adoptojnë kurrikulat e shkollës në këtë drejtim.

    Kurse për zhvillim të komunikimit strategjik, Hadërgjonaj tha se FSK-ja do të zhvillohet në tri domene: domenin e forcave tokësore, të forcave ajrore dhe të luftës kibernetike dhe informacionit.

    Në domenin e parë, ai tha se synojnë ta kenë brigadën e këmbësorisë, brigadën e mekanizuar dhe brigadën e mbështetjes me zjarre dhe me shërbime; në domenin e dytë apo të forcave ajrore hyjnë sistemet e mbrojtjes kundër ajrore si dronët dhe helikopterët; dhe në domenin e tretë- që në vitin e parë parashihet të kenë bashkëpunim me Iowa-n.

    “Që në vitin e parë do të investohet në krijimin e një qendre të profesionistëve për edukimin, trajnimin dhe shfrytëzimin e kapaciteteve ekzistuese dhe kapaciteteve tjera”- tha ai.

    Hadërgjonaj tha se një ndër arsyet pse ka largime të ushtarëve nga FSK-ja janë kushtet ekonomike, e mu për këtë arsye do ta rrisin koeficientin për të gjithë.

    “Koeficienti i pagave do të jetë 150 euro. Kjo është pagë solide dhe është një plus serioz që ushtarët të ndjehen të trajtuar dinjitetshëm”- tha ai.

    Për ushqimin e ushtarakëve, temë që nxiti debat në fund të vitit të kaluar për shkak se ushqimi për një kohë u përgatit nga kuzhinierët e Qendrës Studentore dhe nga ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës derisa të kishin një zgjidhje.

    Anton Quni thotë LDK-ja e ka në plan ta zgjidh këtë problem duke e siguruar ushqimin përmes tenderëve nga operatorët ekonomikë, praktikë për të cilën thotë se e kanë shtetet që janë në të njëjtën situate me Kosovën.

    “Si duket është bërë një vlerësim që tani FSK-ja t’i ngrisë kapacitetet e veta për ta mirëmbajtur vetveten. Unë mendoj që është koncept i tejkaluar. Ne do ta rishikojmë sektorin e sigurisë, me ekspertizë të partnerëve”- u përgjigj Quni, kur u pyet se si do të vazhdojë sigurimi i ushqimit për ushtarët nëse LDK do të qeveris pas 9 shkurtit.

    Quni tha se do të marrin shembuj nga shtete që kanë pasur një ngjashmëri, si rrugëtimi i Kosovës, apo siç e praktikojë Kroacia e Sllovenia.

    “Këto dy shtete ka vite, e tash është bërë rutinë, që këtë çështje ja kalojnë operatorëve ekonomikë”- tha ai.

    Se a do të jepen për operatorët ekonomikë këta tenderë në mënyrë njëburimore, sekrete apo do të jenë të hapur, Quni tha se të gjitha këto shërbime do të bëhen me tenderë të hapur, transparent, publikë dhe të kontrolluar.

    Quni tha se në qeverisjen e tyre, në këta tenderë do të kenë qasje jo vetëm Komisioni parlamentar për mbikëyrjen e sektorit të sigurisë, por edhe mediat, organizatat e ndryshme dhe miqtë e Kosovës.

    “Nuk flasim për sekrete ushtarake. Ato tabutë që kanë qenë më herët, numri, lokacioni, tipi i armatimit janë çështje të tejkaluara, i takojnë shekullit të kaluar në kohën e Luftës së Ftohtë në mes dy blloqeve, Bllokut të Varshavës dhe NATO-s, kur shumë çështje janë mbajtur sekrete. Tani flasim për një qasje transparente me qytetarët që japin taksa për këto çështje”- shtoi ai.

    Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikimit të njoftimit për Kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të papërgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.

    Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e FSK-së.

    Koordinimi me aleatët

    Se a e ka në plan LDK-ja nëse vjen në pushtet të dërgojë FSK-në në veri të vendit, Fadil Hadërgjonaj tha se për veprime të tilla duhet të koordinohen mirë me aleatët.

    “Unë besojë dhe jam i bindur që KFOR-i e ka përgjegjësinë e mbrojtjes së kufijve të Kosovës, jo vetëm në Veri por, edhe në Jug edhe në Perëndim edhe në Lindje”- tha ai, duke mos u përgjigjur drejtpërdrejtë për hapat që kanë në plan të ndërmarrin.

    Ai tha se rruga e tyre është që të ulen dhe vendimet t’i marrin në Bruksel e jo në Prishtinë.

    “Në veri tani për tani e kemi Policinë e Kosovës e cila është duke i kryer detyrat në mënyrë të mrekullueshme. E kemi Agjencinë Kosovare të Inteligjencës për grumbullimin e informacioni dhe, adresimin e shqetësimeve aty ku duhet- te vendimmarrësit, andaj FSK-ja nuk do duhej të lakohej për raste të tilla”- tha ai.

    Kandidatët për deputetë nga LDK, Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Plani i LDK-së për fushën e mbrojtjes, sipas tij, bazë e ka partneritetin me aleatët.

    “Ne duhet të punojmë shumë që së pari të anëtarësohemi në Kartën e Adriatikut, sepse ka benefite shumë të mëdha dhe na ndihmon shumë në drejtim të anëtarësimit në NATO”- tha ai.

    Të njëjtin mendim ndan edhe Anton Quni i cili deklaroi se do ta zhvillojnë një bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional me organizata të specializuara që me parashikime, analiza e studime të vijnë deri tek përfundimi më i mirë për ndërmarrjen e disa masave dhe aplikimin e disa projekteve që qytetarët të ndihen të qetë në ambient paqeje.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në dhjetor 2024 është shprehur se me zotimin e ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, për mosdërgim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit pa lejen e KFOR-it, janë krijuar kufij të brendshëm.

    Në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një letër-këmbim me shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u zotua se FSK-ja nuk do të dislokohet në veri – zonë e banuar me shumicë serbe – pa u dakorduar paraprakisht me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Letër-këmbimi me NATO-n besohet të jetë bërë në përpjekje për ta mbajtur situatën atje nën kontroll. Kuvendi i Kosovës, në vitin 2018, miratoi ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të FSK-së në ushtri.

    Ligji për FSK-në, i cili hyri në fuqi në janar të 2019-ës, thotë se kjo forcë mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës.

    Pensionim i policëve dhe ngritja e Njësisë të helikopterëve

    Nuredin Ibishi, kandidat për deputet, ekspert i sigurisë, i cili kishte qenë komandat i UÇK-së me nofkën “Leka”, u zotua se për Policinë e Kosovës do të bëjnë reforma në personel duke e shtuar numrin e tyre nga 8 mijë në 10 mijë.

    “Nuk do të ketë pensionim të parakohshëm për policët, por do të shkojmë sipas modelit të FSK-së”- tha ai.

    Sipas ligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, nënoficerët pensionohen në moshën 50 vjeçare, kurse oficerët pensionohen në moshën 55 pesëdhjetë vjeçare.

    Ibishi tha se kanë në plan krijimin e një njësie të helikopterëve, me kosto 21 milionë euro.

    Kandidati për deputet nga LDK, Nuredin Ibishi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Ai tha se do të lidhen reformat në Ministrinë e Punëve të Brendshme edhe në aspektin sektorial duke filluar nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.

    “Një kohë Drejtori i përgjithshëm ka qenë ushtrues detyre dhe ka sjellë probleme, mirëpo në këtë drejtim do të kemi kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Policinë në mënyrë që mos të afekton në aspekte politike, por ai të jetë më tepër funksional për detyra operacionale”- tha Ibishi.

    Kurse, për zyrtarët policorë të komunitetit serb që janë dorëhequr nga pozitat e tyre, sipas tij,  me urdhëresë të Beogradit, tha se LDK-ja ka propozim që të ketë hapje të konkurseve dhe një qasje më ndryshe, “jo me forcë por me integrim”.

    “Ata (të komunitetit serb) mund të konkurrojnë. Kjo gjë është e kufizuar më moshë- ata që i kanë deri në 29 vjet mund të aplikojnë si pjesëtarë të ri nëse nuk kanë qenë të implikuar”- tha ai.

    Përvoja e LDK-së në pushtet

    Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.

    Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), u mbajtën zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.

    LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës më 04.03. 2002, dhe LDK-ja formoi qeverinë e parë pas luftës.

    Kjo parti fitoi përsëri zgjedhjet e vitit 2004 në krye me Ibrahim Rugovën, i cili ishte president deri në vitin 2006.

    Ndërsa, në zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe të formonte një qeveri të re në krye me Isa Mustafën.

    Në zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV, bëri koalicion me LDK-në, por marrëveshja u prish pas disa muajsh kur Qeveria e Kurtit u rrëzua në Kuvend në mars 2020 përmes një Mocioni Mosbesimi.

    Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla.  Në 22.03.2020, Hoti u zgjodh kryeministër i Kosovës.

    Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.

    Kjo u pasua me zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.

    Në zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % duke u renditur si partia e tretë për nga numri i votave.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.